Dallgët që kërcënojnë turizmin

26/06/2019 4:43 PM 0 komente

Shqipëria është përgatitur që këtë vit të presë 6.6 milionë turistë. Kjo është shifra zyrtare, larg optimizmit fillestar, i zbehur nën dallgën e përplasjeve politike që kanë alarmuar agjencitë e huaja. Teksa turistët gjermanë, polakë, i gjejmë duke u relaksuar në Golem dhe mirëkuptues për situatën e përgjithshme, bizneset e hotelerisë shprehen të shqetësuar për perspektivën në vitin 2020. Ulja e rezervimeve do të ishte fatale për investimet miliona euroshe të tyre. Polakët konfirmojnë se ka tkurrje të numrit të rezervimeve në raport me 2018, për shkak se Greqia dhe Turqia po ofrojnë paketa më konkurruese. Dallga e fundit që mund të godasë turizmin në vend është humbja e origjinalitetit dhe mosreflektimi mbi problematikat e infrastrukturës dhe shërbimit. Rusia po përgatit një paketë të dedikuar për Shqipërinë, por a do të arrijmë t’i përmbushim pritshmëritë?

 

Nga Nertila Maho

 

Sabine dhe Klaus Welz

Ishin vitet ’80, kur Sabine dhe Klaus Welz, nga Freiburg i Gjermanisë zgjidhnin Korfuzin si një destinacion pushimesh. I pëlqente klima dhe atmosfera mesdhetare, por përballë tyre qëndronte misteri i vërtetë që iu grishte kuriozitetin. Dinin që ishte një vend ku ata e kishin të ndaluar të shkelnin.

Për vite të tëra, mund ta shquanin së largu, sot kanë ardhur ta vizitojnë si turistë. Ndoshta do të kishin ardhur më herët, por historia nuk ka qenë shumë bujare vit pas viti, pas ndryshimit të regjimit dhe tek-tuk ka dalë gjithmonë ndonjë problem në horizont për vendin e vogël në tranzicion të zgjatur.

I gjejmë tek relaksohen në Beach Barin (lokalin e plazhit) të Harmonia AS Hotel. Sapo kanë mbyllur turin e tyre në Shkodër. “Kemi qenë gjithmonë kureshtarë që të vinim në Shqipëri, pasi disa herë kemi bërë pushimet në Korfuz. Në atë kohë nuk dinim si të vinim. Ishte mister, pasi njihen si një vend nën një regjim diktatorial dhe tërësisht i izoluar. Rastësisht pamë ofertën e pushimeve për në Shqipëri në një revistë dhe menduam që ky ishte shansi për ta vizituar. Përgjithësisht, na ka pëlqyer Shqipëria me kaq sa kemi parë, por ka edhe shumë aspekte që ndoshta do të duhet t’i shihni me kujdes. Për shembull, nuk na pëlqejnë ndërtesat e shumta në një zonë si kjo, turistike dhe buzë detit, ku një pjesë janë në gjendje të keqe, ndërkohë që ju vazhdoni ende ndërtoni në po këtë zonë. Këtu plehrat gjenden vend e pavend”, tregojnë ata. Ata kanë mbërritur para pak ditësh dhe kanë mundur të shohin vetëm Durrësin, kantinën “Skënderbeu” që u ka pëlqyer, si dhe Shkodrën.

Ata shprehen se hoteli ku po qëndrojnë u duket i mirë nga kushtet por shërbimi është ende larg nivelit që ka shërbimi në vendet e Perëndimit. “Para se të niseshim, vendosëm që të merrnim një lloj përshtypjeje nga website-t ku raportojnë turistët. Kemi parë komente nga më të ndryshmet. Sigurisht, kishim një lloj paragjykimi për atë që do të gjenim, por për fat të mirë jemi befasuar pozitivisht”. Kur i pyesim nëse do t’ua rekomandonin të afërmve që të vizitonin Shqipërinë, konfirmojnë se po.

“Sigurisht që do ta rekomandoj, sepse kemi kontakte dhe një pjesë e tyre kanë po atë interesin e mistershëm për Shqipërinë, por po ashtu do t’iu themi që jeni edhe në fillimet e turizmit, në mënyrë që ta dinë”, thekson Klaus. Sipas tij, Shqipëria të lë përshtypjen tipike të vendeve të ish-Bllokut me shumë aspekte, sidomos te cilësia e bufesë ku serviren ushqimet e vaktit. “Ne i kemi vizituar këto vende të ish-Bashkimit Sovjetik fiks në kohën kur kthyen sytë nga turizmi dhe gjejmë shumë ngjashmëri me atë që përfaqësoni ju sot. Nëse do të kthehemi apo jo në Shqipëri, nuk jemi të sigurt, por ndoshta po dhe këtë herë duam që të shkojmë në Jug të vendit, për të cilin kemi dëgjuar shumë”, – shprehet Sabine.

