David Julius dhe Ardem Patapoutian fitojnë çmimin “Nobel” për Fiziologji dhe Mjekësi për zbulimet e tyre mbi receptorët e temperaturës dhe prekjes.
Dy shkencëtarët amerikanë e fituan çmimin për përshkrimin e dinamikës se si njerëzit e perceptojnë temperaturën dhe presionin nëpërmjet impulsiveve nervore.
Julius është profesor i Universitetit të Kalifornisë, San Francisko. Patapoutian është profesor në Howard Hughes Medical Institute, Scripps Research në La Jolla, Kaliforni.
“Aftësia jonë për të perceptuar të nxehtin, të ftohtin dhe prekjen është e rëndësishme për mbijetesën dhe qëndron në bazë të ndërveprimit me botën që na rrethon” – tha Asambleja e Nobelit në një deklaratë ku njoftoi çmimin.
David Julius përdori kapsaicinën, një përbërës i athët nga specat djegës që shkakton një ndjesi djegieje, për të identifikuar një sensor në mbaresat nervore të lëkurës që i përgjigjet nxehtësisë. Ardem Patapoutian përdori qeliza të ndjeshme ndaj presionit për të zbuluar një kategori të re sensorësh që u përgjigjen stimujve mekanikë në lëkurë dhe në organet e brendshme”.
Thomas Perlmann, sekretari i Asamblesë dhe Komitetit të Nobelit tha se zbulimi “tregon të fshehta të natyrës… Shpjegon në nivel molekular se si këta stimuj shndërrohen në sinjale nervore. Është një zbulim i rëndësishëm dhe i thellë”.
/ CNN