Debati në Komisionin e Ekonomisë për 15 milionë eurot për km të rrugës Milot-Balldren, Shkreli sqaron kostot

18/06/2019 12:45 PM 0 komente

Në Komisionin e Ekonomisë po diskutohet kontrata koncesionare e partneritetit Publik Privat (PPP) për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e aksit Milot- Balldren, me gjatësi 17.3 km dhe vlerë totale prej 256 milionë eurosh, përfshirë TVSH-në.

Më herët, kontrata ka hapur debate të shumta për shkak të kostos së lartë të ndërtimit të saj, prej rreth 15 milionë eurosh për kilometër.

Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli ka pohuar se do të ndërtohen dy tunele, të ngjashëm me atë të rrugës Tiranë-Elbasan. Do të ndërtohen dy ura, me vlerë 29 milionë euro dhe rruge paralele për lidhjen me fshatrat.

Do të jetë autostradë e kategorise A, me dy korsi kalimi, nga 120 deri në 140 km në ore. Koncesioni ka një periudhë 13 vjeçare, ku 4.5 vite do të zgjasë ndërtimi dhe pjesa tjetër është mirëmbajtje.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj pyeti nëse çmimet janë në referencë me manualet që përdor qeveria për investimet publike dhe si është krahasimi me rajonin.

Edhe Edlira Hyseni nga opozita kërjoi sqarim lidhur me kostot, opozita. “Preventivi është i fryre dhe me çmime jashtë normales. I keni parë bilancet e shoqërisë fituese? Është kompani me probleme, se s’ka paratë për ta bërë rrugën dhe s’ka as besueshmëri. Ka 10 mln euro të palikuiduara për furnitorët”, tha ajo duke pohuar se më parë ishte thënë që ofertat e pakërkuara s’do jepeshin pas 1 korrikut.

Zv/ministri Shkreli sqaroi se lidhur me kostot e kësaj rruge, mbi bazë krahasimore janë brenda parametrave, të standardeve të rrugëve të kësaj kategorie, sipas analizave të çmimeve që janë bërë në Shqipëri, bazuar në manualin e vitit 2015.

Shkreli hezitoi fillimisht të japë një përgjigje se sa është kosto për km, duke pohuar se kjo është një pyetje naive. Por, pas këmbënguljes së Ahmetaj, Shkreli pohoi se po jepte një përgjigje burokratike. “Të dy urat kushtojnë 29 milionë euro. Me rregull treshi, dalin llogarite. Mendova që çfarë specifike të veçante duhet të ketë, ndaj thashë pyetje jo profesionale”.

E zhveshur nga veprat e artit, kosto e rrugës është 4.8 milionë euro për kilometër, e kategorisë A.

Shkreli tha se 8.5 mln euro ka qenë kapitali fillestar i koncensionarit, mbi kriteret e tenderimit.

Gjithsesi, për këtë rrugë nuk ka ende një projekt zbatimi.  “Kemi Projekt ide dhe projekt fizibiliteti por s’ka projekt zbatimi ende. Në detyrën e këtij koncensioni përfshihet dhe hartimi i projekt zbatimit. Çmimet e referuara në kontratën e PPP-ve janë brenda çmimeve të manualeve që përdor Ministria e Infrastrukturës”, tha Ahmetaj.

Shkreli tha se rruga do të jetë nyje e rëndësishme, që lidh veriun me portet aeroportet dhe është një nga segmetet e autostradës adriatiko-jonioane.

Sipas Bankës Botërore, kosto maksimale e rrugëve në Shqipëri arrin në 6 milionë euro për kilometër, shumë më e ulët se 15 milionë euro/km që po rezultojnë 17 kilometrat e rrugës Milot Balldren.

Por, asnjë nga anëtarët e Komisionit nuk e pyeti Shkrelin për faktin se kjo kosto për kilometër shmanget kaq shumë nga mesatarja e llogaritur nga Banka Botërore për projekte të ngjashëm.

Në fund, Komisioni vendosi të miratojë kontratën koncesionare, ndërsa Opozita e Re votoi kundër.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of