Credins do të zgjerohet dhe në Kosovë

09/04/2019 4:45 PM 0 komente

Rritja e mëtejshme e kredidhënies, në linjë me zhvillimin e sektorëve strategjikë, si turizëm apo bujqësi, dhe mbajtja nën kontroll e një cilësie të mirë të portofolit aktual të kredisë, do të jenë sfidat e mëtejshme të bankave, të cilat do të ndikohen nga shumë faktorë ekonomikë dhe politikë në vend.

 

Flet Maltin Korkuti, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Credins

 

Si e vlerësoni ecurinë e bankës suaj në vitin 2018?

Viti 2018 shënoi të tjera arritje dhe rezultate pozitive të qëndrueshme për Credins Bank. Banka forcoi pozicionin e saj në tregun bankar, duke u renditur e dyta në kredidhënie dhe e treta në depozita dhe aktive.

Credins Bank zgjeroi gamën e shërbimeve dhe produkteve duke ju shërbyer klientëve anembanë vendit nëpërmjet 59 degëve dhe agjencive. Portofoli i produkteve u zhvillua dhe u pasurua më tej, duke mbuluar 3600 nevojat financiare të çdo klienti individ, biznes apo institucion.

Besueshmëria dhe besnikëria e klientëve u demonstrua në një rritje të kënaqshme prej 11% të depozitave, duke u pozicionuar në 14.25% të totalit të sistemit bankar. Credins Bank vazhdoi të financojë nevojat e bizneseve dhe individëve, klientë ekzistues apo të rinj, duke mbajtur pozicionin e saj si banka e dytë në treg në kredidhënie.

Disa nga arritjet kryesore të Credins Bank për 2018 për t’u theksuar janë:

– Credins Bank afirmoi pozicionin e vet si zgjedhja e parë e klientëve, nëpërmjet një shërbimi mjaft cilësor, profesional dhe efikas ku kujdesi ndaj klientit është prioriteti ynë kryesor. Numri i klientëve u rrit me 10% dhe sot Credins u shërben më shumë se 283,000 klientëve.

– Banka u erdhi më afër klientëve me shumëllojshmëri zgjedhjesh të kartave të debitit dhe kreditit Mastercard dhe VISA në Euro dhe USD, duke plotësuar dhe duke zgjeruar më tej përfitimet e tyre nëpërmjet kartës Mastercard World. Credins Bank pati një rritje prej 21.4% në totalin e kartave të reja, duke rritur ndjeshëm gjithashtu numrin dhe volumin e transaksioneve me karta. Klientët e Credins Bank përfituan nga ofrimi i shërbimit të pagesave dhe në sportele shtesë të AK Invest dhe Posta Shqiptare, bashkëpunim i cili u konsolidua ndjeshëm gjatë 2018. Dega “Mobile” do të jetë një risi për tregun shqiptar që do nisë shërbimin e vet lëvizës në çdo skaj të
vendit në 2019, duke mbështetur klientët agro, duke qenë i pranishëm kudo.

– Banka përmirësoi ndjeshëm infrastrukturën e sistemeve të IT-së. Platforma jonë dixhitale Credins Online erdhi më afër klientëve, më e thjeshtë në përdorim dhe e pasur në funksionalitete për çdo individ që ka një smartphone. Credins Bank finalizoi me sukses marrjen e licencës së Brokerit nga AMF, proces i cili ka dhënë rezultate të kënaqshme gjatë 2018, duke shtuar mundësitë për investime të klientëve në tituj dhe letra me vlerë.

– Credins Bank vazhdon angazhimin, duke mbështetur nisma dhe projekte sociale, duke qenë një nga kontribuuesit kryesorë në fushën e përgjegjësisë sociale në të gjitha aspektet si institucionale, kulturore, infrastrukturore etj., proces i cili ka afirmuar më tej imazhin e bankës sonë si Banka e të gjithë Shqiptarëve.

Cilat janë pritshmëritë për 2019?

Credins Bank do të vazhdojë investimet për rritjen dhe zgjerimin e aktivitetit, duke zgjeruar bazën e klientëve dhe duke financuar biznesin vendas në sektorët strategjikë të zhvillimit të ekonomisë siç është bujqësia. Ne do të shtojmë gamën e shërbimeve dhe produkteve të reja për klientët tanë, si dhe do të lehtësojmë aksesin dhe përdorimin përmes një përvoje unike dhe të kudogjendur dixhitale në smartphone, tablet, internet dhe degët tona. Disa nga planet konkrete në mbështetje të strategjisë janë:

– Credins Bank do të vazhdojë investimet për zgjerimin e shërbimeve dixhitale, duke qenë më pranë klientëve aty ku ndodhen, në çdo kohë e në çdo vend. Projektet ambicioze janë në proces për një Credins Online të gjithëpërdorshëm, duke i dhënë mundësi çdo klienti për të pasur bankën me vete në shtëpi, punë, apo kudo ku ndodhet. Përsosmëria e vazhdueshme e shërbimit dixhital të shpejtë, të sigurt, me përpunim të informacionit me konfidencialitet në kohë reale janë sfidat dhe ambiciet tona për këtë vit.

