Dëbimet e paligjshme

23/04/2019 4:16 PM 0 komente

Mbi 94 objekte pa leje në të gjithë vendin janë përjashtuar nga legalizimi. Prishja e dhunshme e banesave informale në Tiranë nga zhvillimi i projekteve të Unazës së Re dhe Bulevardit të Ri po shoqërohet me paligjshmëri në të gjitha etapat. Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, tha se, legjislacioni ekzistues për shpronësimet për interes publik nuk po zbatohen: Duhet të zhvillohet një procedurë e rregullt ligjore shpronësimi për likuidimin e plotë të vlerës së shpronësimeve. Ja të gjitha shkeljet dhe ligjet që duhet të ndryshojnë

 

Blerina Hoxha

 

Një e treta e ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin rrezikojnë të shemben. Agjencia e Legalizimeve (ALUIZNI) ka evidentuar se mbi 94 mijë objekte nga 323 mijë aplikime nuk përfitojnë nga procesi, pasi janë bërë në shkelje të plotë të interesit publik dhe në kundërshtim me projektet e zhvillimit urban të vendit.

Rreth gjysma, ose 47 mijë objekte, janë në Tiranë, ndërsa pjesa e tjetër kryesisht në qarqet e Vlorës, Durrësit dhe Korçës. Skualifikimi i këtyre objekteve nga procesi i hipotekimit është sinjali më i qartë se këto ndërtime, në një të ardhme të afërt apo të largët, do të shemben. Në rastin më të mirë ato do të funksionojë në informalitet pa mundur të përfshihen në tregun e pasurive të patundshme.

Ky proces pritet të shoqërohet me një kosto të dyfishtë sociale dhe ekonomike. Nëse secili objekt do të vlerësohej me një kosto hipotetike 50 mijë eurosh, vlera e banesave që rrezikojnë prishjen është rreth 4.7 miliardë euro. Prishja e këtyre objekteve rrezikon të krijojë një problem të mprehtë social, siç është strehimi.

Disa qytete kanë nisur të përballen me këtë fakt sidomos Tirana, teksa qindra banorë po dëbohen me forcë nga banesat pa leje, për shkak të projekteve të zhvillimit urban në vend të këtyre objekteve. Nga projektet e Unazës së Re dhe Bulevardit të Ri në qytetin e Tiranës, rreth 300 banesa do të shemben, disa janë shembur dhe të tjera janë në proces. Banorët e tyre janë larguar me forcë dhe shumica e objekteve janë ndërtime pa leje.

Sipas ekspertëve ligjorë dhe të urbanistikës, procesi i dëbimit me forcë po shoqërohet me paligjshmëri si në raport me zbatimin e ligjeve të brendshme, edhe me rekomandimet për të drejtat e strehimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilat Shqipëria i ka pranuar.

E drejta për strehim është pjesë e së drejtës ndërkombëtare që prej vitit 1948, datë në të cilën kjo e drejtë u përmend në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Shqipëria është firmëtare e kësaj deklarate dhe detyrohet të marrë në konsideratë udhëzimet e saj.

Avokati i Popullit ka formuluar një relacion voluminoz, të cilin ia ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë për ta informuar se ndërtimi i segmentit Lindor të Unazës së Re në zonën e Maternitetit të Ri dhe në zonën e Shkozës është i mbushur me paligjshmëri, të cilat kanë cenuar rëndë të drejtat e pronësisë dhe të strehimit për qindra familje që preken nga ndërtimi i rrugës.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, tha në një intervistë për Monitor se, sipas rekomandimeve të OKB-së dhe interpretimeve të dhëna në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, shteti ka detyrim të menjëhershëm dhe të vazhdueshëm për të siguruar që të gjithë personat të kenë siguri në zotërim të banesës, pavarësisht disponimit të titullit të pronësisë. Pra, shteti duhet të garantojë mbrojtje ligjore kundër dëbimeve të detyruara, ngacmimeve dhe kërcënimeve të tjera dhe të ofrojë një bazë për realizimin progresiv të të gjitha aspekteve të së drejtës për strehim të përshtatshëm.

Sipas një analize që ka bërë Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, mbi legjislacionin që trajton problemet e strehimit, Shqipëria nuk e ka harmonizuar legjislacionin e brendshëm me detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Kartën Sociale Europiane.

