Mashtrimi, si akt, është po aq i vjetër sa njerëzimi. Vitet e fundit, në Shqipëri janë shtuar rastet e kallëzimeve për skema të shumta mashtrimi, por ekspertët thonë që ka problematika në gjykim, ndaj të dëmtuarit nuk marrin dëmshpërblimin e tyre. Ndërsa në vitin 2017, veprat penale u rritën me më shumë se 40% se dy vite më parë, ekspertët ligjorë pohojnë rastet e fundit të mashtrimeve këtë vit…
Nga Deada Hyka
Mashtrimi mund të jetë aq i vjetër sa vetë civilizimi. Veprimtaria mashtruese u përmend në Kodin e Hamurabit, që është kodi më i vjetër i njohur i ligjit që daton rreth vitit 1772. Arkeologët e sotëm shpesh zbulojnë monedha të falsifikuara nga qytetet të harruara tashmë. Për sa kohë që ka pasur mundësi, ka pasur mashtrues. Në fakt, në ditët e sotme, mashtrimi ndodh çdo ditë në mbarë botën. Disa kompani apo individë mendojnë se “nuk do të ndodhë me mua/ne”; të tjerë bëjnë kontrolle të vazhdueshme dhe rigoroze, duke u përpjekur të shmangin skema mashtrimi. Këto taktika dhe strategji janë të dobishme, por të kufizuara.
Sipas ekspertëve të fushës ligjore, individët dhe kompanitë duhet të krijojnë mjedise më të ulëta të rrezikut për mashtrime. Për ta bërë këtë, organizatat duhet të kuptojnë së pari mjedisin e tyre të korporatave – lidhjet mes njerëzve dhe vendit të tyre të punës – dhe kontrolle të qarta për natyrën e këtyre sistemeve.
Sot, në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, teknologjitë dixhitale që i mundësojnë biznesit të zhvillohet, gjithashtu ndihmojnë fshehjen e identiteteve dhe makinacioneve të njerëzve që e kryejnë atë biznes, duke i bwrw mashtrimet më të sofistikuara dhe të përhapura. Ndikimi i mashtrimit – për bizneset, palët e interesuara dhe të gjitha ekonomitë – është rritur në mënyrë të ngjashme.
Brenda vitit, në Shqipëri ka pasur disa raste skemash mashtrimi. Më i fundit është rasti me agjencinë turistike, e cila mashtroi me bileta avioni dhe udhëtime, duke mbledhur më shumë se 12 mijë euro dhe pastaj, u zhduk. Më e hershmja, rasti i karburantit Gulf, i cili shiti një numër të konsiderueshëm tollonësh, me vlerë thuajse 5 milionë euro, ku u dëmtuan shumë qytetarë dhe biznese.
Avokatja Denisa Daka, anëtare e Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, thotë për “Monitor” se, këtë vit, rastet e mashtrimit kanë marrë përmasa më të ‘frikshme’ se vitet e mëparshme. Sipas saj, jo vetëm që është rritur numri i kallëzimeve për shkak të mashtrimit, por edhe përfshirja e individëve ka qenë më e prekshme. Ajo pohon se janë shtuar rastet e mashtrimeve me ‘para borxh’. Duke mos pasur një kontratë të shkruar apo vërtetim noterial, individë të caktuar, duke u nisur nga miqësia, mashtrohen për shuma të konsiderueshme. Në raste të tilla, kallëzimi thuajse nuk përfundon kurrë në dyert e gjykatave për shkak të mungesës së provave mbështetëse.
Raste të tjera mashtrimi, sipas saj, ka pasur plot.
“Krimi i mashtrimit, kryer në shumë raste nga individë me precedentë penalë, po merr përmasa të frikshme në vend, duke kthyer në viktima apo të dëmtuar dhjetëra qytetarë. Në këto kushte, të mashtruar e të pashpresë pas kësaj, dhjetëra syresh trokasin çdo ditë në dyert e komisariateve a prokurorive të të gjitha rretheve gjyqësore për këtë qëllim. Vetëm gjatë 2018-s kemi pasur më shumë se 100 raste të tilla krahasuar me një vit më parë.
