Delmon: “Prodhimi 20% më i ulët si efekt i pandemisë, kemi rikthyer punonjësit”

26/12/2020 10:04 PM 0 komente

Flet Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial, Delmon Group Albania

 

Delmon Group Albania, kompani e cila prodhon që nga viti 2018 gomina amortizuese për autoveturat si “Peugot”, “Renault”, “Fiat Group” në Elbasan, ka arritur të barazojë në tetor prodhimin me planin e fillimvitit.

Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial i Delmon Group Albania, thotë se tashmë, edhe punonjësit janë rikthyer të gjithë në pozicionet e tyre për t’iu përgjigjur kërkesës. Pavarësisht kësaj rimëkëmbje, viti 2020 do të ketë gjurmët e pandemisë, ndaj prodhimi pritet të jetë 20% më i ulët, për shkak të situatës së përgjithshme të zinxhirit në industrinë automotive në botë.

 

Si ka qenë ecuria e industrisë automotive dhe specifikisht për kompaninë tuaj në muajt e verës e në vazhdim (flasim këtu për prodhim dhe fuqia punëtore e aktivizuar)?

Ecuria e industrisë automotive ka qenë pozitive, duke pasur parasysh situatën. Pas disa muajsh në rritje, në tetor u barazua prodhimi me planin e parakrizës. Rrjedhimisht, edhe punonjësit janë rimarrë në punë për të përballuar kërkesën e rritur.

 

A keni pasur probleme me punonjësit, duke pasur parasysh që në disa raste, frika apo paniku është bërë shkak për braktisjen e vendit të punës?

Me rritjen e kërkesës në nivelet e planifikuara, kompania jonë kërkoi që të 30 punonjësit e pezulluar gjatë krizës të ktheheshin në punë. Nga këta, vetëm rreth 25 u kthyen. Të tjerët na dhanë arsye të ndryshme pse nuk ishin më të interesuar të ktheheshin. Sigurisht, paniku mund të ketë ndikuar, por nuk mund ta themi me siguri.

 

Si i keni përshtatur kushtet në zbatim të protokollit dhe a ka rezultuar kjo në rritje kostosh apo zgjerim ambientesh?

Ne kemi zbatuar të gjitha rekomandimet e Qeverisë për masat kundër COVID-19. Sigurisht që ka pasur kosto shtesë, të cilat lidhen me blerjen e maskave, dezinfektantëve për duart apo dezinfektimin e fabrikës, por jo në nivele të papërballueshme. Për fat të mirë, nuk kemi pasur nevojë për zgjerim ambientesh.

 

Si e parashikoni mbylljen e këtij viti sa i takon kompanisë suaj në raport me parashikimin fillestar dhe planin e rishikuar(nëse kishte) për shkak të situatës?

Për kompaninë tonë, viti do të mbyllet me rreth 20% më pak prodhim se sa kishim buxhetuar. Ndërsa në nivel grupi, rënia është edhe më e madhe.

 

Si e prisni vitin 2021 po të kemi parasysh kontekstin aktual dhe pasigurinë që ekziston, pavarësisht lajmit të vaksinës?

Viti 2021, për ne parashikohet të ketë rritje. Në këtë periudhë jemi duke përgatitur buxhetin dhe rritja do të jetë e sigurt. Kriza ka ndikuar në atë formë që, megjithëse në nivel grupi, situata është e paqartë në lidhje me prodhimin, të synohet të alokohet sa më shumë prodhim në Shqipëri, për të ulur kostot. Kjo garanton rritjen tonë për vitin tjetër, kuptohet duke marrë në konsideratë që situata nuk do përkeqësohet, ose nuk do të ketë të papritura.

 

A ka pasur lëvizje në zinxhirët e furnizimit, sikurse pritej të ishte një efekt i COVID, duke i afruar këta zinxhirë më afër Europës?

Ende jo sepse kontratat janë afatgjata, por diskutimet për të gjetur furnitorë më afër kanë filluar.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of