Lista e pagave zyrtare për punonjësit në të gjithë vendin u dekonspirua këto ditë dhe po qarkullon në të gjithë median online.
Lista është me 630 mijë punonjës në të gjithë vendin, të punësuar dhe vetëpunësuar, ndërsa pagat janë publikuar për rreth 550 mijë persona, të cilët janë të punësuar në biznese dhe në shtet
Verifikimet tregojnë se lista është reale, teksa publikimi i saj përbën dekonspirimin më të madh të të dhënave personale me sensitivitet të lartë, pas publikimit të të dhënave personale gjatë zgjedhjeve elektorale të këtij viti.
Burimi kryesor që prodhon dhe administron të dhënat është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, por të dhënat përpunohen dhe administrohen edhe nga institucione të tjera statistikore në vend të tilla si INSTAT. Ndërkohë nuk dihet se nga ka dalë lista, që po shpërndahet sot në WhatsApp .
Vitet e fundit, Shqipëria ka investuar në dixhitalizimin, por siç është parë deri më tani, siguria e informacionit është shumë e ulët dhe dekonspirimi i të dhënave sensitive është shumë i lartë.
Ky publik, përveçse mund të ekspozojë të punësuarit ndaj keqbërësve mund të bëhet shkak për rritje të konflikteve sociale, pasi të dhënat rreth pagave preferohen të mbahen të fshehta.
Nga të dhënat, lista e pagave rezulton e janarit 2021.
Prokuroria e Tiranës ka nisur një proces verifikimi pas publikimit të të dhënave.
Mediat raportojnë se grupet e hetimit po përqendrohen në institucionet që administrojnë të dhënat.
“Monitor” iu drejtua AKSHI-t dhe Drejtorisë së Tatimeve. AKSHI tha se nuk ka lidhje me të dhënat që kanë dalë, ndërsa mbetemi në pritje nga Drejtoria e Tatimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.