Teksa u ka bërë të qartë operatorëve që të bëjnë vetë deklarime të sakta kur marrin pjesë në procedura tenderimi, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka vijuar me përjashtimin e atyre subjekteve që janë kapur në shkelje. Referuar dokumenteve APP përjashtoi në më pak se dy muaj të këtij viti plot nëntë operatorë ekonomikë ku arsyet ndryshojnë nga njëri rast në tjetrin.
Kështu përjashtimi i parë për këtë vit ka zënë vend në datën 10 janar ku ndaj operatorit ekonomik (Atlantik 3) ka nisur procedim administrativ pas pretendimit të një tjetër operatori se ka keqinformuar. APP në këtë rast ka vendosur përjashtimin për tre muaj nga tenderët publikë.
Rasti i dytë sipas shkresave të Agjencisë është ai i datës 27 janar ku subjekti “Korsel” është përjashtuar për 18 muaj nën argumentin se ndodheshim në kushtet e nenit 78/1 të ligjit për Prokurimin Publik.
Kompania tjetër që është lënë jashtë procedurave të prokurimit për 10 muaj është “Aliaj 79”. APP ka dalë në përfundimin se ndodheshim në kushtet e keqinformimit me qëllim kualifikimi.
Subjekti i radhës ishte “Das Oil” që sipas APP është përjashtuar për 12 muaj nga procedurat e prokurimit pas zhvillimit të një hetimi ku është konstatuar se nuk është respektuar kërkesa që parashtron ligji për prokurimin publik.
Me tre muaj është përjashtuar një tjetër operator. Bëhet fjalë për EKM Konstruksion dhe Teknologji. “Në përfundim të procedimit administrativ të nisur u arrit në konkluzionin se ndodheshim në kushtet e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale sipas parashikimeve të nenit 78/1/b të prokurimit publik në të cilin përcaktohet se “APP përjashton një operator ekonomik nga e drejta për të fituar kontrata publike për një periudhë nga 3 muaj deri në 3 vjet për b;mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale në kontratë publike që ka ndodhur për faj të operatorit ekonomik” thuhet në shkresën e APP.
Kompania tjetër “Harmonia” sh.p.k është përjashtuar gjithashtu për 18 muaj ndërkohë që një tjetër subjekt “Paera” sh.p.k është përjashtuar për 5 muaj.
I fundit në listën e APP është Alcani sh.p.k i përjashtuar nga tenderët për 10 muaj me një vendim të datës 9 shkurt./ N.Maho
Link shkresat e vendimeve: http://app.gov.al/transparenca/vendime-t%C3%AB-app/vendime-p%C3%ABr-p%C3%ABrjashtime-t%C3%AB-operator%C3%ABve-ekonomik%C3%AB/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.