Debati për prioritetet, ku duhet të fokusohet Qeveria e re?

25/10/2019 10:04 PM 0 komente

Qeveria e Kosovës pritet që shumë shpejt të marrë mandatin për të drejtuar vendin. E me shumë gjasë, shef i qeverisë do të jetë Albin Kurti, pasi partia e tij fitoi zgjedhjet që u mbajtën këtë muaj. Për Qeverinë e ardhshme, tashmë kanë nisur të bëhen rekomandime e thirrje për prioritetet që duhet t’i ketë.

 

Nga Fatos Shala

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i bëri thirrje qeverisë së re të Kosovës që të investojë në sektorin privat dhe të ketë strategji për rritjen e eksportit, me qëllim krijimin e një ekonomie afatgjatë. Rukiqi, në një dalje publike, tha se Kosova vazhdon të ballafaqohet me papunësi të lartë dhe mungesë të investimeve të huaja. Sipas tij, motor i ekonomisë së Kosovës vazhdojnë të jenë remitancat dhe investimet publike.
Kreu i OEK rekomandoi aftësimin e fuqisë punëtore dhe përkrahjen e kompanive nëpërmjet standardizimit.

“Ende remitancat dhe investimet publike, janë ata bartësit kryesorë ose motorët kryesorë të rritjes ekonomike, mirëpo kjo në afatgjatë nuk do të krijojë qëndrueshmëri në raport me rritjen ekomomike. Nëse nuk kemi investime private, nëse nuk kemi rritje të eksportit, ne nuk mund të jemi gjithmonë shoqëri të varur nga remitancat dhe investimet publike. Prandaj kjo është thirrja për qeverinë e re që, kur flasim për rritjen ekonomike, para se të përmendim shifra, të flasin për substancën e rritjes ekonomike. Ne besojmë që sektori privat duhet të jetë bartës përmes investimeve private dhe rritjes së eksportit”.

I pari i OEK-ut rekomandoi që të vazhdohet reforma ekonomike dhe të mos të ketë taksa të reja dhe as rritje të tyre, sepse kjo e godet sipas tij edhe ekonominë e brendshme, por edhe ul mundësinë e investimeve të huaja në Kosovë. “Me rëndësi është vazhdimi i çfarëdo reforme ekonomike që ka filluar, të kemi vazhdimësi të tyre, të mos kemi ndërprerje. Është shumë me rëndësi të mos kemi rritje të taksave, çfarëdo rritje të taksave nga çfarëdo lloj qeverie që vjen, është goditje të themi për zhvillimin e vendit, qoftë për investitorët e brendshëm, apo të huaj. Ne duhet ta mbajmë këtë politikë të taksave të ulëta, të nxisim sa më shumë të rinj të hapin biznese, të fuqizojmë sa më shumë komponentin e grave”, theksoi ai.
Rukiqi tha se OEK është pro parimit të vendosjes së masave të reciprocitetit.

“Në parim jemi për një parim, reciprocitetin në tregti, atë që ma jep në treg, ta jap në treg, atë që nuk ma jep në treg nuk ta jap as unë, ky është parimi që duhet të dominojë”. Duke folur rreth programit të partive që u njoftua gjatë fushatës, Berat Rukiqi theksoi se partitë politike gjatë kësaj fushate zgjedhore nuk kanë ofruar ndonjë platformë se si duhet të arrihet deri tek një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.

Kurse, sekretari i përgjithshëm në Forumin Investiv të Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6) me seli në Itali dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se ndër sfidat kryesore ekonomike me të cilat do të përballet qeveria e ardhshme janë sundimi i rendit dhe i ligjit, çështja e privatizimit të Telekomit si dhe Termocentrali “Kosova e Re”. Ai ka thënë se qeveria e re duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë avancimit të raporteve me FMN-në dhe Bankën Botërore. Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës theksoi se Kosovës nuk i duhen 22 ministri.

