Më shumë se 160 ish-udhëheqës dhe personalitete botërore, i kanë bërë thirrje Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera të pasura, që të transportojnë menjëherë me miliona vaksina të tepërta kundër Covid-19 drejt vendeve më pak të zhvilluara.
Ata thonë se do të ishte joetike që dozat të shpërdoroheshin, ndërkohë që me mijëra njerëz po vdesin nga virusi çdo ditë. Kjo thirrje zyrtare u organizua nga ish-kryeministri Gordon Brown.
Ai i drejtohet kryeministrit italian Mario Draghi, i cili do të mirëpresë grupin G20 në Romë, këtë fundjavë.
“Vendet kanë porositur doza të tepërta dhe nuk po i administrojnë vaksinat mjaft shpejt, kështu që shumë vaksina mund të skadojnë dhe të dalin jashtë përdorimit”, deklaroi Brown për BBC Breakfast.
Nënshkruesit e letrës përfshijnë 36 ish-presidentë, 30 ish-kryeministra dhe 100 personalitete të tjera me ndikim global.
Mes tyre është edhe ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Clark dhe ish-presidenti brazilian, Fernando Cardoso.
Megjithëse plot gjashtë miliardë doza vaksinash Covid-19 janë administruar në mbarë botën, 70% e tyre janë administruar nga vetëm disa shtete dhe vetëm 2% e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta kanë marrë një dozë të vetme vaksine.
Në letër thuhet se SHBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe dhe Kanadaja do të kenë plot 240 milionë vaksina të papërdorura deri në fund të këtij muaji, të cilat mund të transportohen menjëherë në vendet në nevojë.
Me miliona vaksina duhet të transferohen çdo muaj, duke arritur në 1.1 miliardë në katër muajt e ardhshëm, thuhet në deklaratë.
Nëse kjo arrihet, mund të përmbushet edhe objektivi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të vaksinohen 70% e të rriturve deri në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Pa një plan të hollësishëm, 100 milionë doza vaksinash do të kenë skaduar në fund të vitit”, thuhet në letër.
“Nëse nuk veprojmë shpejt, kjo shifër mund të arrijë në 200 milionë deri në fund të janarit 2022”.
Mbretëria e Bashkuar është zotuar të dhurojë më shumë se 100 milionë doza gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa SHBA-ja ka premtuar 500 milionë doza.
Në total, grupi G7 premtoi të dhurojë më shumë se 870 milionë doza në një samit në Mbretërinë e Bashkuar në qershor.
Ndërkohë, presidenti i Indonezisë, ku rreth 30% e popullsisë janë plotësisht të vaksinuar, u ka kërkuar gjithashtu vendeve më të pasura të dhurojnë dozat e tyre.
“Të gjithë kanë ndihmuar, por për mendimin tim kjo nuk mjafton”, tha Joko Widodo, për BBC.
“Në këtë kohë krize, vendet e zhvilluara duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar vendet e varfra, në mënyrë që të mund ta kapërcejmë këtë pandemi së bashku”./ BBC