Flet Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group në Shqipëri
“Delmon Group Albania”, pavarësisht situatës së koronavirusit, ka vijuar punën edhe pse me kapacitet të reduktuar maksimalisht. Drejtori Menaxherial, Ertjan Çabiri, tha për “Monitor” se aktualisht, prodhimi është reduktuar në 90% dhe punonjësve u është dhënë leje vjetore për të qëndruar në shtëpi dhe njëkohësisht për të përfituar edhe pagën e plotë për prillin. Gjithsesi, ai nënvizon se situata për shkak të paqartësisë mbetet e vështirë për gjithë industrinë automotive në botë.
Kriza që po shfaqet nuk është tipikja e një krize ekonomike që godet ofertën ose kërkesën, por një krizë lufte, që godet të dyja njëkohësisht. Ai nënvizon se për kompanitë do të jetë e vështirë të mbajnë punonjësit me paga, nëse prodhimi do të jetë zero. Në Shqipëri, për industrinë automotive, puna nuk varet nga vullneti i kompanisë, por nga situata e kompanive në Europë që kanë mbyllur fabrikat.
Situata e krijuar nga përhapja e virusit COVID-19 ka ndikuar negativisht në sektorin automotiv, si të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë. Muaji mars shënoi rënie deri në 90% të shitjeve të automobilave në Europë.
Ndërkohë, masat e marra për parandalimin e përhapjes se virusit kanë imponuar mbylljen e fabrikave të prodhimit të automobilave të kompanisë PSA, “Renault”, FCA (“Fiat Chrysler Automotive”) etj. Vlen për t’u theksuar se është ndikuar drastikisht edhe kërkesa, por edhe oferta.
Kjo është një situatë që ndodh tipikisht në raste lufte, sepse në rastet e krizave ekonomike, sado të thella, preket vetëm njëra nga kurbat. Kemi të bëjmë me më shumë se një krizë të zakonshme ekonomike. Në këtë kontekst, “Delmon Group Albania”, për muajin prill ka reduktuar prodhimin me rreth 90%. Proporcionalisht, pjesës më të madhe të punonjësve i është dhënë leja e zakonshme vjetore. Kjo ka qenë zgjidhja që kompania jonë ka gjetur për muajin prill, me dëshirën e mirë për të mos i privuar punonjësit nga pagat.
Si e parashikoni situatën në vijim sa i takon vazhdimit të punës? Çfarë është vendosur nga kompania mëmë? Planet e prodhimit si kanë ndryshuar?
Për muajt në vazhdim situata është ende shumë e paqartë. Parashikimet që bëjmë bazohen në skenarë të ndryshëm, ku skenari më i keq është që edhe në maj, prodhimi të jetë thuajse zero. Ndërkohë, nga qershori e më pas prodhimi duhet të rritet gradualisht, por nuk presim që edhe në muajin më të mirë të këtij viti të arrijë më shumë se 70% e prodhimit të parashikuar. Ky është një skenar që bazohet edhe në parashikim e industrisë automotive në tërësi.
A mendoni se industria automotive duhet të jetë në paketën e ndihmës që do të hartohet nga qeveria dhe që pritet të zbardhet në vazhdim?
Për sa i përket ndihmës nga qeveria, deri në këtë moment kompania jonë ka akses te kredia që garantohet për të mbuluar payroll, me interesa të lehtësuara. Kjo mund të jetë njëfarë ndihme, por desha të theksoj se nëse prodhimi shkon në zero, pra punonjësit nuk punojnë, kompanitë nuk mund të marrin kredi për të mbajtur me paga punonjësit që qëndrojnë në shtëpi, sepse kjo nuk ka logjike ekonomike. Sforco e një kompanie mund të shkojë deri në pikën që kemi arritur ne, që kemi dhënë leje të zakonshme 3 javë edhe për punonjës që kanë vetëm një muaj punë, duke mos i lënë pa të ardhura, por s’mund të vazhdojë me muaj të tërë.
Si e parashikoni vitin 2020 për industrinë automotive në veçanti dhe në tërësi për ekonominë, duke pasur parasysh këto zhvillime që nuk janë vetëm lokale?
Në konkluzion, kjo nuk është një krizë normale edhe për faktin se nuk dihet ende se kur do të përfundojë. Rrjedhimisht, përveç faktit që ekonomia ka dhe do të ketë një ngadalësim substancial, është vështirë të parashikohet shkalla në këtë moment.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.