Analiza evidenton se, në legjislacionin tonë mungojnë parashikime ligjore që ndalojnë dëbimin me forcë jo vetëm për shkaqe të paligjshme, por edhe për shkaqe të ligjshme. Dëbimi nga banesat për shkaqe të ligjshme mund të bëhet vetëm nëse ofrohet një strehim alternativ i përkohshëm deri në strehim të përhershëm dhe legjislacioni duhet të parashikojë procedura të qarta lidhur me këtë, të cilat nuk duhet të bien ndesh me parimet e të drejtave të njeriut në planin ndërkombëtar.

 

Dëbimi

Dëbimi nga banesat për shkaqe të ligjshme mund të bëhet vetëm nëse ofrohet një strehim alternativ i përkohshëm deri në strehim të përhershëm dhe legjislacioni duhet të parashikojë procedura të qarta lidhur me këtë, të cilat nuk duhet të bien ndesh me parimet e të drejtave të njeriut në planin ndërkombëtar

 

Urbanisti Genti Kaprata, i cili më parë ka qenë i angazhuar në Ministrinë e Transportit me çështjet e strehimit, thotë se, e vetmja mënyrë e drejtë për të zgjidhur këtë çështje mbetet ajo kushtetuese, e dëmshpërblimit për shpronësim të pronës private për interesin publik të zhvillimit të infrastrukturës kombëtare me vlerën e tregut të lirë.

Kjo është përgjigjja morale dhe kushtetuese që shoqëria shqiptare, nëpërmjet institucioneve të saj përfaqësuese, duhet t’i japë kësaj çështje zhvillimi dhe të drejte në të njëjtën kohë. Karpata thotë për Monitor se, programet e strehimit social nuk mund të jenë mënyra e adresimit të kësaj problematike, e cila ka lidhje me të drejtën e pronësisë dhe zhvillimin e infrastrukturës kombëtare; dhe në këtë kuptim, duhet trajtuar si shpronësim për interes publik.

Sipas parimeve bazë të Kombeve të Bashkuara, lirimi i banesës duhet konsideruar si mjeti i fundit dhe pasi janë shqyrtuar të gjitha alternativat. Mjeti i kompensimit të viktimës që detyrohet të lirojë banesën nuk konsiderohet i mjaftueshëm, në rast se nuk shoqërohet me ofrimin e alternative të strehimit. Ata që dëbohen, duhen kompensuar edhe për humbjet, shpëtimin dhe transportimin e sendeve të tyre, pavarësisht nëse ishin mbajtës apo jo të së drejtës së pronësisë; edhe pronarët e pronave informale kanë të drejtën e kompensimit.

Sa i takon legjislacionit të brendshëm, Avokati i Popullit e ka lajmëruar Kuvendin se të gjitha hallkat e përfshira në proces, ARRSH, ALUIZNI, IKMT-ja etj., kanë vepruar duke shkelur ligjet dhe udhëzimet në prishjen e banesave tëpalegalizuara.

 

Foto: LSA

Shkeljet e ALUIZNI-it

Sipas një raporti që Avokatit të Popullit ka dërguar në Kuvend, veprimtaria e ALUIZNI-t, në lidhje me trajtimin e vetëdeklarimeve të subjekteve që kanë ngritur ndërtime informale, ka shkelje ligjore, të cilat konsistojnë në mostrajtimin e vetëdeklarimeve brenda afateve ligjore procedurale, të përcaktuara nga neni 49, i Ligjit nr.8485, datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”.

Brenda këtyre afateve, ALUIZNI duhej të shprehej me një vendim përfundimtar për legalizimin, apo përjashtimin nga legalizimi të ndërtimeve informale të vetëdeklaruara. Ky mosveprim, realisht u ka shkaktuar dëm subjekteve vetëdeklaruese të ndërtimeve informale, në zonën e Shkozës që preket nga zbatimi i projektit, në kushtet e parashikuara nga Ligji nr.8510, datë 15.07.1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës publike”, i ndryshuar.

Po kështu, ky mosveprim ka sjellë pasojën që lidhet me shkeljen e së drejtës themelore për një proces të rregullt ligjor, parimit të sigurisë juridike. Ky mosveprim ka shkaktuar “amulli” në mospërcaktimin e qartë paraprak të statusit juridik të këtyre pronësive, para fillimit të zbatimit të projektit “Unaza e Jashtme e Tiranës”, Loti III (Sistemimi i shtratit të Lumit të Lanës dhe ndërtimi i rrugëve paralele, segmenti Materniteti i Ri, Unaza e Jashtme e Tiranës)”.

