Degradojnë hekurudhat, përveç amortizimit, dëme në ura nga kërkimi i inerteve dhe tërmeti i 2019

17/08/2020 10:00 AM 0 komente

Situata në hekurudhën shqiptare ka degraduar edhe më tej në vitin 2019 ku, përveçse nuk ka pasur investime të reja, sipas planit, tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit nuk e ka kursyer me dëme. Raporti vjetor i Drejtorisë së Inspektimit Hekurudhor ka analizuar një nga një elementet përbërëse.

Sipas këtij raporti, Njësia e Biznesit të Menaxhimit të Infrastrukturës Hekurudhore (NJMBIH), ka në administrim rreth 351 km vijë hekurudhore, nga të cilat sot janë në funksion rreth 303 km, ndërsa rreth 48 km janë jashtë funksionit.

Nga inspektimet e realizuara është konstatuar se gjendja teknike e vijave hekurudhore të administruara nga ky administrues paraqitet e rënduar dhe pa shenja përmirësimi.

I njëjti dokument analizon faktorët që kanë çuar në vlerësimin negativ të gjendjes së hekurudhës ku, së pari, Traversat speciale të ndërrueseve që pjesën më të madhe janë të degraduara. Si rezultat nuk mund të kryhen punime për retifikimin dhe ruajtjen konstante të vlerave të skartamentit në pjesë të ndryshme të saj. Për pasojë, lëvizja e trenave mbi to është shumë e reduktuar në kufijtë 5-10 km/orë në kthesë dhe 10-20 km/orë në drejtim. Furnizimi me traversa speciale për ndërrueset ka qenë në vlerën 10% të kërkesave.

“Kjo përqindje e lartë e traversave të drurit jashtë funksionit, e pranishme në linjat tona kryesore ka ardhur për shkak të cilësisë së dobët të traversave, cilësisë së dobët të ballastit dhe kuotave të zëvendësimit të tyre jo në proporcion të drejtë me kohën e amortizimit të tyre. Për ta sqaruar, në çdo vit duhej të zëvendësoheshin afërsisht 46.000 copë traversa druri, por në fakt nga statistikat rezulton që në dhjetë vitet e fundit janë zëvendësuar afërsisht 32.650 copë me një mesatare prej 3265 copë në vit, pra më pak se 10% e kuotës të nevojshme vjetore” thuhet në raport.

Sa i takon gjeometrisë së linjës, thuhet se si në aspektin planimetrik dhe në atë altimetrik, linja në pjesën më të madhe të gjatësisë së saj rezulton me deformime dhe shtrembërime të shinave, çedime në pikat e lidhjes së shinave, humbje të paralelitetit të shinave në segmentet e drejta të saj , rampa të theksuara shumë të shpeshta dhe të pa rakorduara, kthesa me zhvillim jo harmonik.

Mungesa të theksuara vihen re edhe në aksesore, probleme në shina si dhe sinjalistika dhe sinjalizimi.

Dëmtohen urat nga heqja e interteve dhe tërmeti i 26 nëntorit

Raporti vëren se përveç dorës së njeriut, ku kërkimi i inerteve ka pasur pasoja të rënda në disa ura edhe tërmeti i 26 nëntorit ka sjellë dëmtime të rënda në asetet e hekurudhës.

“Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dëmtoi rëndë hekurudhën shqiptare. Si pasojë, është reduktuar transporti kombëtar dhe ndërkombëtar deri në stacionin hekurudhor të Gjormit. Arsyeja për këtë reduktim të transportit është dëmtimi i urës hekurudhore mbi lumin Ishëm. Urës i janë dëmtuar trarët mbajtës të pilave nr. 3 dhe nr. 6. Nuk është përcaktuar ende shkalla e dëmtimit të tyre. Më rëndë janë dëmtuar trarë mbajtës në mbështetjen mbi pilën nr.3.

Probleme paraqesin dhe urat hekurudhore të Rrogozhinës, Milotit dhe ajo mbi lumin Kir në Shkodër të cilave u janë zbuluar pilat për shkak të marrjes pa kriter të inerteve nga lumenjtë. Duhet një studim i specializuar për të ndërhyrë në vlerësimin e gjendjes dhe më tej në marrjen e masave për eliminimin e këtyre pasojave” thuhet në raport.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of