COVID-19, si lajmëtari i madh ose shëruesi i madh, kjo është mundësia e shekullit

22/05/2020 10:06 PM 0 komente

Flet Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve

 

Covid-19 është një nga shanset e fundit që politikëbërja ka për ta kthyer problemin e pandemise në mundësinë e shekullit, thotë Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve.  Ky shans lidhet me mënyrën se si vendi do të do të qaset me fazën e katërt, atë të rimodelimit ekonomik.

Ky rimodelim, thotë Shkodra, duhet të bazohet në  një mënyrë të re të qeverisjes, politikë-bërjes, hartimit dhe zbatimit të politikave publike, bërjes biznes por gjithashtu edhe të mënyrës se si ne sillemi në ekonomi. Shqipëria duhet të orientohet drejt një rritjeje të zgjuar, në linjë me revolucionin e katërt industrial, t’i përshtatet rimodelimit të tregjeve globale sa i përket eksporteve. Për këtë nevojitet që të analizohen me kujdes gjithë sektorët e ekonomisë. Ndër më potencialët për t’u zhvilluar, Shkodra veçon sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit, turizmi dhe kulinaria, industria e lehtë, shërbimet dhe energjia e rinovueshme.

Pandemia e covid-19 do të ndryshojë ekuilibrat në ekonominë globale. Si mund të orientohet modeli ekonomik i Shqipërisë?

Padyshim që pandemia Covid 19 ka krijuar një situatë të paprecedentë si shëndetësore ashtu edhe ekonomike në mbarë globin. Nëse do ta shohim në këndvështrimin shëndetësor, pandemia është ende një fenomen me plot të panjohura dhe me një dinamikë të çuditshme. Ndërkohë, që në aspektin ekonomik, ajo zbuloi brishtësinë e sistemeve ekonomike, të cilat u bllokuan dhe filluan rënien e lirë vetëm me aplikimin e masave parandaluese, që prekën shtyllën kurrizore të ekonomisë botërore, e cila ka të bëjë me marrëveshjet e tregtisë së lirë, qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve. Kjo shtyllë kurrizore mbante në këmbë sistemin ekonomik globalist dhe që i kishte bërë ballë edhe krizës së fortë financiare të vitit 2008.

Në një muaj, në mënyrë të sinkronizuar, shtetet që dikur bazonin marrëdhëniet tregtare në globalizmin, ngritën muret dhe mbyllën portat, duke kaluar në atë që shumë ekpertë të ekonomisë botërore tashmë e quajnë “glokalizëm” ose më mirë një lloj sovranizmi ekonomik. Tregjet ndërkombëtare u lëkundën nga themeli duke nxjerrë në pah jo vetëm brishtësinë e sisteme´ekonomike kombëtare, por më së shumti parimet mbi të cilat ishte krijuar tregtia ndërkombetare dhe sistemi ekonomik global.

Mjaft ekspertë nderkombëtare e quajnë me shaka pandemin e Covid19, si lajmëtari i madh ose shëruesi i madh, pasi “stres testi” që i bëri sistemeve ekonomike, mund të jetë në fakt mundësia e madhe për të rimenduar ekonominë për ta udhëhequr në epokën e re të zhvillimit. Ne fakt hyrja në në eopokë të re të zhvillimit ekonomik boteror ishte paralajmëruar nga organizimi me i madh botëror për ekonominë Davos 2018. Në këtë event prestigjoz u lajmërua fillimi i epokës së re të zhvillimit që quhet “revolucioni i 4-t industrial” ose “industria 4.0”. Kjo epokë e re zhvillimi bazohet kryesisht në burime të reja dhe në teknologjinë e informacionit në format e saj më të përparuara sic janë “realiteti i shtuar”, dixhitalizimi i mëtejshëm i proceseve, inteligjenca artificiale etj.

Shqipëria si një ekonomi e vogël dhe e varur në një masë të konsiderueshme nga tregjet e jashtme, ka avantazhet dhe disavantazhet e saj. Nëse në fazën e parë, atë të përballimit të traumës së pandemisë, ne patëm një sukses të menjëhershëm duke bllokuar përhapjen e epidemisë, në fazën e dytë, atë të garantimit të elasticitetit të sipërmarrjes, treguam se ishim jo vetem pa asnjë plan të qartë, por edhe se mungonin burimet e nevojshme financiare për ta mundësuar atë.

Garantimi i elasticitetit të sipërmarrjes do të na siguronte kalimin në fazën e tretë me një profil të qëndrueshëm dhe dinjitoz pasi kjo fazë ka të bëjë me rikthimin në normalitetin e ri. Në këtë fazë sipërmarrja filloi të kthehet me probleme të cilat mbarteshin nga fillimi i vitit 2020, duke iu shtuar edhe mungesa e punonjësve për shkak të largimeve, mungesa e likuiditetit për shkak të zvogëlimit të shitjeve, problemeve me furnizimet me lëndë ta para si dhe me shtimin e detyrimeve qoftë ndaj shtetit por edhe ndaj furnitorëve.