Për të njëjtat situata, për subjekte të ndryshme, ALUIZNI ka marrë vendime të ndryshme në kohë dhe ka ndërprerë në kundërshtim me ligjin, procedura të cilat kanë kaluar disa faza procedurale të rëndësishme. Në zonën e Shkozës dy banesa 10 metra larg njëra-tjetrës, njëra ka arritur të sigurojë lejen e legalizimit pak muaj para nisjes së punimeve, pasi ishte kryer tenderi, ndërsa të tjerat janë përjashtuar.

Avokati i Popullit sqaron se, ALUIZNI rezulton se ka kryer procedura ligjore, deri në lidhje kontrate për kalim pronësie të parcelës ndërtimore (të ndodhur në zonën ku po zbatohet projekti), në favor të subjekteve vetëdeklarues. Por në mënyrë të kundërligjshme, procedura nuk është vazhduar më tej, gjë që ka sjellë pasoja të rënda për subjektin tashmë ligjërisht pronar të parcelës ndërtimore, sa i takon vlerësimit të gjendjes juridike të ndërtimit informal të vetëdeklaruar prej tij dhe mospërfshirjes në listën e subjekteve që duhen shpronësuar, për llojin e pasurisë “Truall”.

Për disa parcela ndërtimore të ndodhura në këtë zonë është miratuar kalimi i tyre në pronësi të subjekteve posedues, që kanë ngritur në to ndërtime informale, konform parashikimeve të VKM Nr.125, datë 17.02.2010 “Për miratimin e kalimit në pronësi të disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informale”. Edhe pse vendimi i Këshillit të Ministrave është në fuqi, zbatimi i tij nuk është kryer deri më sot prej ALUIZNI-t, si organ i ngarkuar për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore në favor të subjekteve posedues të ndërtimeve informale. ALUIZNI s’mund të marrë vendim përjashtimi nga procesi i legalizimit, në kundërshtim me VKM e sipërpërmendur.

 

Shkeljet e IKMT-së

Sikurse është thënë në fillim të përmbajtjes së këtij raporti, individë të caktuar janë ankuar për prishjen e banesave të tyre, nga ana e IKMT-së, për shkak të fillimit të punimeve për zbatimin e projektit “Unaza e Jashtme e Tiranës”, Loti III (Sistemimi i shtratit të Lumit të Lanës dhe ndërtimi i rrugëve paralele, segmenti Materniteti i Ri, Unaza e Jashtme e Tiranës).

Më poshtë po paraqesim dy prej tyre: Në ankesën e tij, shtetasi, H.K., shkruan se, në datën 26.10.2017, i është prishur shtëpia ku banonte nga ana e inspektorëve të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), dega e Tiranës. Kjo banesë ishte ndërtuar në vitin 1992 dhe ishte deklaruar për legalizim pranë ALUIZNI-t, që në vitin 2005. Megjithatë, ankuesi shprehej se në datën 26.10.2017, inspektorë të IKMT, dega e Tiranës, kanë shkuar dhe i kanë njoftuar vendimin e prishjes së banesës, vetëm 2-3 orë para se objekti në fjalë të prishej.

Në trajtimin që i është bërë kësaj çështjeje nga Avokati i popullit është konstatuar se IKMT dega e Tiranës, në ushtrim të kompetencave të veta ka nxjerrë dy akte administrative, përkatësisht, Vendimin për dënim me gjobë nr.1, datë 19.09.2017, dhe Vendimin për prishjen e objektit të kundërligjshëm, nr. 29, datë 19.09.2017, ndaj kundërvajtësit H.K.

Koha e njoftimit të aktit administrativ (përkatësisht i dy vendimeve të sipërcituara), është një pjesë shumë e rëndësishme e procedurës ligjore që duhet ndjekur nga ana e organit të administratës publike. Shtetasi H.K është njoftuar me postë nga ana e IKMT-së, për Vendimin për dënim me gjobë me nr.1, datë 19.09.2017, në adresën e banesës së tij, që rezulton të jetë prishur 9 ditë para se të dërgohej ky njoftim. Është jashtë logjikës të mendosh se, shtetasi H.K pas prishjes së banesës së tij, do të vazhdonte të jetonte aty në rrënoja, në mënyrë që adresa e këtij ndërtimi tashmë inekzistent të mund të përdorej për njoftime të akteve të nxjerra prej IKMT-së.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se veprimtaria e IKMT-së, në këtë çështje shfaqet e fragmentarizuar, jo analizuese dhe jo reaguese, mbi veprimet që i kërkohet që të ndërmarrë, nga ana e institucioneve të tjera shtetërore. Paligjshmëria në veprimtarinë e IKMT-së është konstatuar edhe në dy ankesa individuale të banorëve në zonën e Shkozës, banesat e të cilëve janë prishur për shkak të zbatimit të projektit.

