Deeurozimi një nismë e Bankës së Shqipërisë që synon nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare përmes një memorandumi kaloi në vitin 2017 edhe tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Në raportin e fundit për ecurinë e kësaj nisme në tregjet nën mbikëqyrje të këtij autoriteti për vitin 2019 vihet re se të paktën në tregun e sigurimeve gjithçka ka mbetur njëlloj si në 2018 dhe përdorimi i monedhës euro përbën 31 për qind të primeve të shkruara bruto ndërsa pak ndryshim shihet tek pjesa e fondeve të investimeve. Vetë AMF pranon se ka vend për të nxitur përdorimin e monedhës kombëtare në disa segmente të caktuara të tregjeve nën mbikëqyrje.
“Në segmente të caktuara të këtyre tregjeve, nevojat për masa që ulin euroizimin dhe forcojnë përdorimin e monedhës kombëtare, mund të jenë të pranishme. Autoriteti do të monitorojë zhvillimet në këto tregje dhe më konkretisht do të fokusohet në drejtim të rritjes së transparencës për produktet që iu ofrohen investitorëve, veçanërisht në drejtim të evidentimit dhe kuptimit sa më të qartë të rrezikut (të drejtpërdrejtë ose të tërthortë) të kursit të këmbimit” thuhet në raportin e AMF.
Tregu i Sigurimeve
“Referuar të dhënave për 31.12.2019, primet e shkruara bruto1 rezultojnë për të gjithë aktivitetin e tregut të sigurimeve Jo-Jetë dhe Jetë në rreth 17.6 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 4% ose rreth 685 milionë lekë nga 31.12.2018. Rreth 31% e tyre është realizuar në monedhën Euro, raport ky që qëndron në të njëjtin nivel si në fund të vitit 2018” thuhet në raport.
Sipas AMF, vihet re se përveç produkteve të sigurimit të detyrueshëm të Kartonit Jeshil dhe Sigurimit Kufitar, ka edhe disa nga produktet vullnetare që rezultojnë me të ardhura pothuajse 100% të realizuara në Euro, siç janë: Sigurimi i Shëndetit dhe Jetës në Udhëtim, si dhe Sigurimi i Jetës së Studentëve.
Kompanitë e sigurimit nga ana tjetër kanë rritur peshën e depozitave në valutë. Sipas AMF depozitat e shoqërive të sigurimit për periudhën 31.12.2019, të investuara në monedhat Lekë dhe valutë të huaj, rezultojnë në vlerë totale rreth 11.3 miliardë Lekë.
“Nga këto depozita në monedhën vendase Lekë janë investuar rreth 5.9 miliardë Lekë, ose rreth 52% të totalit të depozitave, ndërsa ato në valutë rezultojnë të jenë rreth 5.4 miliardë Lekë, ose rreth 48% të vlerës totale të depozitave.
Në depozitat në valutë të huaj, peshën kryesore e zënë depozitat e investuara në Euro, të cilat zënë rreth 93 % të depozitave totale në valutë dhe 44% të depozitave totale. Pjesa tjetër e depozitave janë të investuara në USD. Kundrejt fundit të vitit 2018, depozitat në valutë shënojnë një rritje në 1.3 milionë lekë në vlerë dhe 7.5% në peshë ndaj totalit të depozitave të shoqërive të sigurimit”.
Tregu i Kapitaleve
Një tjetër treg nën mbikëqyrje nga ana e AMF është ai i kapitaleve ku sipas raportit për vitin 2019 rezulton me një nivel të vogël euroizimi duke qenë se mbizotërimi në këtë treg janë titujt e borxhit të qeverisë në lekë. Kështu në tregun me pakicë dominojnë blerjet e bankave në tregun primar për llogari të investitorëve.
Për vitin 2019, vlera e transaksioneve në Euro është e ulët. Kjo për faktin se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur emetime të titujve të Qeverisë Shqiptare në Euro. Vlera prej 547.02 milionë lekë, i korrespondon kryesisht shlyerjes në maturim (si pjesë e transaksioneve të tregut me pakicë) të obligacionit 2-vjeçare në euro.
Sa i takon Bursës Shqiptare etë Titujve (ALSE), e cila filloi aktivitetin në 22 shkurt 2018, ka realizuar në vitin 2019 transaksione vetëm në titujt e Qeverisë. Të gjitha transaksionet e realizuara në bursë kanë qenë në tituj të nominuar në lekë, në ndryshim nga transaksionet e vitit 2018, ku një përqindje e vogël ka qenë në valutë të huaj.
Tregu i Fondeve të Investimit dhe të Pensioneve
Deri në fund të vitit të shkuar në tregun e fondeve të investimit operonin gjashtë fonde, nga të cilët katër fonde investimi (një i licencuar në dhjetor 2019) kryejnë veprimtarinë në monedhën vendase lekë, një fond në monedhën Euro, ndërsa fondi tjetër investon kryesisht në monedhën Euro por edhe në monedha të tjera. Gjatë vitit 2019 asetet neto të fondeve në euro kanë pësuar rënie në krahasim me fundvitin 2018. Rënia e aseteve neto në euro e shprehur në lekë për vitin 2019 krahasuar me vitin 2018 ishte 550 milion lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.