“Dua të besoj se vetë fakti që shpresojmë se do të ketë një koalicion të madh mes dy partive fituese, do të nxisë realizimin e objektivave. Sfidat për qeverisjen e re do të jenë sundimi i rendit dhe ligjit, zhvillimi ekonomik, pastaj çfarë do të ndodhë me Termocentralin ‘Kosova e Re’, projekt ky që ka rëndësi shumëdimensionale dhe që ka përkrahje të ndërkombëtarëve, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve mikeve, pra vendeve europiane. Në anën tjetër, kemi edhe një grup të caktuar brenda partisë fituese që e kundërshton këtë, po ashtu edhe shoqërinë civile. Mendoj se ky termocentral do të jetë ndër sfidat kryesore. Pastaj kemi edhe problemin me ‘Trepçën’”.
Ai shtoi se kabineti i ri qeveritar duhet të përmirësojë imazhin e Kosovës në mënyrë që të kemi investime të huaja, të cilat kanë përjetuar rënie.

 

Reformat

Me rëndësi është vazhdimi i çfarëdo reforme ekonomike që ka filluar, të kemi vazhdimësi të tyre, të mos kemi ndërprerje. Është shumë me rëndësi të mos kemi rritje të taksave, çfarëdo rritje të taksave nga çfarëdo lloj qeverie që vjen, është goditje të themi për zhvillimin e vendit, qoftë për investitorët e brendshëm, apo të huaj. Ne duhet ta mbajmë këtë politikë të taksave të ulëta, të nxisim sa më shumë të rinj të hapin biznese, të fuqizojmë sa më shumë komponentin e grave

 

Programet për qeverinë nga VV dhe LDK

Lëvizja Vetëvendosje, në programin e saj, ka paraparë krijimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës dhe Bankën Zhvillimore. Fondi Sovran, sipas programit të LVV-së, do të marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së “Trepçës”, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Po ashtu, Vetëvendosje ka paraparë që Agjencia Kosovare e Privatizimit të mbyllet dhe asetet e saj t’i kalojnë Fondit Sovran.

Ndërsa, Banka Zhvillimore, sipas programit të LVV-së, do të jetë komponenti kreditues i cili do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që krijojnë vende pune. Në programin në fushën e ekonomisë, LDK-ja, në anën tjetër, ka paraparë fuqizimin e Fondit Garantues të Kredive dhe Fondin për Investime.

Qëllimi i Fondit Garantues të Kredive, sipas programit të LDK-së, është garantimi i kredisë deri në 50%, duke ulur kështu nevojën për kolateral për bizneset vendore. Bazuar në këtë program, qeveria e LDK-së synon të themelojë Fondin Investiv, bazë e të cilit do të jenë mjetet financiare të privatizimit, në vlerë prej 300 milionë eurove. “Fondi në fjalë do të synojë mbështetjen financiare të ideve inovative në vend”, thuhet në programin e LDK-së.

Një projekt i nisur shumë vite më parë për kapacitete të reja energjetike, siç është ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, ndan orientimet e të dy partive. Ndërkohë Vetëvendosje ka paraparë ndërmarrjen e hapave për funksionalizimin e Interkoneksionit me Shqipërinë, me rezultat garancinë e furnizimit me energji elektrike, ndërprerjen e varësisë energjetike nga Serbia dhe se sipas LVV-së, termocentrali “Kosova e Re”, nuk do të jetësohet.
Në programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thuhet se LDK-ja do të ndërtojë kapacitete të reja energjetike, por do të refuzojë secilën alternativë investuese, që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100%.

Nga rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25.49% të votave, ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82% të votave. Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse ende preliminar, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike pretendojnë që të krijojnë së bashku Qeverinë e ardhshme të Kosovës./Monitor.al/.

 

Sfidat

Ndër sfidat kryesore ekonomike me të cilat do të përballet qeveria e ardhshme janë sundimi i rendit dhe i ligjit, çështja e privatizimit të Telekomit si dhe Termocentrali “Kosova e Re”. Qeveria e re duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë avancimit të raporteve me FMN-në dhe Bankën Botërore

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of