 

Foto: LSA

 

Shqipëria nuk i respekton detyrimet që lindin rekomandimet e OKB-së

Sipas rekomandimeve të OKB-së dhe interpretimeve të dhëna në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, shteti ka detyrim të menjëhershëm dhe të vazhdueshëm për të siguruar që të gjithë personat të kenë siguri në zotërim të banesës, pavarësisht disponimit të titullit të pronësisë.

Pra, shteti duhet të garantojë mbrojtje ligjore kundër dëbimeve të detyruara, ngacmimeve dhe kërcënimeve të tjera dhe të ofrojë një bazë për realizimin progresiv të të gjitha aspekteve të së drejtës për strehim të përshtatshëm.

Parimet themelore që duhet të reflektohen në masat e domosdoshme që ndërmerren në proceset (procedurat) e dëbimit me forcë dhe janë: – mosdiskriminimi para ligjit, – detyrimi i përmbushjes progresive të detyrimit për strehim nga ana e shtetit, duke përdorur burimet maksimale në dispozicion, përpara se të kryhet dëbimi dhe prishja e banesës, – kërkimi dhe pranimi i ndihmës ndërkombëtare dhe bashkëpunimi me organizma ndërkombëtarë ose OJF, – dhënia e prioritetit individëve më të rrezikuar dhe më të margjinalizuar, – krijimi i aksesit të plotë dhe në kohë të përshtatshme për informacion, – pjesëmarrja efektive e komunitetit në bisedime dhe në proceset vendimmarrëse, – llogaridhënia e autoriteteve përgjegjëse. Në Komentin e Përgjithshëm nr. 4, për të drejtën për një strehim të përshtatshëm,

Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, përcakton se e drejta për strehim nuk duhet të barazohet me pasjen e një çatie mbi kokë, por ajo duhet parë si një e drejtë për të jetuar diku në siguri, paqe dhe dinjitet.

Komiteti i sipërcituar ka përcaktuar se, e drejta për strehim është një e drejtë e shumanshme, që përbëhet nga shtatë aspekte, të cilat duhen përmbushur në mënyrë që të zbatohet plotësisht: 1. Siguria ligjore e posedimit/zotërimit, 2. Mundësia (e shërbimeve, materialeve, dhe infrastrukturës), 3. Përballueshmëria, 4. Jetueshmëria, 5. Aksesueshmëria 6. Vendndodhja (e cila duhet të lejojë akses në tregun e punës, shëndetësi, arsim, kujdes për fëmijët dhe lehtësira të tjera sociale), 7. Përshtatshmëri kulturore.
Bazuar në këto akte të rëndësishme ndërkombëtare dhe në Komentin e Përgjithshëm nr.7 të Komitetit, Raporteri

Special i Kombeve të Bashkuara për Strehimin ka publikuar një numër udhëzimesh të detajuara, të njohura si Parimet dhe “Udhëzimet bazë të Kombeve të Bashkuara” dhe “Udhëzimet për lirimet bazuar mbi Zhvillimet dhe mbi Zhvendosjen”.

Avokati i Popullit argumenton se, këto parime dhe udhëzime bëjnë më të qarta detyrimet e shtetit, në rastet e lirimit me forcë të banesave. Masat që jepen në këto parime dhe udhëzime kanë si qëllim që të ofrojnë orientime të qarta për zyrtarët dhe politikëbërësit për procedurat dhe masat që duhen marrë, për të dhënë sigurinë se lirimi i banesës është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Sipas tyre, lirimi i banesës në kushtet e dëbimit me forcë kalon në tre faza.

 

Foto: LSA

Përpara lirimit të banesës

Avokati i Popullit shpjegoi se, bazuar në parimet bazë të Kombeve të Bashkuara, lirimi i banesës duhet të konsiderohet si mjeti i fundit dhe pasi janë shqyrtuar të gjitha alternativat. Pra autoritetet publike, kanë barrën për të provuar se, dëbimi është i pashmangshëm për interesa publike.