Veprat penale të mashtrimit, kryer në shumë raste në bashkëpunim, po zënë majën e piramidës prej disa vitesh në raport me veprat e tjera penale, ndërsa pasojat ligjore, morale, ekonomike, janë tejet të rënda për çdo familje e prekur nga ky fenomen.
Qytetarë të të gjitha moshave kallëzojnë dita-ditës, fakte të rënda e tronditëse në lidhje me mashtrimet e kryera ndaj tyre, nga ‘miq të familjes’ kryesisht, të cilët mjeshtërisht, përdorin të gjitha format për të përvetësuar disa para me çdo kusht prej cilitdo”, – thotë av. Daka.
Ajo shton, se shpesh këta ‘mashtrues’ nuk marrin dënimin, duke vazhduar skemat e punët e tyre me paratë që përvetësojnë në çdo rast, ndërsa për të dëmtuarit nis një tjetër kalvar vuajtjesh e peripecish, pasi mbështetja institucionale nga organet e drejtësisë për këtë qëllim, në shumë raste është e pakonsiderueshme.
Sipas ekspertes ligjore, situata është problematike pasi lindin vepra të tjera penale. Ajo argumenton se, individët e dëmtuar nga skemat e mashtrimit, me besim të ulët tek organet e drejtësisë, të tjerë individë të dëmtuar nga këto veprime kriminale, parapëlqejnë t’i zgjidhin privatisht këto probleme, duke menduar më pas si zgjidhje apo alternativë të vetme të zgjidhjes së problemit “vetëgjyqësinë”. Av. Daka shton se gjatë proceseve gjyqësore, ka parë shpesh njerëz në prag të vetëvrasjes nga ky shkak, për shkak të rrënimit ekonomikisht pas një skeme mashtrimi.
Mashtrimet, kryesisht kompanitë e ndërtimit
Një mori kallëzimesh për mashtrim depozitohen nga qytetarë të ndryshëm gjithashtu dhe në lidhje me veprimet e kundërligjshme që shoqëritë e ndërtimit kryejnë kundër tyre, të cilat në shumë raste, konsistojnë në tjetërsimin e pasurive të tyre tek të tretët, pa dijeninë e tyre, në mashtrim me ligjin. Këtë fakt e bën të ditur av. Daka, e cila thotë se janë shtuar shumë rastet e mashtrimit me rishitjet e apartamenteve në Tiranë.
Si funksionon kjo skemë? Avokatja shpjegon: “Teksa qytetarët që porosisin njësi shërbimi apo banimi pranë shoqërive të ndërtimit, pasi kanë shlyer të gjitha pagesat përkatëse presin të pajisen me certifikatë pronësie për pronën e tyre, bëhen të ditur më pas nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që apartamentet apo njësitë e shërbimit të cilat ata kanë blerë, janë shitur rishtas nga shoqëritë e ndërtimit të tretëve, e për këtë arsye nuk mund të jenë pronar të këtyre pasurive pas kësaj”.
Ekspertja e fushës ligjore shpjegon më tej edhe një tjetër skemë që po ndodh dhe për të cilën ka pasur kallëzime të shumta.
“Në të tjera raste, administratorët e shoqërive të ndërtimit, vënë kolateral (apo garanci pasurore), ambientet e blera dhe kontraktuara nga qytetarët, (të cilat ende figurojnë në emër të shoqërive të ndërtimit), për marrjen e huave për interesa të tyre pranë institucioneve bankare, pa dijeninë e këtyre të fundit. Këto hua në shumë raste (me ndërgjegje të plotë) nuk shlyhen nga ana e këtyre të fundit, çka sjell si pasojë nisjen e procedurave përmbarimore për vjeljen e detyrimeve në favor të institucioneve financiare, duke vijuar me sekuestrimin e këtyre pasurive të qytetarëve në vijim.”
