Qyteti kinez Qingdao po teston të gjithë popullsinë e tij prej nëntë milion banorësh brenda një periudhë prej pesë ditësh për të parë nëse janë të prekur me koronavirus.
Testimi masiv vjen pas zbulimit të një vatre të re të lidhur me një spital, ku po trajtohen pacientë të prekur me Covid-19 të ardhur nga jashtë.
Prej të dielës banorët janë vënë në radhë për t’u testuar, ndërsa shumë nga pikat e testimit po qëndrojnë të hapura nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 23 të mbrëmjes.
“Rreth 114,862 persona, përfshirë stafin mjekësor dhe pacientët e shtruar rishtas në spitalet e qytetit ishin testuar dhe kishin rezultuar negativë tashmë”, tha komisioni shëndetësor i Qingdao.
Në maj, Kina testoi të gjithë qytetin e Wuhan, vendi i 11 milion njerëzve dhe epiqendra e pandemisë globale.
Vendi tashmë e ka vendosur nën kontroll virusin. Kjo është në kontrast të plotë me pjesën tjetër të botës, ku akoma regjistrohen shifra të larta të rasteve të reja, ndërsa shumë vende po rivendosin masat kufizuese.
Rastet ditore të koronavirusit kanë rënë në mënyrë drastike në Kinë dhe në pjesën më të madhe të vendit duket se më e keqja ka kaluar.
Aktualisht Kina regjistron 91,305 raste me Covid-19, ndërsa numri i të vdekurve qëndron në 4,746, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë./BBC