Dëmet nga tërmeti, hapet tenderi për ndërtimin e spitalit të ri të Laçit. Afati i ofertave deri më 24 gusht

13/07/2020 3:38 PM 0 komente

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hap tenderin për ndërtimin e spitalit të Laçit. Qeveria ka gati projektin e ndërtimit të spitalit të Laçit, që do të ngrihet mbi rrënojat e spitalit të vjetër, që u shkatërrua nga tërmeti i 26 nëntorit. Punimet për spitalin rajonal të Laçit pritet të zgjasin 4 muaj.

Për ndërtimin e spitalit të ri, do të përdoren një pjesë e fondeve të kredisë që qeveria shqiptare ka marrë te Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e “Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor në Shqipëri”. Kërkesa e ministrisë për pranimin e ofertave është publikuar në buletinin e Fletores Zyrtare.

Në shpalljen e ftesës për ofertat e prokurimit, Ministria e Shëndetësisë në rolin e agjencisë zbatuese të projektit përcakton se afati për dorëzimin e ofertave është deri më 24 gusht 2020. Të gjitha ofertat duhet të jenë të shoqëruara me sigurimin e ofertës nëpërmjet garancisë bankare në vlerën e 66 mijë eurove, po ashtu nuk duhet të dorëzohen elektronikisht dhe jashtë afatit të përcaktuar.

Për pranimin e ofertave të prokurimit, do të ndiqen procedurat ndërkombëtare të përcaktuara në udhëzimet e Bankës Botërore. Kompanitë e interesuara duhet të kenë eksperiencë për kontrata në rehabilitimin e ambienteve spitalore dhe institucioneve të kujdesit shëndetësor në 5 vitet duke nisur nga 1 janar 2015.

Ofertuesit duhet të kenë realizuar të paktën një kontratë me vlerë 2,7 milionë euro për ndërtimin dhe rehabilitimin e ambienteve spitalore apo në 5 vitet e fundit të ketë realizuar projekte me vlerë mesatare 6,7 milion euro.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of