Deficiti i llogarisë korente vitin e kaluar zbriti në nivelin më të ulët të katër viteve të fundit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deficiti i llogarisë korente për vitin e kaluar zbriti në 1.08 miliardë euro, në rënie me 7.5% krahasuar me vitin 2021. Kontributin të rëndësishëm në uljen vjetore të deficitit e dha veçanërisht tremujori i fundit i vitit, kur ky tregues pësoi rënie me gati 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia e deficitit të llogarisë korente vitin e kaluar ishte një zhvillim deri diku i papritur, duke pasur parasysh ndikimin negativ të rritjes së çmimeve në bilancin tregtar të vendit. Deficiti i llogarisë korente të ekonomisë shqiptare përcaktohet në masën dërrmuese pikërisht nga varësia prej importeve dhe pozicioni negativ në tregtinë e mallrave.
Veç rritjes së çmimeve në përgjithësi, bilanci tregtar në mallra vitin e kaluar u rëndua më tej nga kriza energjetike dhe nevoja për importe të shtrenjta të energjisë. Në fakt, deficiti tregtar në mallra u rrit me 11.5% krahasuar me një vit më parë.
Por, deficiti i llogarisë korente është ngushtuar nga zgjerimi i suficitit në llogarinë e shërbimeve dhe kontributi pozitiv i zërit të të ardhurave dytësore, kryesisht nga dërgesat e emigrantëve. Suficiti në llogarinë e shërbimeve për vitin 2022 arriti në rreth 2.4 miliardë euro, 33.7% më shumë krahasuar me vitin 2021.
Suficiti në shërbimeve vjen sidomos falë ndikimit pozitiv që sjell sektori i turizmit, ai i fasonerisë dhe i degëve të tjera që bazohen në koston më të ulët krahut të punës, si sektori call center, outsourcing i shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit, etj. Në veçanti, sektori i turizmit po jep kontribut në rritje dhe bilanci neto i të ardhurave vitin e kaluar arriti vlerën rekord prej 1.07 miliardë eurosh, në rritje vjetore me 27.3%.
Një zë tjetër që kontribuon ndjeshëm në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente është edhe ai i të ardhurave dytësore, që përbëhet në pjesën më të madhe nga dërgesat e emigrantëve. Vala e re e emigracionit ka sjellë një cikël të ri rritjes së remitancave. Për vitin e kaluar, remitancat arritën në 834 milionë euro, në rritje me 9.6% krahasuar me vitin 2021.
Përmirësimi i deficitit të llogarisë korrente vitin e kaluar mund të shpjegojë pjesërisht mbiçmimin e lekut në kursin e këmbimit me euron.
Gjatë vitit 2022, euro zbriti në nivelet më të ulëta historike, duke kulmuar në nivelin 112.83 lekë në fund të muajit dhjetor. Një ndikim të rëndësishëm në flukset valutore hyrëse ka pasur edhe ecuria e llogarisë financiare, veçanërisht në zërin e investimeve të huaja direkte.
Investimet e huaja direkte shënuan një rekord të ri historik për vitin 2022. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë ato arritën vlerën e 1.37 miliardë eurove, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.