 

Lehr Norbert

“Shqipëria të ruajë origjinalitetin, është avantazhi i saj”

Lehr Norbert ka vizituar 100 shtete gjatë jetës së tij. Kjo e bën qasjen e tij ndaj Shqipërisë edhe më pozitive kur shprehet se të huajt duhet t’i japin kohë për t’u zhvilluar. “Kam udhëtuar që i ri dhe i kam rënë botës të paktën pesë herë.

Udhëtimi im më i fundit ka zgjatur 14 muaj, çka mbyll ciklin e pestë që i kam rënë rrotull botës. Për herë të parë, kur doja të vija në Shqipëri, ka qenë kur ju ishit ende në diktaturë. Arrita deri në Pejë dhe doja të kaloja edhe këtej. Por më thanë që ishte e pamundur ta vizitoja, për shkak të regjimit. Kam qenë gjithmonë kureshtar për atë çfarë ndodh me vendet që kanë qenë nën regjime diktatoriale.

Para 10 ditësh isha në Armeni dhe Ukrainë, po për të njëjtën arsye. Por Shqipëria cilësohet si një rast ekstrem diktatorial, edhe në raport me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe për këtë, kureshtja është më e madhe. Shoh që ka nisur të ndryshojë”, shprehet Norbert. Ai thekson se Shqipëria në këtë vrull të ndryshimit duhet të tregohet e zgjuar dhe të ruajë origjinalitetin e saj. Nuk duhet të kopjojë çdo gjë të Perëndimit pasi jo çdo gjë që shndrit është ar”, thotë ai. Teksa e pyesim për bregdetin dhe si i duket Durrësi, ai nënvizon se fillimisht para se të vinte këtu, ka hasur plot paragjykime për vendin tonë, por në fakt ka gjetur krejt të kundërtën.

“Unë kam udhëtuar shumë dhe kjo më ka dhënë mundësinë të shoh shumë. Ndaj nuk jam një njeri që paragjykoj apo arrij në konkluzione menjëherë. Mund të them se jam i kënaqur me shërbimin dhe me atë që kam gjetur. Shqipëria ka nevojë për kohë, ashtu sikurse vende të tjera që kanë kaluar një cikël të vështirë politik. Për shembull, gruaja ime është nga Filipinet dhe e njoh mirë historinë e tyre. Në një moment, në vitin 1986, diktatori Ferdinand Emmanuel Edralin Marcos u arratis në Hawaii, pasi pati frikën e zemëratës popullore që po rritej. Dokumentet e mëvonshme treguan se ai i vodhi shtetit 10 miliardë dollarë. Në atë kohë, shumë do të pyesnin një predikues popullor në vend a ishte ky shpëtimi dhe a do të ndryshonte tashmë fati i Filipineve. Ai ju përgjigj: çfarë vlerë ka kur ka ikur Ali Baba, por 40 hajdutët i kemi këtu mes nesh. Edhe në Shqipëri është e njëjta situatë.

Ju jeni pa Ali Babën por 40 hajdutët i keni mes jush. Do t’ju duhen një po dy gjenerata të tjera që politika të ndryshojë dhe të pastrohet sistemi i hajdutëve. Edhe ne si Gjermani, pas Luftës së Dytë Botërore, na është dashur kohë që të pastronim sistemin tonë nga ato gjenerata. Jam lindur në vitin 1940 dhe kam parë çfarë ka ndodhur. Gjithsesi, koha është e vetmja për të cilën duhet t’ju mirëkuptojnë. Për të ardhur në Shqipëri, ne paguajmë shumë pak dhe e dimë se çfarë do të gjejmë. Kush kërkon të shkojë në Karaibe, duhet të paguajë si Karaibet dhe të shërbehet si aty”, nënvizon Norbert teksa po shijon një birrë shqiptare.

 

Turistët buxhetorë vijnë se jemi të lirë, çfarë preferojnë, vështirësia për staf

Një pjesë e mirë e hoteleve në Golem janë gjallëruar që në fillim të majit me ardhjen e turistëve të parë nordikë, çekë, polakë dhe gjermanë. Të vendosur në disa prej strukturave akomoduese që kanë nisur bashkëpunimet dhe kontratat prej të paktën katër vitesh, tashmë paketat vetëm sa konsolidohen. Sokol Hoxha, nga Shkodra Travel, të cilin e gjejmë mes turistëve në Golem, na tregon se Shqipëria avantazh kryesor ka çmimet e lira.

