Pesë depozita karburanti, ndërtesa dhe toka të tjera në Shëngjin, kanë dalë në shitje në ankand nga Studio Justitia.
Këto janë pasuri që BKT i ka sekuestruar kompanisë Bolunmez Petrol, për dy kredi të papaguara, që në total arrijnë në rreth 11 milionë dollarë.
Pasuria më e vlefshme është ajo ku përfshihen dhe pesë depozita karburanti (Pasuri e paluajtshme Are+Truall+Ndertese, me Sipërfaqe Are 10,500 m2, me Sipërfaqe Truall 4,998 m2, me Sipërfaqe Ndërtese 915.2 m2, (në sipërfaqen e ndërtesës përfshihet sipërfaqja e pesë depozitave të karburantit, si dhe tubacione për furnizim karburanti.) me Numër Pasurie 28/33, e ndodhur në Zonën Kadastrale Nr.1987, Vol.IS, Fq.102, me adrese në: Lezhë, Ishull, Shëngjin/ Pasuri e paluajtshme Are + Truall + Ndërtese, me Sipërfaqe Are 19,500 m2, me Sipërfaqe Truall 4,998m2, me Sipërfaqe Ndërtese 915.2 m2, Gane të përfshira sipërfaqet e pesë depozitave të karburantit, një depozitë uji, një depozitë dekantimi, si dhe tubacione për furnizim karburanti. Gjithashtu është përfshirë dhe godina që shërben për zyra, sipërfaqe ndërtimi 1,256.7 m2) me Numër Pasurie 28/32, e ndodhur në Zonën Kadastrale Nr.1987, Vol.15, Faqe 101, me adresë në: Lezhë, Ishull, Shëngjin, e kufizuar nga: Veriu me pasurinë Nr.28/31, Jugu me pasurinë Nr.28/32, Lindja me pasurinë Nr.28/29-42, Perëndimi me pasurinë Nr.28/30-24,).
Këto dy pasuri janë vlerësuar me 1.56 miliardë lekë (rreth 11.4 milionë euro) dhe në ankandin e parë do të dalin në shitje për 80% të vlerës, pra 1.25 mld lekë (rreth 9.1 milionë euro).
Pasuritë e tjera kanë dalë në shitje me një vlerë fillestare ankandi prej rreth 1.7 milionë euro. Në total çmimi fillestar i shitjes së të gjitha pasurive është rreth 11 milionë euro.
Ankandi zhvillohet në datën 27 shkurt, në orën 16.30, në zyrën e përmbaruesit gjyqësor.
Kredia e pakthyer
Bolunmez Petrol, me aktivitet në fushën e naftës, që zotëronte depozitat e karburantit në Shëngjin, ka marrë fillimisht një kredi prej rreth 2.4 milionë dollarë në qershor 2014 dhe më pas një kredi në janar 2016 , prej rreth 8.5 milionë dollarë. Për të dyja kreditë ka hyrë dorëzanës edhe kompania ORYAP ORM.INS.SAN.VE.TIC.
Mosshlyerja e kredive ka detyruar BKT-në që në nga tetori 2016 të çojë çështjen në përmbarim dhe të kërkojë ekzekutimin e pronave të shumta që janë vënë në hipotekë.
Nga raporti rezulton se të gjitha pronat janë braktisur. “Në datën 19.01.2017 njoftohemi nga pala kreditore, që pronat janë braktisur nga pala debitorë dhe nga shoqëria private e rojeve e kontraktuar nga pala debitorë, duke mos u kujdesur për pronat e hipotekuara në favor të palës kreditore të cilat janë objekt i ekzekutimit. Ky fakt u konstatua në vend nga përmbaruesi gjyqësor në favor të palës kreditore dhe forcave të rendit, ku u konstatua se pronat nuk ishin në punë, duke mos pasur asnjë gjendje inventari dhe nuk kishte energji elektrike, duke mos realizuar të ardhura. Të gjitha dyert e objektit janë të mbyllura, të cilat u vulosën dhe me vulën përmbarimore”, thuhet në raportin e kompanisë përmbarimore Justicia.
Për këtë arsye, përmbaruesi ka vendosur caktimin e një kompanie sigurie (Octapus Security) për të ruajtur pronat.
Pronat e vëna në hipotekë janë pesë depozita karburanti në Shëngjin, një depozitë uji, një depozitë dekantimi, tubacione nafte, si dhe truall e ndërtesa, të gjitha në Shëngjin.
Bolunmez Petrol është hapur në fund të vitit 2013, si shoqëri aksionare me aktivitet në tregtimin e hidrokarbureve, me zyra në Shëngjin dhe aksioner Mehmet Murat Bolunmez. Kompania, sipas ekstraktit në QKB ka si objekt kryesor të aktivitetit krijimin, instalimin dhe vënien në shfrytëzim sipas kushteve teknike, të pajisjeve, impianteve, stacioneve, reparteve dhe linjave të ushtrimit dhe tregtimit të hidrokarbureve brenda dhe jashtë vendi. Kompania Bolunmez Petrol ka parë një rritje të të ardhurave në 1.6 miliardë lekë në 2015-n, nga 330 milionë lekë në 2014-n, duke u renditur ndër 200 kompanitë më të madhe në vend (e 154-a).Pavarësisht rritjes së shpejtë në 2015-n, viti 2016 ka qenë problematik për kompaninë. Në fund të tetorit të vitit të kaluar BKT filloi marrjen e masave, duke e çuar çështjen në përmbarim dhe duke kërkuar vënien e sekuestros konservative në aktivitetet e palës debitore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.