Flet Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group Shqipëri
Kompanitë shqiptare që prodhojnë produkte për industrinë automotive, raportojnë se kërkesa në muajt e parë të vitit ka qenë me luajtje të mëdha.
Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group Shqipëri, shprehet se tashmë kërkesa po shkon drejt stabilizimit, duke nënvizuar se një ndër shkaqet kryesore pse u krijua kjo situatë ishte mungesa e gjysmëpërcjellësve.
Koha ka treguar se në kushtet e sotme nuk mund të bëhet një parashikim i saktë mbi ecurinë e përgjithshme të pjesës së mbetur të vitit, por z. Çabiri shprehet se kompania mbetet optimiste.
Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj gjatë këtyre 5 muajve sa i përket prodhimit dhe porosive nga jashtë?
Pesë muajt e parë të vitit janë karakterizuar nga një kërkesë me variabilitet shumë të lartë, e cila po stabilizohet.
Më konkretisht, janari dhe pjesa e parë e shkurtit janë karakterizuar nga një kërkesë mjaft e ulët (rreth 40% më pak se parashikimet), ndërsa pjesa e dytë e shkurtit dhe marsi kanë pasur kërkesë rreth 120% të buxhetimit të fillimvitit.
Siç mund të imagjinohet, rritja kaq e shpejtë e kërkesës kërkon rritje të kapacitetit dhe rrjedhimisht, krijon vështirësitë e veta në menaxhim. Sigurimi në kohë i lëndës së parë për t’iu përgjigjur sa më shpejt kërkesës së papritur, por edhe shtimi i fuqisë punëtore, kanë qenë problemet kryesore.
Cilët kanë qenë disa nga faktorët e jashtëm që kanë ndikuar në ecurinë e këtij sektori, për shembull lëndët e para, gjysmëpërcjellësit, zinxhirët e furnizimit?
Shkaku i variabilitetit të lartë të kërkesës ka qenë padyshim mungesa e furnizimit me gjysmëpërcjellës në kompanitë e mëdha të prodhimit të makinave, sidomos në Grupin Stellantis që është edhe blerësi më i madh i produkteve të Delmon Group.
Kjo ka ndikuar, sidomos në dy muajt e parë të këtij viti. Ndërkohë, për sa i përket furnizimit me lëndë të para për Delmon, sigurisht kanë rezultuar në disa raste vonesa. Por duke qenë se kjo situatë tashmë nuk është më një e papritur për ne, kemi marrë masa për të eliminuar rrezikun duke rritur nivelin e inventarit.
Më 1 janar të këtij viti, bizneset e lidhur në tension 20, 10, 6 kv janë nxjerrë në treg të lirë dhe po furnizohen me çmim më të lartë energjie. Si e ka ndikuar ky aspekt në punën në fabrikën tuaj dhe koston?
Sigurisht që të gjendur në vështirësinë e një kërkese të ulët, presioni i rritjes së kostove ka qenë shumë problematik. Duhet pasur parasysh që çmimi i lëndëve të para është rritur deri në 30-40% në industrinë e gomës. Çmimi i energjisë elektrike nuk përbën përjashtim.
Nga 1 janari, çmimi është rritur drastikisht. Delmon Group Albania vazhdon të blejë energjinë nga OSHEE, me çmim më të lartë se më parë, por ende jo në treg të lirë. Ne nuk e kemi ndryshuar planin e prodhimit prej rritjes së çmimit të energjisë, por sigurisht kostot rriten drastikisht, duke qenë se prodhojmë me makineri që furnizohen me energji elektrike.
Kjo do të vazhdojë deri në fund të qershorit. Më pas do të vendosim nëse do të ndryshojmë furnizues, kuptohet duke kërkuar oferta nga operatorët e rinj në treg.
Cili ka qenë efekti i konfliktit në Ukrainë në zhvendosjen e bizneseve që i janë larguar atij rajoni drejt Ballkanit?
Në rastin e kompanisë sonë, efektet e luftës, kanë qenë vetëm të lidhura me rritjen e çmimit të lëndëve të para. Kompani të tjera në këtë sektor, sidomos ato që prodhojnë kabllo (wiring) janë detyruar të zhvendosen.
Industri të ndryshme po ngrenë shqetësimin, gjithmonë e më të madh, të fuqisë punëtore. A po kthehet kjo çështje në një shqetësim edhe për ju? Sa e lehtë është sot të sigurosh punonjës nëse ka plane zgjerimi?
Është e vërtetë që garantimi i fuqisë punëtore po bëhet gjithnjë e më shumë problematik. Në krahasim me 3-4 vite më parë, numri i njerëzve që kërkojnë të punësohen është shumë më i ulët, rrjedhimisht edhe mundësia për të zgjedhur njerëz më të kualifikuar është reduktuar.
Në rajonin ku ne operojmë, ende nuk është një problem i pakapërcyeshëm, por nëse trendi i reduktimit të fuqisë punëtore do vazhdojë të jetë ky i viteve të fundit, mund të kthehet në problem madhor.
Si e prisni të jetë pjesa tjetër e vitit sa i takon ecurisë së përgjithshme të kompanisë?
Për pjesën e dytë të vitit jemi optimistë, sepse mendojmë se kërkesa do të stabilizohet në nivelet që kemi parashikuar në fillim të vitit.
Duhet pasur parasysh që kërkesa është ende 10-20% më e ulët se para pandemisë, por të paktën shpresojmë që të mos kemi situata të tjera të paparashikuara që ndikojnë në rënie të menjëhershme të kërkesës, siç ka ndodhur për fat të keq në dy vitet e fundit.
LEXONI EDHE:
Industria automotive, sfida të reja në horizont për kompanitë në Shqipëri, shansi nga Ukraina
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.