“Turistët buxhetorë që na vizitojnë nuk vijnë për bukuritë e Shqipërisë si prioritet, por sepse jemi të lirë. Një paketë ‘all inclusive’ varion mes 40-50 euro dita për person, çka na kategorizon te vendet ekonomike. Gjithsesi ka edhe tregje që paguajnë më shumë dhe për të cilët po përshtaten edhe strukturat akomoduese.

Ne po ndërtojmë një hotel të ri me 96 dhoma, me pesë yje, që do të ketë 80 të punësuar. Shtimi i strukturave akomoduese vjen në kushtet kur ka gjithmonë e më shumë kërkesë nga Ukraina, Bjellorusia dhe Rusia, ndërkohë që ata që dominojnë janë polakët”, – tregon Hoxha. Sipas tij, grupi i gjermanëve vijnë gjatë gjithë vitit, madje më pak në verë se janë të interesuar për pjesën kulturore. Parapëlqejnë paketat e plota 7 ditore që nis me Shkodrën vazhdojnë me Durrësin, Beratin, Vlorën.

Shqipëria, kur vjen puna te nxitja e turizmit, has me një konkurrencë agresive nga ana e vendeve fqinje. Të çosh një charter me turistë në Turqi, shteti të subvencionon 8000 dollarë, pohon Sokoli. Edhe vende të tjera fqinje aplikojnë disa lloj subvencionesh, ndërsa vendi ynë nuk ka një skemë të tillë. E sikur të mos mjaftonin problematikat e jashtme me konkurrencën e fortë rajonale dhe ato të brendshme me infrastrukturën, sipas Hoxhës, sot po bëhet e vështirë për të gjetur edhe punonjës në sektor.

“Gjetja e punonjësve në këtë sektor është shumë e vështirë. Edhe nëse i gjen duhet t’i trajnosh tre muaj dhe kur janë gati, thjesht largohen qoftë dhe për një sezon për disa të ardhura më shumë nga konkurrenti. Më të vështirë po e bën këtë situatë emigracioni. Ndërkohë nën presionin e largimit të punonjësve, pagat kanë shënuar rritje, që u reflektua sidomos verën e shkuar me një mesatare 35-40 mijë lekë”, – shprehet Hoxha. Gjithsesi, sipas tij, edhe për këtë vit stafi është i plotësuar. Në fakt, këtë e vë re që në hyrje të hotelit, ku të presin dy vajza të buzëqeshura dhe me uniformë për të të thënë sesi mund të të ndihmojnë.

Teksa jemi duke parë hotelin pranë recepsionit, takojmë Stefaninë, një tjetër turiste gjermane që po porosit peshqirin që do të marrë me vete pranë shelzong. Na sqaron se ka mbërritur në Shqipëri të dielën dhe do të qëndrojë shtatë ditë. “Shqipëria, deri tani, më është dukur e bukur. Edhe hoteli është mirë. Zgjodhëm Shqipërinë prej nostalgjisë së tim shoqi, i cili 19 vjet më parë ka vizituar Veriun e vendit. Ai flet i mrekulluar për atë pjesë, ndaj këtë herë vendosëm të provonim diçka tjetër. Morëm me qira një makinë dhe vizituam Krujën, na bëri shumë përshtypje. Shumë e bukur”, na tregon Stefani.

Në hotel mund të takosh pafund turistë. I tillë është edhe Darek, i cili me një anglishte modeste na sqaron se është nga Polonia dhe se në çdo katër fjalë njëra është “beautiful” (bukur) për Shqipërinë. “Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jemi një grup me 11 veta që do të qëndrojmë 7 ditë. Jam i mrekulluar nga Shqipëria, është një vend kaq i këndshëm edhe Golemi. Kam qenë në Greqi dhe Turqi, por edhe Shqipëria qenka shumë e bukur”, – shprehet Darek.

 

Çerenishti: Këtë vit, turistët po vijnë, por vazhdimësia në 2020 në pikëpyetje

Pishina plot me pushues, muzika e lartë tipike verore, gjallëria në barin e hotelit tregojnë se politika e Tiranës zien vetëm aty, ndërsa në Golem nordikët e vendosur pranë hoteleve të “FAFA Group” po shijojnë diellin, detin dhe rërën. Por, ndërsa gjithçka duket se është në rrugë të mbarë, bizneset nuk shprehen edhe aq të bindur. Fatos Çerenishti nga “FAFA Group”, shpreh shqetësimin për vazhdimësinë e rezervimeve të turistëve të huaj në vendin tonë. Situata politike, sipas tij, i ka dhënë një goditje të madhe dhe nëse situata rëndohet më shumë, nuk është çudi që në 2020 të kemi rënie të rezervimeve.

