Deeuroizimi në tregjet në mbikëqyrje të AMF,  pak ndryshime në portofolet e kompanive

31/08/2020 12:00 PM 0 komente

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri publik raportin mbi ecurinë e përdorimit të monedhës euro në tregjet në mbikëqyrje. Sa i takon të dhënave nga tregu i sigurimeve për 30.06.2020, primet e shkruara bruto rezultojnë për të gjithë aktivitetin e tregut të sigurimeve Jo-Jetë dhe Jetë në rreth 7.5 miliardë lekë. “Rreth 30% e tyre është realizuar në monedhën Euro.

Në mënyrë të detajuar, vihet re se përveç produkteve të detyrueshme të Kartonit Jeshil dhe Sigurimi Kufitar, ka edhe disa produkte vullnetare që rezultojnë me të ardhura pothuajse 100% të realizuara në Euro, siç është Sigurimi i Shëndetit, Sigurimi i Jetës në Udhëtim dhe Sigurimi i Jetës së Studentit” thuhet në raport. Pesha e primeve të shkruara në Euro kundrejt totalit për aktivitetin e Sigurimit Jo-Jetë ka qëndruar në të njëjtin nivel si në fund të vitit 2019, 31%. Edhe pse brenda strukturës së klasave të sigurimit ka patur disa ndryshime, nuk ka patur efekt në peshën totale të primeve të shkruara në Euro kundrejt totalit për aktivitetin e Sigurimit Jo-Jetë.

Sa i takon tregut të kapitaleve AMF analizon  tregun me pakicë përfshijnë tregtimin e titujve të borxhit të qeverisë mes bankave të licencuara dhe investitorëve individuale apo personave juridikë, në lekë dhe monedhën Euro. Tregu me pakicë dominohet nga blerjet e bankave në tregun primar për llogari të investitorëve. Për 6-mujorin e parë të vitit 2020, vlera e transaksioneve në euro është rritur.

Në Bursën Shqiptare të Titujve (ALSE), gjatë vitit 2019 dhe gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2020 janë realizuar vetëm transaksione në tituj të Qeverisë Shqiptare, të nominuar në lekë.

“Në 30.06.2020, në tregun e fondeve të investimit operojnë gjashtë fonde, nga të cilët katër fonde investimi (një i licencuar në Dhjetor 2019) kryejnë veprimtarinë në monedhën vendase lekë. Një nga fondet e investimit kryen të gjithë aktivitetin në monedhën Euro, ndërsa një tjetër fond investimi kryen vetëm investimin e aseteve në monedha të huaja, kryesisht në monedhën Euro” thuhet në raport sa I takon fondeve të investimit. Gjatë 6 mujorit të parë 2020 asetet neto të fondit në euro kanë pësuar rënie në krahasim me fundvitin 2019. Rënia e aseteve neto në euro e shprehur në lekë për 6 mujorin e parë 2020 krahasuar me vitin 2019 ishte 703 milion lekë ose -7.23%.

Pavarësisht ndryshimeve të vogla  AMF ka nënvizuar se pesha e vlerës së aseteve që administrohen prej subjekteve të mbikëqyrura nga Autoriteti është relativisht e ulët. Gjithashtu, bazuar në të dhënat e mësipërme, niveli aktual i përdorimit të valutës (Euro-s) në tregjet e mbikëqyrura nga AMF është në nivele përgjithësisht të ulëta dhe i diktuar nga profili i veprimtarisë së institucioneve të mbikëqyrura.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of