Në gjashtëmujorin e parë të 2017-s, euro arriti në tregun vendas nivelin më të ulët të nëntë viteve, duke u këmbyer më 27 qershor (dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare) në nivelin e 131.9 lekëve.
Sipas opozitës, kursi i këmbimit, i cili u reflektua edhe në uljen e borxhit, u ndikua prej aktivitetit të jashtëligjshëm në vend. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, Edmond Spaho, deputet i Partisë Demokratike, tha se në buxhetin faktik të 2017-s niveli i borxhit do të arrijë në 71%.
Për 2018-n, një ndër rreziqet që ndikonin në nivelin e borxhit, sipas ministrit Ahmetaj, ishin luhatjet e kursit të këmbimit. Për t’u mbrojtur nga ky rrezik, ministri argumentoi se borxhi në valutë do të mbahej në nivelet optimale, pa kaluar nivelin e 55% të totalit të borxhit.
Por sipas zotit Edmond Spaho, ulja e nivelit të borxhit publik në gjashtëmujorin e parë të 2017-s në nivelin e 68% nuk ishte asgjë tjetër, përveçse reflektim i rivlerësimit të borxhit me kursin e këmbimit.
Ministri Ahmetaj e argumentoi me nivelin e mbivlerësuar të dollarit.
Euro e dobët në tregun vendas
Monedha e përbashkët europiane ka pasur një nivel të dobët përkundrejt lekut, me një kurs mesatar të këmbimit nga 1 janari deri sot prej 134.2 lekësh, ndërsa kursi mesatar i këmbimit në 2016, sipas të dhënave të marra nga Banka e Shqipërisë, ka qenë 137.49 lekë, me një diferencë prej gati 3.2 lekësh.
Edhe dollari amerikan ka pasur një nivel të dobët, në 4 janar 2017 një dollar këmbehej me 129 lekë, ndërsa aktualisht, dollari ka rënë në nivelin e 114.47 lekëve.
Sipas ekspertëve shkak për zhvlerësimin e euros është bërë oferta e lartë në valutë dhe qarkullimi i ulët i lekut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.