– Transformimi i plotë i degëve aktuale të bankës drejt një sporteli DIXHITAL, ku klienti finalizon me sukses, shpejt dhe thjesht çdo transaksion bankar, do të jetë gjithashtu realiteti i prekshëm në Credins Bank. Në asnjë moment, klienti nuk do të ndihet vetëm, por do të jetë i asistuar nga stafet e specializuara të bankës. Credins Online do të jetë një përvojë ku çdo klient do të shijojë kënaqësinë e përdorimit të shërbimeve bankare.

– Pas 16 viteve eksperience të suksesshme në tregun shqiptar dhe një pozicionimi lider, Credins Bank ka vendosur të ndërmarrë një tjetër sfidë, duke e shtrirë aktivitetin edhe në Kosovë në 2019-n. Credins Bank zotëron gjithë ekspertizën e nevojshme në burime njerëzore, infrastrukturë, teknologji dhe bashkëpunim me bizneset, individët dhe institucionet, çka na bën konfidentë në suksesin e zgjerimit në rajon. Klientët shqiptarë të Credins Bank, që operojnë në Kosovë dhe anasjelltas, do të kenë mjaft përfitime në kohë, kosto dhe marrëdhënie të personalizuara me stafin.

– Banka është në pritje të marrë licencën nga AMF për Depozitarin, projekt i cili do të kontribuojë dhe më shumë në rezultatet e bankës për 2019.

– Credins Bank do të vlerësojë çdo klient besnik të bankës, duke u ofruar përfitime shtesë përmes skemës së besueshmërisë, që pritet të finalizohet gjatë 2019-s, që është një tjetër investim i konsiderueshëm në teknologjinë e informacionit.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektive e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?

Paketa e masave që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë ka shërbyer për të frenuar procesin e euroizimit, gjithsesi, nuk kanë pasur efekt të menjëhershëm dhe dhënia e një vlerësimi ndoshta është i parakohshëm dhe pritet për t’u riparë në vazhdimësi. Përdorimi i Euros në vend mbetet ende i lartë dhe kërkohet një ndërveprim më aktiv i gjithë sistemit ekonomik dhe financiar, për të rritur përdorimin e monedhës vendase në ekonomi, edukim i vazhdueshëm i klientëve për rreziqet nga kurset e këmbimit nëpërmjet një procesi transparent informimi, ulje e informalitetit etj. Rritja e depozitave në Euro u ndikua dhe nga fluksi i madh i turistëve që hynë gjatë 2018, gjithsesi, totali i depozitave në valutë, përkundrejt totalit të depozitave, mbetet në linjë me trendin historik (53%).

– Credins Bank ka ndjekur këtë plan masash duke ulur gradualisht normat e interesit të depozitave në EUR, duke balancuar tërheqjen e fondeve në monedha specifike dhe dhënien e huasë në këto monedha, si dhe duke këshilluar klientët për të shmangur riskun e kursit të këmbimit, duke marrë financime në të njëjtën monedhë me të ardhurat e tyre, nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm dhe transparent informues. Masat dhe politikat e ndërmarra reflektojnë një nivel më të ulët të këtij ekspozimi për Credins Bank, përkundrejt sistemit bankar vendas.

EUR është zhvlerësuar ndjeshëm në dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?

Masat e ndërmarra kanë çuar gradualisht në ulje të interesit të depozitave në Euro dhe rritje të kursimeve në lekë (duke e forcuar lekun) për t’u investuar në depozita apo letra me vlerë të qeverisë. Zhvlerësimi i Euros gjatë 2018 reflekton disa zhvillime specifike të situatës në vend, siç është konvertimi i kapitalit të disa bankave apo disbursimi dhe konvertimi i një kredie të madhe të BERZH-it etj. Këta faktorë ndikuan në një zhbalancim të kërkesës dhe ofertës për valutë në vend. Parashikimet janë për një stabilitet aktual të kursit.

Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave ka zbritur në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?

Konsolidimi i bankave është një proces që po ndodh, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon. Ky proces ishte i pritshëm, për shkak të numrit të lartë të bankave që operonin në një vend me ekonomi modeste. Konsolidimi i bankave do të rrisë më shumë konkurrencën për një shërbim më cilësor dhe mund të shtyjë drejt specializimit të bankave në shërbime specifike për grupe të caktuar klientësh, ose linja të caktuara produktesh.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Sfidat me të cilat do të përballen bankat do të jetë transformimi i vazhdueshëm nga një banking tradicional në një banking dixhital në linje me trendin global të evolucionit teknologjik dhe sjelljes së konsumatorit, i cili duhet të shoqërohet me ndryshime të rëndësishme të kuadrit legjislativ dhe rregullator. Investimet në teknologji pritet të jenë të konsiderueshme në periudhat afatshkurtër / afatmesme, ndërkohë, kthimi nga ky investim do të jetë më afatgjatë.

– Rritja e konkurrencës midis bankave për shërbime dhe produkte të reja do të nxisin bankat për t’u paraprirë zhvillimeve në treg, duke kërkuar më shumë partnerë dhe forma të reja për bashkëpunime dhe produkte atraktive dhe duke shtuar kanalet online të shitjes.

– Rritja e mëtejshme e kredidhënies në linjë me zhvillimin e sektorëve strategjikë si turizëm apo bujqësi dhe mbajtja nën kontroll e një cilësie të mirë të portofolit aktual të kredisë, do të jenë sfidat e mëtejshme të bankave, të cilat do të ndikohen nga shumë faktorë ekonomikë e politikë në vend.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of