Dëmet më të shtrenjta për siguruesit, kryeson sigurimi i garancive

01/02/2021 11:01 PM 0 komente

Një dëm i ndodhur iu kushton siguruesve shqiptarë mesatarisht 150 mijë lekë ose rreth 1200 euro.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare treguan se për vitin 2020 dëmi mesatar në sigurime u rrit me 26.6% krahasuar me një vit më parë. Për herë të parë vitin e kaluar, siguruesit paguan më shumë dëme në sigurimet e pronës sesa në sigurimet motorike.

Ky ndryshim strukturor, i lidhur me tërmetin e nëntorit 2019, duket se ka ndikuar edhe në rritjen e dëmit mesatar të paguar nga kompanitë e sigurimeve. Një dëm në pronë iu kushton siguruesve mesatarisht 741 mijë lekë ose afërsisht 6 mijë euro. Megjithë rritjen e numrit të dëmeve në këtë klasë për shkak të tërmetit, dëmi mesatar pësoi rënie me 18% krahasuar me vitin 2019. Pavarësisht nga kjo, një dëm në pronë kushton mesatarisht shumë më tepër se një dëm në sigurimet motorike. Statistikat e AMF-së tregojnë se për vitin 2020 një dëm në sigurimin motorik kushtonte mesatarisht 190 mijë lekë ose pak më shumë se 1500 euro. Krahasuar me një vit më parë, dëmi mesatar u rrit lehtë me 2.9%.

Brenda produkteve të sigurimit motorik, megjithatë, dëmi mesatar ka ndryshime të konsiderueshme për produkte të ndryshme. Sigurimi i detyrueshëm i mjeteve për përgjegjësitë ndaj palëve të treta ka një kosto shumë afër mesatares së sigurimeve motorike, me rreth 193 mijë lekë për dëm. Ndërsa dëmet që mbulohen nga kartoni jeshil janë shumë më të shtrenjta dhe për vitin 2020 ishin mesatarisht 785 mijë lekë, 33% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Për vitin 2020, klasa e sigurimit me dëmin mesatar më të lartë ishte ajo e sigurimit të garancive. Për çdo dëm në këto klasa kompanitë paguan 1.8 milionë lekë, në rritje me 354% krahasuar me vitin 2019. Këto sigurime kanë një peshë të ulët në treg, me më pak se 2% të prime të shkruara bruto, por përgjegjësitë e siguruara prekin vlera relativisht të larta. Mes klasave kryesore, ato më dëmin mesatar më të ulët ishin sigurimi i shëndetit dhe aksidenteve, ku kompanitë e sigurimeve paguan mesatarisht vetëm 20 mijë lekë për çdo ngjarje sigurimi.

Për vitin 2020, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 7.6 miliardë lekë dëme, në rritje me 18.6% krahasuar me një vit më parë. Por, në numër dëmet e paguara pësuan rënie me 1.6% krahasuar me vitin 2019 dhe rrjedhimisht dëmi mesatar shënoi rritje. Megjithë rritjen e lartë të dëmeve nga klasat e pronës, për shkak të tërmetit, pandemia solli rënie të ndjeshme të tyre në disa klasa të tjera, sidomos në dëmet motorike dhe në sigurimin e aksidenteve në udhëtim./E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of