Pandemia Covid-19 ka kontribuuar me 979 mijë vdekje shtesë në vitin 2020 në 29 vendet me të ardhura të larta, sipas një studimi të udhëhequr nga një ekip ndërkombëtar i shkencëtarëve, të publikuar në “British Medical Journal”.
Studiuesit analizuan të dhënat nga 29 vende të përfshira në “Databazën e Vdekshmërisë Njerëzore”, e cila mbledh të dhëna nga agjencitë kombëtare të shëndetësisë.
Këto vende, të cilat përfshinin Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Korenë e Jugut janë të gjitha anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Ata krahasuan numrin e vdekjeve të regjistruara në vitin 2020 me numrin që normalisht pritej bazuar në të dhënat e viteve të mëparshme.
Rreth 458 mijë vdekje shtesë, ose gati gjysma ndodhen në Shtetet e Bashkuara. Numri zyrtar i të vdekurve nga koronavirusi në SHBA në vitin 2020 ishte 339,014.
Mbretëria e Bashkuar dhe Italia ishin gjithashtu në tre të parat, me përkatësisht 94 mijë dhe 89 mijë vdekje shtesë.
“Në shumicën e vendeve, numri i vlerësuar i vdekjeve shtesë tejkaloi numrin e vdekjeve të raportuara nga Covid-19”, shkroi ekipi, i udhëhequr nga Dr. Nazrul Islam i Departamentit të Shëndetit të Popullsisë në Universitetin e Oksfordit.
“Për shembull, si në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar (domethënë Anglia, Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Skocia së bashku), vdekjet shtesë të vlerësuara ishin më shumë se 30% më të larta se numri i vdekjeve të raportuara nga Covid-19, dhe ato ishin më shumë se 50% më e lartë në disa vende të tjera, duke përfshirë Spanjën, Poloninë, Hungarinë, Greqinë, Lituaninë, Sllovakinë, Estoninë dhe Korenë e Jugut “.
“Sidoqoftë, Zelanda e Re, Norvegjia, Danimarka, Izraeli, Franca, Gjermania, Belgjika dhe Zvicra kishin një numër më të lartë të vdekjeve të raportuara nga Covid-19 sesa vdekjet e vlerësuara shtesë.” Ekipi i studiuesve nuk është i sigurt pse.
Vdekjet shtesë ishin përqendruar kryesisht tek ata të moshës 75 vjeç e lart, të ndjekur nga grupmosha 65-74 vjeç, zbuluan studiuesit.
Përfundimet sugjerojnë se “shumë vende kishin një nënvlerësim ose nën-raportim të vdekjeve të Covid-19, një rritje të konsiderueshme të vdekjeve jo-Covid-19, ose të dyjave”, shkroi ekipi./CNN