Situata e krijuar nga koronavirusi si dhe masat e ndërrmara për parandalimin e tij ndër të tjera kanë goditur edhe institucionet e artit dhe kulturës në vendin tonë.
Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti vizitat në institucionet e trashëgimisë kulturore u lejuan me kufizime sipas udhëzimeve përkatëse si dhe me kufizim orari në kohën e funksionimit të zonave të kuqe dhe të gjelbra.
Numri i vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore, në tremujorin e dytë 2020 është 11.081 vizitorë, ku 10.559 janë vizitorë vendas dhe 522 janë vizitorë të huaj. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar numri i vizitorëve ka rënë me 96,6 për qind.
Më të frekuentuara janë parqet arkeologjike, me 46,9 % të vizitorëve gjithsej. Ndjekur më pas nga kalatë e monumente të tjera me 30,7 % dhe muzetë me 22,4 % të vizitorëve gjithsej.
Vizitorët e huaj kanë preferuar më shumë muzetë në tremujorin e dytë, ndjekur më pas nga kalatë me 41,2 % dhe monumente të tjera me 37,5 %, ndaj totalit të vizitorëve të huaj.
Për shkak të masave kufizuese edhe numri i shfaqjeve dhe premierave ka rënë ndjeshëm,, me gati 88% më pak krahasuar me tremujroin e dytë të vitit të kaluar. Por ndryshe nga viti i kaluar shfaqjet dhe premierat gjatë këtij tremujori të dytë janë organizuar të gjitha online, pa spektatorë fizikë.
Gjatë tremujorit të dytë 2020, janë organizuar 45 shfaqje dhe premiera online, 31 shfaqje në Teatrin Kombëtar Popullor dhe 6 shfaqje në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Premiera online janë organizuar 8, të gjitha në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Edhe numri i frekuentuesve në Bibloteken Kombëtare si dhe numri i titujve të rinj kanë rënë në mënyrë drastike, me gati 100 për qind (99,7%) frekuentuesit dhe me 76,5% titujt e rinj.
Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, numri i shërbimeve të njësive bibliotekare është 182, ndërkohë numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare është 91. Gjatë këtij tremujori janë afishuar 262 tituj të rinj dhe 1.220 ekzemplarë të rinj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.