Duhen zhvilluar konsultime të vazhdueshme ku të ftohen të marrin pjesë të gjithë personat e prekur, ndërkohë që autoritetet nxisin pjesëmarrjen e grave. Me qëllim që konsultimet të jenë efektive, autoritetet duhet t’u ofrojnë atyre që preken të gjithë informacionin e nevojshëm, që lidhet me arsyet për lirimin e banesës, oraret e punës që do të kryhet, si dhe dhënien e kohës së nevojshme atyre që preken dhe avokatëve të tyre për të dhënë alternativat, komentet, sugjerimet, për planet e autoriteteve.

Rezultati më ideal i këtyre përpjekjeve do të ishte përfundimi i një marrëveshjeje mes autoriteteve shtetërore dhe personave që do të lirojnë banesën, ku rregullohen të gjitha aspektet e lirimit të banesës dhe ofrohen alternativa për strehim.

Shtetet duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme që të garantojnë se grupeve vulnerabël, u duhen ofruar mundësi të përshtatshme për të rregulluar strehimin e tyre dhe mosmarrja në konsideratë e nivelit të tyre të mohimit gjatë viteve ku hartohen kërkesat e nevojshme për rregullimin e strehimit, mund të çojë në diksriminim të tërthortë. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për t’ju dhënë strehim atyre, por edhe për t’i ofruar sigurinë ligjore shtesë, për sa kohë që shtëpitë e paligjshme janë më shumë subjekt i prishjeve.

Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, ka theksuar se, prishja e shtëpive të paligjshme mund të jetë rezultat i mungesës së politikave efektive të strehimit. Për pasojë është e papranueshme, për të mos thënë e padrejtë, që të penalizosh ata njerëz që nuk kanë asnjë mbështetje nga shteti dhe që janë munduar të rregullojnë problemet e tyre të strehimit me të gjitha mënyrat që ata munden, duke ushtruar të drejtën e “vetë-ndihmës”.

Edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në jurisprudencën e saj njeh gjykime të tilla si: Yordanova dhe të tjerë kundër Bullgarisë, apo Liliana Assenova Naidenova dhe të tjerë kundër Bullgarisë, ku theksohet se shkelje e të drejtave të njeriut konsiderohet në këto raste, mungesa e ofrimit të çdo forme alternative të strehimit për Romët dhe familjet e tyre gjatë kohës që u lejua dëbimi, si dhe për faktin se autoritetet kishin lejuar Romët të jetonin atje për shumë vite dhe nuk mund t’i urdhëronin papritur që të largoheshin dhe të ndërprisnin jetën e tyre familjare dhe komunitare që kishin zhvilluar gjatë viteve.

Edhe komuniteti i banorëve që preket nga zbatimi i Projektit në zonën e Shkozës, paraqitet në të njëjtat kushte si edhe komunitetet e përmendur në vendimet e sipërcituara, të dhëna nga Gjykata e Strasburgut.
Këto parime që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare nuk po zbatohen në praktikat e brendshme. Petrit Duku, një banor i Shkozës, tha se ishte informuar për prishjen e banesës së tij fillimisht nga punonjësit e kompanisë që po zhvillonte punimet në rrugë.

Zoti Duku tha se nuk ishte bërë asnjë konsultim më parë me banorët për projektin dhe se nuk kishin marrë asnjë njoftim ligjor për prishjen e banesës. Shtëpia e tij me tre kate ku jeton bashkë më vëllezërit e tij, ishte planifikuar të prishej, mirëpo pas pezullimit të punimeve prej kontratës korruptive me kompaninë fantazmë që do të zhvillonte punimet, procesi është pezulluar përkohësisht.

 

Gjatë lirimit të banesës

Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore thekson se kur lirimi i banesës është i pashmangshëm, nuk mund të kryhet kur është mot i keq, gjatë festimeve zyrtare, gjatë natës, ose kur banuesit nuk ndodhen aty. Përdorimi i forcës duhet të ndodhë plotësisht në përputhje me parimet bazë të Kombeve të Bashkuara, për përdorimin e forcës.

