Vërshimi i propozimeve politike progresive dhe të guximshme në të gjithë territorin amerikan, filloi në vitin 2015, kur Bernie Sanders, senatori i pavarur nga Vermont, vendosi në qendër të fushatës së tij elektorale, në kohën që kandidoi për President, se arsimi i lartë në universitetet publike duhej të ishte falas, shkruan The Economist.
Më pas kjo ide u duk radikale dhe, madje, edhe spekulative. Tani ajo përmendet gjithnjë e më shumë nga opozita e demokratëve, të cilët janë të mendimit se paratë e taksapaguesve amerikanë nuk duhet të shkojnë për fëmijët e të pasurve, por për ndihma financiare për të varfrit.
Në fakt, debati i demokratëve për arsimin e lartë falas është pjesë e një debati më të gjerë në lidhje me mënyrën që ata mendojnë se duhet strukturuar shteti i mirëqenies. Në pjesën më të madhe të botës së pasur, arsimi në universitetet publike është falas ose me kosto të ulëta, përveç kostos që studentët duhet të paguajnë për librat dhe shpenzimet e jetesës. Madje në Danimarkë, shteti ka menduar që t’u heqë studentëve edhe kosto të tilla, duke u dhënë atyre një vlerë të caktuar parash për t’i mbuluar këto shpenzime.
Por studentët në Amerikë dhe në Britani paguajnë tarifa të larta për shkollimin e tyre në universitete, të cilat po rriten. Në Britani, ndryshimi në ligjin e vitit 1998 u mundësoi universiteteve publike që të vendosnin tarifa të ndryshme shkollimi në bazë të degëve të caktuara. Kostoja mesatare e shkollimit në universitetet publike në Amerikë për një periudhë katërvjeçare është trefishuar gjatë tri dekadave të fundit. Por shtete si Amerika dhe Britania kanë menduar që të pasurit t’i paguajnë këto tarifa ndërsa të varfrit të ndihmohen nga dhënia e ndihmave financiare nga shteti për t’i përballuar ato.
Për një pjesë të madhe politikanësh, vendimi duket më se i drejtë. Ndryshe nga arsimi fillor dhe ai i mesëm, arsimi i lartë, edhe në një pjesë të madhe të ekonomive të zhvilluara, ndiqet nga një numër jo i madh njerëzish. Në të gjitha vendet, pjesë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, një klub i përbërë nga disa prej shteteve më të pasura, vetëm 45% e të rriturve të moshës nga 25 deri në 34 vjeç kanë ndjekur arsimin e lartë. Arsimi i lartë është një investim i mirëfilltë për të ardhmen e një personi. Duke qenë se studentët përfitojnë shumë nga ndjekja e studimeve të larta, atëherë ata duhet të arrijnë t’i përballojnë edhe kostot e tij.
Mbështetësit e arsimit të lirë falas shprehin argumentet e tyre, të cilat bien në kundërshtim me këto të mësipërmet. Si pasojë e tarifave të larta, pjesa më e madhe e studentëve që ndjekin studimet e larta vijnë nga familje të pasura. Pikërisht si pasojë e vendimit në fjalë, të rinjtë, të cilët nuk vijnë nga familje të pasura përjashtohen nga ndjekja e studimeve të larta. Sipas disa analizave të fundit, vendosja e tarifave për ndjekjen e arsimit të lartë është shoqëruar rrjedhimisht me rënie të numrit të personave që regjistrohen për t’i ndjekur ato, si pasojë e pamundësive për t’i përballuar ato.
Sipas një raporti të publikuar nga Instituti për Studime Fiskale në Britani, u vlerësua se rritja prej 1,000 paund (1,243 dollarë amerikanë) në tarifat e shkollimit të lartë është shoqëruar me rënie prej 3.9 pikë përqindjeje të shkallës së të rinjve që zgjedhin t’i kryejnë ato studime. Edhe studimi i kryer nga Thomas Kane në Universitetin e Harvardit arriti pothuajse në të njëjtat përfundime, edhe pse në këtë rast, studimi është kryer në Amerikë.
Ndërsa studimi i kryer nga Susan Dynarski në Universitetin e Miçiganit dhe Judith Scott-Clayton në Universitetin e Kolumbias, nxori përfundimin se si frekuentimi i universitetit, ashtu edhe përfundimi i ciklit të plotë të studimeve të larta (dhe jo lënia e tyre përgjysmë), janë më të larta kur kostot e universiteteve janë të përballueshme, ose më mirë, kur ato janë falas. Studimi i tyre arriti gjithashtu në përfundimin se procesi i përfitimit të ndihmave financiare nga shteti është i ndërlikuar dhe shpeshherë pa rezultat, ndërkohë që arsimi i lartë falas është më i lehtë për t’u menaxhuar.
Argumentet më të forta për heqjen e tarifave për universitetet publike, lidhen me vlerat më shumë sesa me efikasitetin ekonomik. Për politikanë si z. Sanders, krijimi i mundësive për ndjekjen e studimeve pas shkollës së mesme është pjesë e paketës bazë të shoqërisë së shërbimeve që shteti i detyrohet anëtarëve të saj. Edhe përfitimet që vetë shoqëria ka nëse qytetarët e saj do të jenë të arsimuar janë të mëdha, sepse vetëm nëpërmjet një niveli të lartë edukimi, shoqëria mund të përparojë dhe të zhvillohet.