Një nga shanset e fundit që politikë-bërja ka për ta kthyer problemin e pandemise në mundësinë e shekullit, lidhet me mënyrën se si do të do të qaset me fazën e katërt, atë të rimodelimit ekonomik e cila duhet të bazohet në një mënyrë të re të qeverisjes, politikë-bërjes, hartimit dhe zbatimit të politikave publike, bërjes biznes por gjithashtu edhe të mënyrës se si ne sillemi në ekonomi. Zhvillimi i ri ekonomik duhet të synojë jo thjesht rritjen ekonomike por një rritje të zgjuar bazuar në potencialet dhe burimet që harmonizohen teknologjitë e reja dhe normalitetin e ri botëror.

Gjeopolitika e re pritet të zhvendosë kërkesën për mallra nga Kina. Duke qenë se Shqipëria ka të zhvilluar sektorin fason, a mund ta përshtatë atë për të prodhuar furnizime për sektorin shëndetësor?

Zhillimet e reja gjeopolitike kanë dhënë sinjale që të kemi një zhvendosje jo vetëm të tregjeve por edhe të burimeve. Rimodelimi i ekonomisë botërore mund të sjellë në afatmesëm dhe afatgjatë një zhvendosje të marrëdhënieve ekonomike të Shqipërisë me tregjet boterore si në aspektin e furnizimeve me mallra dhe produkte, por edhe në aspektin e eksportit. Sektorët industrial si tekstil por edhe përpunimit të lëkurës, do të jenë të detyruar të ndyshojnë ndoshta edhe mënyrën dhe modelin e tyre të biznesit.

Kriza aktuale tregoi qartë se sa e paqëndrueshme dhe e cenueshme ishte industria me “material porositës” pasi ajo varej krejtësisht nga tregu i jashtëm, i cili ndërpreu menjëherë porosinë. Nëse do të kishin zhvilluar modelin e një industrie me cikël të mbyllur që krijon jo vetëm vlerë të shtuar por edhe krijon hapësirën e saj në tregun botëror, atëhere pasojat do të kishin qenë më të vogla. Një pjesë shumë e vogël e kësaj industrie, e cila kishte ndryshuar me kohë modelin e saj duke aksesuar direkt në tregun e huaj me produktete Made in Albania, e përballoi me mjaft elasticitet krizën.

Duke paramenduar një zhvendosje të kërkesës europiane nga tregu aziatik, nëse do kishim zhvilluar një model të mirë industrial, Shqipëria mund të kishte patur shumë avantazhe. Megjithatë shihet një tendencë interesante për të adaptuar industri të caktuara në përgjigje të kërkesës së shtuar për produkte mjekësore ose të përdorimit për mbrojtje vetjake. Mjaft industri kanë filluar të adaptojnë proceset teknologjike në funksion të kërkesës së re.

A mund të kthehet Shqipëria në përfituese e krizës dhe cilët sektorë mund ta shfrytëzojnë situatën e re?

Çdo krizë ka problematikat e veta por edhe mundësitë për një rifillim ndyshe, i cili duhet të bazohet jo tek harresa dhe euforia e suksesit shëndetësor, por tek aftësia për të pranuar dobësitë dhe mangesitë. Një radiografi e thellë e sistemit tonë ekonomik është jo vetëm domosdoshmëri por një detyrim i atyre që na qeverisin.

Çdo sektor i ekonomisë duhet të analizohet me kujdes duke marrë jo vetëm të dhënat e sakta të impaktit gjatë periudhës së pandemisë, por edhe parashikimin e ecurisë së këthij sektori në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë. Në një këndvështrim të parë, rritja e zgjuar ekonomike duhet të mbështetet nga sektori i bujqësisë dhe agropërpunimit, turizmi dhe kulinaria, industria e lehtë, shërbimet dhe energjia e rinovueshme. Këto sektorë duhet të mbështeten nga zhvillimet më të fundit teknologjike dhe një model ndryshe i arsimimit, i cili do të garantonte zhvillimin e inovacionit dhe kërkimit shkencor.

Sipas jush çfarë mjetesh dhe politikash mbështetëse duhet të përdorë qeveria e Shqipërisë për të maksimizuar përfitimet që mund të gjenerojë kriza dhe post kriza Covid-19?

Me qëllim maksimalizimin e përfitimeve, që mund të gjenerojë kriza dhe post kriza Covid-19, qeveria shqiptare duhet menjëherë të shpejtojë hapjen e ekonomisë, financimin me instrumenta të ndryshëm financiare të sipërmarrjes me qëllim garantimin e likuiditetit të mjaftueshem. Në masë tjetër duhet të jetë edhe rishikimi i sistemit fiskal përsa i përket barrës fiskale dhe rregullave fiskale.

Gjithashtu, i rëndësishëm është fillimi i një reforme të prekshme në lidhje me lehtësimin e procedurave, që shteti ka ndaj sipërmarrjes dhe garantimi i sigurisë ligjore. E fundit por jo nga rëndësia është krijimi i një kulture dhe sistemi të dialogut biznes privat si një nga shtyllat bazë të një marrëdhënieje të besueshme dhe serioze.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of