Avokatja sjell në vëmendje të tjera raste mashtrimesh që ka pasur në dyert e gjykatave: agjenci udhëtimi, që kanë përvetësuar paratë nga “udhëtimet imagjinare” që organizuan për shumë individë; zyra pune “fantazmë” që kanë përvetësuar paratë e individëve që aplikonin për punë, brenda dhe jashtë vendit; klinika e zyra shërbimi kanë mashtruar gjatë këtyre viteve qindra qytetarë me anë të veprimeve apo mosveprimeve të kryera në kundërshtim me ligjin, të cilat kanë pasur kosto morale dhe materiale të konsiderueshme te të gjithë të dëmtuarit.
“Një kalvar përpjekjesh e vuajtjesh nis pas kësaj për secilin prej tyre, ndërsa sipas mundësive e pritshmërive këta të fundit kërkojnë ndihmë nga avokatët për të nisur procedurat ligjore, për t’iu drejtuar gjykatave a prokurorive për zgjidhjen e këtyre konflikteve, me një buxhet të rrënuar e të rënë moralisht. Për shkak të kostove të papërballueshme për shumë prej tyre, një pjesë e madhe tërhiqen duke u lutur me sy nga qielli që të ndodhë ndonjë mrekulli, ndërsa të pastrehë e në mes të katër rrugëve, kërkojnë ndihmë nga familjarët e tyre për të strehuar fëmijët e tyre posaçërisht”, – shpjegon av. Daka.
Sipas saj, organi i akuzës, në shume raste, i konsideron këto marrëdhënie si civile, paçka se ato janë haptazi veprime të kryera në mashtrim me ligjin. “Në të tjera raste, kur vlerësohet nga akuza nisja e çështjes penale, ndalimi apo arrestimi i këtyre personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, informacioni rrjedh, ndërsa këta mjeshtër mashtrimi ia dalin të largohen me qetësi nga Shqipëria, duke marrë njëkohësisht me vete të gjitha paratë e pasuritë e tyre, duke lënë në qiell të hapur qytetarët me të cilët patën një marrëdhënie të posaçme financiare a kontraktuale, të cilët prisnin konform ligjit të kishin strehën e tyre pas blerjes së këtyre ambienteve. Ndërsa në gjykatat civile, proceset zgjasin me vite, qytetarët apo të dëmtuarit të gjithë së bashku, humbin pas kësaj çdo shpresë apo mundësi për të rimarrë paratë e tyre a mundësinë e blerjes së një strehe tjetër në një kohe të shkurtër”, – shpjegon avokatja, e cila shton që në të shumtën e rasteve, qytetarët nuk arrijnë t’i marrin paratë e tyre.
Veprat e mashtrimit ndër vite
Vepra penale Mashtrim, parashikohet nga Kodi Penal në kreun e krimeve kundër pasurisë dhe të sferës ekonomike. Ligji Penal parashikon 19 figura veprash penale të konsideruara Mashtrime. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, mesatarisht çdo vit, janë proceduar 204 çështje gjyqësore, me rreth 215 autorë të dënuar për grupin e veprave Mashtrime. Sipas të dhënave të tre viteve të fundit të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në total, vepra penale të konstatuara se i përkasin fushës së mashtrimeve, vitin e shkuar arritën mbi 1 mijë të tilla. Sipas shifrave, krahasuar me 2015, ka pasur një rritje të konsiderueshme prej 40.3% të numrit të veprave penale të konsideruara mashtrime. Ekspertët e fushës ligjore raportojnë, se ndonëse ende nuk ka shifra totale për numrin e këtij viti, çështjet në Gjykatë të bëjnë të mendosh për një rritje të numrit të tyre, krahasuar me një vit më parë.
