Deficitet buxhetore duhet të varen nga niveli i papunësisë.

19/12/2020 10:00 PM 0 komente

Disiplina e duhur. Debatet për stimujt po shpërthejnë kudo. Koha për buxhetim, të bazuar në rregulla, shkruan The Economist

 

Parashikuesit ekonomikë nuk kanë faj që janë të pasigurt. Teksa COVID-19 vazhdon të përhapet i shfrenuar në Europë dhe Amerikë, ekonomia botërore po merr një goditje tjetër nga pandemia. Konsumatorët e Amerikës hezitojnë sërish; Sektori i shërbimeve të Europës po kontraktohet. Në të njëjtën kohë, perspektiva e vaksinimit masiv në vitin 2021, rrit mundësinë e një rikuperimi të menjëhershëm.

Në vitin 2020, ekonomistët ishin shumë pesimistë rreth shpejtësisë së rimëkëmbjes pas valës së parë të infeksionit, veçanërisht në Amerikë. Një vaksinë mund të lejojë një rimëkëmbje të shpejtë në vitin 2021. Konsensusi në pranverë, sipas të cilit qeveritë duhet të shpenzojnë shumë në paketat e shpëtimit, ka nxitur debate dhe konfuzion. Në Amerikë, Steve Mnuchin, sekretari i Thesarit, po u jep fund disa programeve emergjente të Rezervës Federale.

Janet Yellen, të cilën presidenti i zgjedhur Joe Biden e caktoi së fundmi për të qenë pasardhësja e zotit Mnuchin, do të përballet me një stuhi ligjore dhe politike në lidhje me autoritetin e huazimit të Rezervës Federale. Kongresi nuk ka gjasa ta pranojë rinovimin e shpenzimeve emergjente për sigurimin e papunësisë dhe huave para se zoti Biden të marrë detyrën.

Në Europë, Hungaria dhe Polonia kanë bllokuar buxhetin e BE-së dhe “fondin e rimëkëmbjes” prej 750 miliardë eurosh (900 miliardë dollarë) në një debat nëse disbursimi i parave të gatshme duhet të kushtëzohet nga vendet që mbështesin shtetin e së drejtës. Komisioni Europian ka paralajmëruar disa vende për borxhet e tyre. Qeveria e Britanisë po përpiqet të lëshojë pe mbi deficitet, duke pranuar se ekonomia ende ka nevojë për mbështetje jetësore, duke shkurtuar pjesërisht buxhetin e ndihmës së huaj.

 

Nevojitet një ide e qartë

Ajo duhet të fillojë me pranimin e faktit se borxhet publike në vendet e pasura, megjithëse kanë arritur majat, janë të qëndrueshme për shkak të normave të interesit të shkallës së ulët. Pavarësisht se ka huazuar deri në 19% të PBB-së së saj këtë vit, Britania do të kursejë rreth 13 miliardë paund (17 miliardë dollarë) në interesin e borxhit, krahasuar me vitin e kaluar. Për sa kohë që normat e interesit janë të ulëta, borxhi më i lartë nuk do të kërkojë shtrëngimin e rripave pas krizës.

 

Ekonomia e dobët rrit deficitet fiskale

Një problem i ndryshëm do të lindë nëse pandemia dëmton ekonomitë, duke ulur të ardhurat nga taksat dhe duke rritur shpenzimet e mirëqenies sociale për një kohë të gjatë. Rezultati do të ishte një mungesë e vazhdueshme në financat publike. Megjithatë, shkalla e ndikimit afatgjatë të pandemisë është shumë e pasigurt për shkak të natyrës së re të krizës. Nxitësi kryesor i luhatjeve të fundit ekonomike kanë qenë diktatet qeveritare, që vendosin nëse dyqanet dhe restorantet mund të qëndrojnë të hapura, ndikimi i të cilave ngatërron modelet ekonomike tradicionale.

Shkalla e papunësisë në Amerikë ishte 2% më pak se parashikimi i Rezervës Federale në verë. Skenarët e paraqitur nga parashikuesit zyrtarë të Britanisë, së fundmi varionin nga parashikimi se nuk do të kishte dëmtime të qëndrueshme, dhe deri në parashikimet e një goditje afatgjatë në PBB prej 6% në vit.

 

Pritje apo veprim

Është më mirë të presim që të shohim se sa e madhe do të jetë gropa që do lërë pandemia në buxhete, në vend që të rrezikohet ngadalësimi i rimëkëmbjes me kursimet e parakohshme. Britania ka zgjedhur të presë. Më shumë vende duhet të ndjekin shembullin e Australisë dhe të zotohen të mos e shtrëngojnë politikën fiskale në mënyrë aktive, derisa ekonomia të kalojë një prag të përcaktuar – në rastin e saj, një normë papunësie prej 6%. Megjithëse “udhëzimi i qartë” nga bankat qendrore ndihmon stimulimin monetar për të funksionuar, rregullat fiskale do të ndihmonin në rritjen e besimit në të ardhmen.

Fatkeqësisht, vendosja e një kornize të re formale fiskale do të jetë e vështirë në Amerikë, me sistemin politik të ndarë dhe të bllokuar. Nga ana tjetër, një marrëveshje pragmatike mund të jetë e mundur në periudhën afatshkurtër – demokratët duhet të pranojnë stimulin më të vogël të ofruar nga republikanët, në vend që të bllokojnë procesin për të mbajtur shpenzimet e mëdha që do të preferonin. Teksa papunësia djeg kursimet e tyre dhe firmat e vogla përballen me një dimër të zymtë, shpejtësia e ndihmës emergjente ka më shumë rëndësi sesa madhësia e saj.

Pasojat e gabimeve të politikave do të jenë gjithnjë e më të mëdha tani sepse normat e ulëta të interesit nënkuptojnë se bankat qendrore nuk mund të vijnë lehtësisht në ndihmë. Qeveritë mund të presin edhe pak para se t’i shtrëngojnë rripat. Dhe pritja është zgjedhja e kujdesshme dhe e përgjegjshme.

 

Pasojat

Pasojat e gabimeve të politikave do të jenë gjithnjë e më të mëdha tani sepse normat e ulëta të interesit nënkuptojnë se bankat qendrore nuk mund të vijnë lehtësisht në ndihmë. Qeveritë mund të presin edhe pak para se t’i shtrëngojnë rripat. Dhe pritja është zgjedhja e kujdesshme dhe e përgjegjshme.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of