Në zonën e Shkozës, zotit Zef Lleshi ia prishën shtëpinë në orën 4:00 të mëngjesit, në temperatura minus dhe prag të festave të fundvitit. Tani Zefi jeton pak kilometra më tutje me qira dhe pa asnjë mbështetje sociale nga shteti. Pasi i prishën shtëpinë, IKMT i çoi një fletë-gjobë prej 500 mijë lekësh të reja. Këtë gjobë, IKMT e lëshon për të mbuluar shpenzimet e prishjes së objektit. Pa paguar këtë shumë, zoti Lleshi nuk mund të përfitojë nga asnjë lloj ndihme, teksa e ka të pamundur të përballojë pagesën e gjobës pasi bashkë me gruan në të 50-tat janë të papunë dhe me tre fëmijë për të rritur.

 

Pas lirimit të banesës

Lirimi i banesës, i pashoqëruar me ofrimin e alternativave të strehimit, mund të konsiderohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare vetëm në raste shumë përjashtimore. Në çdo rrethanë tjetër, autoritetet duhet të sigurojnë se ata që nxjerr jashtë, kanë akses ndër të tjera në strehime dhe shtëpi, si dhe në shërbimet shëndetësore, ato të edukimit etj., dhe se lirimi me forcë nuk duhet t’i kthejë ata në të pastrehë. Për më tepër, autoritetet nuk duhet të injorojnë asnjëherë aspektin gjinor dhe duhet gjithmonë të përpiqen që të nxisin pjesëmarrjen e grave në të gjitha procedurat e nevojshme.

Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar mirëqenies së grave dhe fëmijëve. Autoritetet duhet të monitorojnë dhe ndjekin kushtet sociale dhe shëndetësore të atyre që shpërngulen, veçanërisht në rastet e shpërnguljes së të gjithë komunitetit. Por çfarë paraqet situata e krijuar, me familjet e vendosura me banim prej disa vitesh, në zonën e Shkozës, në Tiranë?

Avokati i Popullit, në këtë këndvështrim konstaton se: – Zhvendosja – Dëbimi me forcë, po kryhet në mungesë të një komunikimi dhe konsultimi të domosdoshëm, midis ARRSH-së, Bashkisë së Tiranës dhe komunitetit të prekur, lidhur me përcaktimin e zgjidhjeve. Në këto kushte mungon informacioni i plotë mbi çfarë i pret këta qytetarë dhe kjo situatë rrezikon të rëndojë më tej gjendjen e tyre të vështirë sociale, duke krijuar një tjetër problem edhe më të mprehtë social.

Sikurse del nga mënyra e trajtimit të deritashëm, ARRSH-ja, por edhe Bashkia e Tiranës nuk ka një plan të mirëmenduar, të mbështetur në një njohje të plotë të tipologjisë së komunitetit, gjendjes të secilës prej familjeve, qoftë në aspektin e aksesit për një strehë të sigurt, aksesit në skemat e mbrojtjes sociale, gjendjen e tyre ekonomike dhe të pasojave që do të vuajë secila prej tyre, në rast dëbimi me forcë nga zona e Shkozës.
Në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për të drejtën për strehim, pasi kjo situatë “Dëbimi me forcë” i pastudiuar dhe në mungesë të konsultimit me komunitetin në fjalë, cenon të drejtën e tyre për jetën familjare, si dhe të drejtën e tyre për jetën.

Dëbimi me forcë i këtyre familjeve është një ngjarje e përsëritur, e konstatuar tanimë me komunitete të ndryshme banorësh, të vendosura në zona periferike ose jo, në qytetet më të mëdha të vendit. Shumica e këtyre ngjarjeve deri më sot janë zhvilluar në shkelje të të drejtave të komuniteteve përkatëse.
Dëbimi me forcë i këtij komuniteti banorësh nuk po kryhet në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare të dëbimeve të detyrueshme; nuk po respektohen detyrimet e parashikuara në akte të rëndësishëm të OKB-së, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Avokati i Popullit pohon se si, një çështje me përmasa të aspektit juridik dhe social, kjo situatë duhet të trajtohet në vazhdim, duke respektuar të drejtat e komunitetit të banorëve që preket nga zbatimi i Projektit, duke parashtruar zgjidhje konkrete, efektive, të qëndrueshme dhe afatgjata, me qëllim garantimin e një jetese më të mirë dhe jo përkeqësimin e saj.

Alternativat e mundshme që janë ofruar nga ana e Bashkisë së Tiranës për strehimin e familjeve që mbeten të pastreha nga ky komunitet, nuk duhet të jenë një zgjidhje e përkohshme, pasi institucioni i Avokatit të Popullit prej kohësh bën thirrje dhe rekomandon me forcë për zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata, që përmirësojnë realisht kushtet e jetesës së këtyre komuniteteve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of