Në botë…
Globalisht, keqpërdorimi i pasurive përfaqëson shumicën e veprimtarisë mashtruese, që përfshin gati 85% të rasteve të përgjithshme të mashtrimit në punë në vitin 2013, me një kosto mesatare prej 130,000 dollarë për rast. Mashtrimi i pasqyrave financiare ishte më i rrallë – vetëm 9% e rasteve të raportuara kishin keqinformime financiare – por në këto raste, humbja e vlerësuar për incident tejkalonte 1 milion dollarë. Interesant është fakti se, dy ose më shumë nga këto lloje të mashtrimeve ndodhën së bashku 30% të kohës.
Sipas raportit të ACFE, agjencia amerikane e zbulimit të mashtrimeve, sektorët më të prekur nga mashtrimet janë bankat / financat, qeveria dhe administrata publike, si dhe prodhimi; brenda këtyre sektorëve, industritë e pasurive të patundshme, minierave dhe naftës dhe gazit kanë raportuar humbjet më të mëdha mesatare. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se mashtrimi ndryshon sipas rajonit. Ndërsa mashtrimi (deklarata financiare) është më i zakonshmi në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, në ekonomitë në zhvillim si ato në Amerikën Latine dhe Azi, korrupsioni është i përhapur. Prandaj, kompanitë që operojnë në juridiksione të shumëfishta duhet të marrin në konsideratë dallimet rajonale kur krijojnë strategjitë e tyre kundër mashtrimit. Me fjalë të tjera, nuk ka një qasje të vetme për të luftuar mashtrimin. Sidoqoftë, aq sfiduese sa kjo mund të jetë, zhvillimi i një qasjeje të përshtatur është vendimtar. Në studimin më të fundit të ACFE, më shumë se gjysma e kompanive që raportonin mashtrim nuk kishin mbuluar asnjë nga humbjet e tyre dhe vetëm 14% kishin arritur të përfitonin një dëmshpërblim.
Pasojat
Mashtruesit sulmojnë të gjithë sektorët ekonomikë dhe pjesët e shoqërisë sonë. Mashtrimi, në mënyrë të qartë shkakton humbje të konsiderueshme monetare për qytetarët, bizneset dhe shoqërinë.
Rastet
Raste mashtrimesh që ka pasur në dyert e gjykatave këtë vit: agjenci udhëtimi, që kanë përvetësuar paratë nga “udhëtimet imagjinare” që organizuan për shumë individë; zyra pune “fantazmë” që kanë përvetësuar paratë e individëve që aplikonin për punë, brenda dhe jashtë vendit; klinika e zyra shërbimi kanë mashtruar gjatë këtyre viteve qindra qytetarë me anë të veprimeve apo mosveprimeve të kryera në kundërshtim me ligjin, shoqëri ndërtimi kanë mashtruar me rishitjen e pronave te të tretët, duke krijuar amulli të cilat janë raste të pazgjidhura në Gjykata.
