Për 11 muajt e këtij viti, në buxhetin e shtetit janë arkëtuar rreth 383 miliardë lekë, me një rënie prej 9.1% në krahasim me faktin e të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Si rrjedhojë e krizës në ekonomi të shkaktuar nga pandemia, të ardhurat në buxhet janë 38 miliardë lekë, ose 310 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke shkaktuar një humbje që është e barabartë me të ardhurat mujore të një viti të zakonshëm.
Në nëntor, të ardhurat në buxhet ishin 35.5 miliardë lekë, në rënie nga 39 miliardë lekë që u mblodhën në tetor, duke sinjalizuar për një përkeqësim të aktivitetit ekonomik me ardhjen e dimrit dhe për një frenim të konsumit.
Rënien më të lartë për 11 mujorin e shënoi tatimi mbi të ardhurat personale që u tkurr me 29% (-12.4 miliardë lekë). Këtu ndikon edhe fakti që vitin e kaluar ky zë shënoi rritje të pazakontë për shkak të stimulit të uljes së tatimit të dividendit në 8% me efekt prapaveprues dhe për vitet e mëparshme.
Më pas vjen tatimi mbi fitimit, të ardhurat e të cilit ranë me 24% (-7.9 miliardë lekë), teksa për shumë kompani këstet e tatim fitimit janë shtyrë, si një stimul pas krizës ekonomike.
TVSH-ja ka ngadalësuar ritmet e rënies, duke u tkurrur me 11.1%, ose 7.1 miliardë lekë më pak.
Është ngadalësuar rënie edhe e të ardhurave të pushtetit vendor, që janë tkurrur me 9.1% me bazë vjetore për 11 mujorin. Taksa mbi pasurinë ka rënë me 2.9%, ndërsa ato lokalet me 11.3%.
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore kanë shënuar një rënie minimale prej 1.3% (-0.9 miliardë lekë), në një sinjal që kriza e punës ka prekur më shumë të vetëpunësuar dhe ata me paga të ulëta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.