CV e së ardhmes? Anonime

28/12/2020 5:16 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Çfarë informacionesh mund të mos shkruani kur dërgoni një CV për një ofertë pune? Thuhet që “less is more” dhe në Finlandë, thjeshtimi është çuar në ekstrem, me një propozim radikal që duket se mund të funksionojë – përzgjedhja anonime.

Pranverën e shkuar, qyteti i Helsinkit nisi me sukses një program pilot që parashikon, pikërisht, eliminimin e të dhënave si emri, mosha, gjinia nga dokumentet që kandidatët duhet t’u dërgojnë Departamenteve të Burimeve Njerëzore. Para se të zgjedhin apo të caktojnë një intervistë pune, rekrutuesit gjenden përballë vetëm një renditje aftësisht dhe një kodi identifikues me katër shifra.

Projekti i Helsinkit ka çuar deri më tani në 41 punësime të reja në 12 sektorë, kryesisht në arsim, por edhe në shëndetësi, shërbimet sociale dhe transportin publik. Eksperimenti do të duhej të mbyllej në fund të vitit, por rezultatet kanë qenë kaq të mira, sa autoritetet e qytetit vendosën ta vazhdojnë edhe për gjithë 2021.

“Një nga drejtuesit tanë të Burimeve Njerëzore bëri të ditur se nuk ishte i sigurt nëse donte të vazhdonte me procedurat ‘normale’ të rekrutimit pas eksperimentit” – deklaroi për televizionin shtetëror, Yle Aino Lääkkölä-Pyykönen, përgjegjëse e personelit për Bashkinë e Helsinkit.

Të parët që u befasuan pas skepticizmit në fillim, ishin vetë drejtuesit e burimeve njerëzore. “Kam marrë një listë me kandidatë të identifikuar thjesht me një numër dhe m’u desh të vendos se cilin prej tyre të thërres në një intervistë pune mbi bazën e informacioneve në CV” – shpjegoi një nga përgjegjëset, Anna-Mari Rouru. Me sistemin e rekrutimit anonim, rekrutuesit kuptuan shumë shpejt se është e nevojshme t’i kushtohet vëmendje e madhe korrespondencës midis asaj që kërkohet nga roli dhe aftësive të renditura nga kandidatët.

“Më parë ishte tendenca për të thirrur në një intervistë pune më shumë persona. Tani, me këtë sistem, duke mos njohur asnjë detaj personal të kandidatëve, na u desh të përqendroheshim ekskluzivisht vetëm tek kualifikimet dhe përvojat e tyre dhe të përzgjidhnim vetëm ata me profile më të përshtatshme”.

Për Rouru, “kur karakteristikat e punës në përkufizohen në mënyrë të saktë, është e mundur që kandidatët të jenë ende në gjendje, me një intervistë brilante, të fitojnë vendin e punës edhe pa pasur përvojë specifike në sektor. Megjithatë, me rekrutimin anonim, kjo nuk është e mundur. Vetëm më të mirët thirren në intervistë”.

Anonimati ndihmon ndër të tjera, në shmangien e diskriminimit për moshën dhe gjininë, dy aspektet që janë hequr më shpesh nga aplikimet për zgjedhjet në Finlandë. Një studim i fundit nga Instituti për Shëndetin në Punë i vendit zbuloi se 11% e punonjësve u përballën me diskriminim në proceset e përzgjedhjes së kompanive për të cilat punojnë, kryesisht në bazë të gjinisë, përkatësisë etnike ose kombësisë.

A do të jetë e ardhmja e Burimeve Njerëzore e mbështetur tek anonimati? Në Finlandë, ky trend duket se ka nisur – administrata të ndryshme lokale kanë filluar eksperimentime të ngjashme me atë të Bashkisë së Helsinkit dhe platforma për kërkim pune për sektorin publik, Kuntarekry, ka aktivizuar së fundi një seksion të dedikuar.

Pengesa kryesore duket se janë sistemet informatike – pjesa më e madhe e tyre aktualisht në përdorim nuk i mbështesin kandidaturat anonime, por qëllimi i autoriteteve finlandeze është të vijojnë në këtë rrugë.

Burimi: Business Insider

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of