“Ky vit nuk nisi dhe aq mirë sa ne e prisnim, pasi agjencitë e huaja që kanë bërë rezervimet pothuajse çdo ditë pyesnin dhe vazhdojnë të pyesin për situatën në vend. Ata shohin me shqetësim çdo zhvillim politik dhe protestat e përplasjet nuk interpretohen mirë. Gjithsesi këtë vit ata kishin bërë rezervimet dhe kanë nisur të sjellin turistë rregullisht siç ishte parashikuar në kontratë. Problemi për ne qëndron te vazhdimësia, pra si do të jetë situata për rezervimet e vitit 2020 e në vazhdim. Imazhi që transmetohet si një vend i paqëndrueshëm mund të vërë në rrezik perspektivën, pasi askush nuk e di si do të jetë vazhdimësia dhe në fund, bizneseve do t’iu mbetet të mbajnë vetëm hotelet e bukura”, – nënvizon Çerenishti.

Ai shprehet se 4-5 vitet e fundit kanë qenë dinamikë për bizneset në sektorin e turizmit, ku strukturat akomoduese që janë shtuar kanë qenë të një niveli tjetër me kapacitete të larta dhe me standarde gjithashtu të larta, gjë që i ka ekspozuar këto biznese në kredi të mëdha pranë bankave të nivelit të dytë. “Me ritmet që po ecën turizmi dhe me rezervimet që kemi pasur, ne e shohim mirë situatën, por nëse do të kemi ulje të tyre, për shkak të situatës politike dhe përkeqësimit të saj, kjo do të reflektohet tek ne, duke na çuar në faliment. Bizneset kanë marrë kredi të mëdha, për të ndërtuar struktura akomoduese me standarde. Kemi pothuajse çdo ditë shqetësim nga agjencitë e huaja, që kërkojnë me detaj se çfarë po ndodh. Nëse përplasjet dalin nga Tirana dhe rëndohet situata, këto agjenci mund të interpretojnë në kontratat e tyre se ka kërcënim të sigurisë së jetës për turistët dhe në këto kushte, mund të bëjnë shkëputje të njëanshme të kontratës, pa pasur asnjë lloj detyrimi. Kjo do të ishte shkatërrimtare për turizmin dhe për Shqipërinë”, shprehet Çerenishti.

Administratori i “FAFA Group” nënvizon se problemet e tjera me ndriçimin në rrugë, infrastrukturën e dobët dhe plehrat vazhdojnë të mbeten evidente, porse më e rëndësishme është që të mos cenohet perspektiva e sektorit nga një cenim i parikuperueshëm i imazhit. Gjithsesi, ai shprehet optimist që situata të vijojë të mbetet mirë për shkak të përshtypjeve pozitive që japin turistët e huaj që kanë qenë këtë vit në bregdetin shqiptar “Pothuajse të gjithë ata që kanë ardhur, kanë dhënë përshtypje pozitive pranë agjencive. Ne si FAFA kemi të akomoduar në hotelet tona polakë, gjermanë, nordikë, si dhe izraelitë që kanë nisur që vitin e shkuar, por kanë ardhur në rritje këtë vit. Në total, kemi rreth 1000 shtretër që janë të rezervuar në 90% të tyre deri nga mesi apo fundi i shtatorit.

 

Rreziku

Me ritmet që po ecën turizmi dhe me rezervimet që kemi pasur, ne e shohim mirë situatën, por nëse do të kemi ulje të tyre për shkak të situatës politike dhe përkeqësimit të saj, kjo do të reflektohet tek ne, duke na çuar në faliment. Bizneset kanë marrë kredi të mëdha për të ndërtuar struktura akomoduese me standarde. Kemi pothuajse çdo ditë shqetësim nga agjencitë e huaja, që kërkojnë me detaj se çfarë po ndodh. Nëse përplasjet dalin nga Tirana dhe rëndohet situata, këto agjenci mund të interpretojnë në kontratat e tyre, se ka kërcënim të sigurisë së jetës për turistët dhe në këto kushte mund të bëjnë shkëputje të njëanshme të kontratës, pa pasur asnjë lloj detyrimi. Kjo do të ishte shkatërrimtare për turizmin dhe për Shqipërinë

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of