Diskutimet për të ardhurat e buxhetit të vitit 2023 janë shoqëruar me debate në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se të ardhurat e parashikuara për vitin 2023 do të zëne 29% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Të ardhurat në total parashikohen të rriten sipas Ibrahimajt 8,7% krahasuar me nivelin e pritshëm të 2022.
Gjatë diskutimeve ministrja Ibrahimaj shtoi se të ardhurat për 2023 do të mbështeten në rritjen ekonomike, rritjen e pagës minimale në nivelin e 36,000 lekëve dhe mirëadministrimit.
“Të ardhurat nga paketa fiskale që parashikon ndryshime në akcizë, pagat, lojërat e fatit dhe taksimin e energjisë elektrike me çmim të liberalizuar ka efekt të përgjithshëm në të ardhurat e buxhetit me 16,6 mld lekë. nga përmirësimi në administrim tatimor dhe doganor të ardhurat e parashikuara për një periudhë afatmesme pritet të rriten 1,5% të PBB-së apo 5,4 mld lekë më shumë se 2022.
Sipas disa zërave, të ardhurat nga TVSH pritet të jenë 7% më shumë se 2022 nga rritja e ekonomike, rritja e çmimeve te mallrat e importit dhe lufta kundër evazionit dhe informalitetit.
Të ardhurat nga akciza 7,3% më shumë se 2022, e ndikuar nga rritja e importit i cigareve dhe karburanteve, efektet nga paketa fiskale dhe forcimi i luftës kundër informalitetit.
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale do të jenë 5%, për shkak të efekteve të ligjit të ri dhe rritjes së numrit të punësuarve. Të ardhurat nga lojërat e fatit në 2023 vlerësohen të jenë 2 mld lekë. Të ardhurat nga kontributet parashikohen të rriten 5%”.
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku pohoi se rritja e arkëtimeve do të ndikohet nga rritja e taksave te shtresa e mesme dhe rritja e çmimeve.
“Qeveria do ketë rritje të ardhurave Unë kam një gjyq me KM për lojërat e fatit sepse thashë që qeveria po e përqendron pushtetin e lojërave të fatit në 4 duar. Më duket papërgjegjshmëri një diskutim për bastet online me këtë buxhet.
Më duket papërgjegjshmëri për amnistinë fiskale. Dje znj Dhuka na tha që BE nuk na detyron për politikën fiskale sot vjen ministrja Ibrahimaj dhe thotë që kemi direktivë të BE për taksën ekstra në fushën e energjisë.
Biznese kanë lobuar përjashtimet e tyre dhe kanë krijuar sistem të korruptuar. Bizneset e oligarkëve kanë lobuar për përjashtime që janë jo logjike dhe kështu kanë vuajtur bizneset e vogla. Politika fiskale nuk ka një vijë logjike, një vizion.
Të ardhurat do të vijnë nga rritja e çmimeve nga taksat indirekte, do tatohen profesionet e lira. Pra shtresa e mesme ka qenë e persekutuar nga kjo mazhorancë. Të ardhura të rritura nga barra fiskale që e paguan shtresa e mesme. Nëse je qeveri e majtë takso kapitalin por ju po taksoni punën. Ju stimuloni informalitetin duke ndërtuar nivele. E shoh me shqetësim që s’ka masa për shpopullimin e vendit në këtë buxhet. Ne duhet të kemi një debat profesional se çfarë masash duhet të marrim.
Rikthimi i taksave për shtresën e mesme, rikthimi i debatit për amnistinë fiskale, politika fiskale që nuk stimulojnë konsumin, duke pasur parasysh stimulin monetar e ke të ezauruar, duke apsur parasysh që stimuj fiskalë nuk ka ky buxhet është abuziv. Ju nuk merreni me përjashtimet tatimore që keni në sistem por merreni me shtresën e mesme”.
Deputetja Tabaku tha se paketa fiskale nuk ofron stimuj fiskal por rritje taksash. Sipas saj rritja e taksave nuk ka ardhur nga mirëadministrimi por nga inflacioni dhe nga rritja e barrës fiskale.
“Janë 148 mijë taksapagues më pak dhe që barra i ka kaluar pjesës tjetër. Ne kemi rënie konsumi dhe ky i fundit do të penalizohet. Të dhënat e importeve për 9 mujorin kemi rënie në sasi dhe indeksi i çmimeve të prodhimit do të rritet që do shoqërohet me rritjen e çmimeve. S’kemi normën më të lartë të inflacionit në rajon por parashikimin për rritjen më të ulët në rajon sipas parashikimeve të Bankës Botërore”, pohoi ajo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.