Në javën e fundit kemi një rëndim të lehtë të situatës së koronavirusit në vend, deklaroi kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ndërsa shtoi se universitetet do të vijojnë mësimin në distancë deri në një urdhër të dytë.
Rakacolli bëri thirrje që qytetarët të tregohen të përgjegjshëm dhe të respektojnë masat e marra, pasi beteja me virusin është e të gjithëve.
“Kemi një rëndim të lehtë të situatës, por situata mbetet tejet e kontrolluar si në drejtim të testimeve ashtu dhe në drejtim të menaxhimit të rasteve të cilët kanë nevojë për trajtime më të specializuara qoftë në banesë qoftë në spitale. Komiteti teknik për ti paraprirë rëndimit të situatës, mendon që mësimi në universitete do të vijojë online në një periudhë të pacaktuar. Masa të tjera do të marrim në varësi të zhvillimeve ditore dhe analizave javore që ne bëjmë. Beteja me Covidin është betejë territori, jo vetëm betejë e sistemeve spitalore”.
Në dy javët e fundit më të prekurat nga virusi rezultojnë femrat, ndërsa incidenca është rritur me 301 persona për 100 mijë banorë.
“Situata paraqitet në një nivel risku të shtuar, për shkak të rritjes së rasteve pozitive ditore, dhe me rritjen e incidencës 14 ditore. Incidenca 14 ditore rezulton e rritur me 301 persona për 100 mijë banorë. Mesatarja ditore e rasteve pozitive është 704 për javën që lamë pas. Raporti i vdekjeve me rastet pozitive është 2.1% gjatë kësaj jave. Kemi femrat të prekura me 52% dhe meshkujt me 48%. Mosha më të prekura janë 65-74. Në grup-moshën e fëmijëve 0-4 nuk kemi ndryshime, për moshat 5-14 është e njëjta situatë.
Numri i testimeve për persona është trageti 1 për 1000 banorë në javë, kemi kaluar në 5.8 për 1000 banorë. Kjo situatë kërkon më shumë se çdo gjë tjetër bashkëpunimin e autoriteteve shëndetësore me qytetarë. Të mbahen maskat, distancimin, mos-grumbullimin dhe mbi të gjitha të bazohemi në informacion që vjen në autoritetet shëndetësore”, deklaroi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Albana Fico.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.