Mashtrimi, edhe në internet
Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) ka publikuar një studim të fundit mbi sigurinë kibernetike dhe radikalizimin online në Ballkanin Perëndimor. Sipas studimit, Shqipëria nuk ka një Strategji të Sigurisë Kibernetike në vetvete, në mungesë të saj është e mjaftueshme Iniciativa për Sigurinë Kibernetike 2015 – 2017. Qëllimi i Dokumentit të Politikave ishte “të rishikojë dhe të koordinojë detyrimet që rrjedhin nga angazhimet që janë ndërmarrë për një hapësirë të sigurt kibernetike, me qëllim që të sigurohet përmbushja të përgjegjësive të të gjithë aktorëve në një mënyrë të koordinuar”. Ky dokument mbështetet në një numër strategjish dhe politikash ekzistuese, duke përfshirë Strategjinë e Sigurisë Kombëtare 2014 – 2020, Axhendën Dixhitale për Shqipërinë 2014-2020, e cila është në përputhje me Axhendën Dixhitale për Europën 2020 dhe Strategjinë e Sigurisë Kibernetike të BE-së. Shqipëria ratifikoi Konventën e Budapestit në qershor të vitit 2002. Në përputhje me nenin 35 të Konventës, qeveria caktoi një pikë kontaktuese 24/7 në kuadër të Njësisë së Krimit Kibernetik të Policisë së Shtetit Shqiptar. Bashkëpunimi është i mirë, por nuk përdoret aq sa duhet. Nga një perspektivë hetimore, shumë intervistues raportuan marrëdhënie të mira me FBI, Interpol, Europol dhe agjencitë policore të shteteve të tjera, megjithëse policia dhe prokurorët theksuan se disa janë më pak të gatshëm të bashkëpunojnë sesa të tjerët. Për më tepër, u pranua se bashkëpunimi është burim intensiv, kështu që shpesh rezervohet për raste serioze. Lidhja me rajonin, është raportuar bashkëpunim i mirë me Serbinë dhe Kosovën, por kryesisht në një nivel bazë. Ka pasur trajtime të vazhdueshme nga organizatat ndërkombëtare. Për shembull, OSBE ka kryer një sërë aktivitetesh në lidhje me sigurinë e internetit dhe menaxhimin e fatkeqësive, duke u fokusuar në infrastrukturën kritike, një fushë që u theksua si nevojë për trajnim të mëtejshëm. Veprat penale të krimit kibernetik janë të sanksionuara në Kodin Penal të Shqipërisë dhe në Ligjin e Komunikimit Elektronik. Me rritjen e aksesit të përdorimit të internetit rritet edhe numri i mashtrimeve kibernetike në Shqipëri. Shumica e rasteve të krimit kibernetik lidhen me mashtrimin; raste të tjera përfshijnë hakimin, përndjekjen online dhe ndërhyrjen e të dhënave. Rastet e hakimit shpesh përfshijnë qytetarë shqiptarë dhe të huaj, ndërkohë që rastet e përndjekjes në internet kryesisht përfshijnë shtetas vendas, si dhe rastet e ndërhyrjes së të dhënave. Numri i procedurave të regjistruara penale lidhur me mashtrimet kompjuterike është rritur, por dënimet mbeten të ulëta: pesë në vitin 2017 dhe në 2016, dhe katër në 2015. Është pohuar se qeveria bie pre e pesë deri në dhjetë sulme kibernetike në vit. Sipas studimit, Shqipëria është e përgatitur mirë sa i përket legjislacionit në përgjithësi dhe sfera e sigurisë kibernetike nuk është e ndryshme. Kjo u ripohua nga BE, e cila në vlerësimin e saj të vitit 2018, pohoi se Ligji për Sigurinë Kibernetike është pjesërisht i përafruar me NIS, duke vënë në dukje më tej se Shqipëria është e përgatitur mesatarisht në fushën e sigurisë së informacionit, duke theksuar progresin në lidhje me planin e veprimit dixhital të axhendës, shërbimet e qeverisjes elektronike, strategjinë ndërsektoriale të axhendës dixhitale të Shqipërisë për 2015-2020 dhe planin për zhvillimin e brezit të gjerë. Vlerësuesit e BE-së përmendën përparim të mirë në fushën e komunikimeve elektronike me miratimin e ligjit për zhvillimin e rrjeteve të komunikimit elektronik me shpejtësi të lartë, duke theksuar se ky ligj është plotësisht në përputhje me BE. Sidoqoftë, pengesat dhe sfidat që pengojnë kapacitetet institucionale brenda autoriteteve qeveritare mbeten, duke përfshirë ato në lidhje me personelin, trajnimin dhe kapacitetin teknik. Marrëdhëniet ndërmjet sektorit publik dhe atij privat duhet të shfrytëzohen më mirë në këtë fushë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.