Raporti mes dëmeve dhe primeve për 4-mujorin e 2012-s krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë arriti në 40%, nivel ky jo i zakonshëm për tregun shqiptar. Tregu i sigurimeve në Shqipëri e ka pasur këtë raport historikisht nën pragun e 30%, raport ky shumë më i ulët se vendet e tjera.
Në pamje të parë, kjo shifër tregon se janë rritur pagesat e kompanive për dëmet e shkaktuara për këtë periudhë, por nga ekspertë të sigurimeve mësohet se në fakt bëhet fjalë për dëme që i përkasin periudhave të mëparshme, për detyrime të “importuara”, për dëme që kompanitë duhet t’i kishin paguar në kohën e duhur, por për shkaqe të ndryshme, u paguan gjatë kësaj periudhe (si detyrime nga konflikte të zgjatura gjyqësore e që në pjesën më të madhe kanë vënë “me shpatulla pas murit” shoqëritë). Detyrimi për t’i paraqitur në pasqyrat financiare reflektohet pikërisht te këto shifra.
Pavarësisht rritjes së numrit të dëmeve të paguara (57% ndaj 4-mujorit të vitit të kaluar me vlerë 1 miliard lekë) vlera mbetet ende e ulët dhe tregon se ka ende shumë për të bërë në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj klientit dhe publikut në tërësi.
Po përse në Shqipëri, raporti dëme/prime është ende i ulët? Arsyet, si nga drejtuesit e shoqërive të sigurimit, ashtu edhe nga ekspertët, vlerësohet të jenë të ndryshme.
Sipas ekspertëve në Shqipëri, ndryshe nga çfarë ndodh në vendet e tjera, paguhen thjesht dëmet dhe jo detyrimet që kanë shoqëritë e sigurimit ndaj klientëve të tyre, kjo deri-diku “favorizohet” edhe nga mënyra e hartimit të kontratave që kryesisht flet më shumë në favor të shoqërive sesa të vetë personit. Në këtë pikë, juristët shprehen se rishikimi i kushteve të kontratës dhe një formulim më i qartë dhe i monitoruar mirë nga AMF do të ishte një masë e drejtë.
Një tjetër çështje ka të bëjë me numrin e automjeteve të pasiguruara që vlerësohet të jetë i lartë dhe kjo ka rënduar kostot e sistemit dhe në veçanti, të shoqërive të sigurimit. Nga një vlerësim i pagesave për vitin 2011 të dëmeve nga Fondi i Kompensimit, efekti në raportin dëme/prime të tregut do të ishte 4% më tepër nëse do të ishin zbatuar afatet e pagesave nga ky fond.
Sipas ekspertëve, financimi i skemës së fondit të kompensimit nga gjobat e vjela nga automjetet e pasiguruara, pavarësisht rregullimit në legjislacion, nuk ka gjetur zbatim në praktikë, dhe vështirë se do të mund të gjejë edhe në të ardhmen.
Në lidhje me këtë, pak kohë më parë, AMF-ja deklaroi se nuk do të ketë më tolerim për kompanitë që nuk derdhin shumën e detyrueshme në këtë fond sipas rregullores.
Problem tjetër që ekspertët sjellin në vëmendje në lidhje me nivelin e ulët të pagesës së dëmeve ka të bëjë edhe me faktin se shpesh shoqëritë e sigurimit lënë në “harresë” dëmet që kapin vlera të ulëta pagese dhe merret vetëm me ato të lartat, por kjo bën që në finale të rritet “stoku” i dëmeve.
Madje, sipas tyre, nuk mungojnë edhe rastet kur nuk respektohen afatet e pagesave të këtyre dëmeve. Në ligj përcaktohet se afati maksimal është brenda 3 muajve.
Ka edhe një aspekt tjetër që sillet në vëmendje nga ekspertët, që ka të bëjë me kostot që duhet të paguajë i siguruari për të përfituar dëmshpërblimin. Një pjesë e mirë shkon për shpenzime të natyrave të ndryshme, si vlerësimi që ekspertët i bëjnë dëmeve, shërbime servisi apo kostot që duhet të paguhen në gjykatë, kur çështja dërgohet për t’u zgjidhur nga togat e zeza. Kjo përbën një “odise” më vete. Në jo pak raste ka pasur abuzime nga gjykata dhe avokatët, të cilët përcaktonin çmime të larta. Luhej me moton “sposto, shtyj ose mos paguaj”. Ekspertët thonë se ky ngërç, deri-diku, është kapërcyer, pasi baza ligjore favorizon llogaritjen me një standard të dëmeve, kudo që ato të jenë, në të gjitha gjykatat.
E si të mos mjaftonin të gjitha këto probleme që mbarten vit pas viti, edhe për faktin se tregu është ende i pakonsoliduar, një “goditje tjetër” ishte efekti që dha në uljen e të ardhurave
(si pasojë u ul aftësia e shoqërive për të paguar dëmet) liberalizimi i çmimit të TPL-së.
Në jo pak raste, edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka deklaruar se ky raport nuk është një tregues i mirë për tregun, ndaj meriton vëmendje dhe më shumë punë. Autoriteti po synon që falë përmirësimeve në aktet ligjore të bëhet e mundur që të
ketë sa më pak hapësira për abuzime dhe të ulet tendenca që kanë kompanitë për mospagimin e dëmeve. Për këtë qëllim është përmirësuar rregullorja e provigjionimit, pasi një pjesë shumë të rëndësishme në kalkulimin e kësaj shifre luajnë provigjionet, në bazë të së cilës iu kërkohet shoqërive që të mbajnë në provigjione vlerën e dëmeve në proces gjyqësor.
Kompanitë kanë mbajtur vlerën që ato vetë kanë vlerësuar, e cila gjithmonë ka pasur tendencën të jetë në shifra më të ulëta sesa ka qenë realisht.
Mbikëqyrja e rrezikut gjithashtu vlerësohet nga AMF si një mënyrë që do të ndikojë në përmirësimin e këtij raporti, efektet e të cilit do të jenë më afatgjatë.
Operimi i shoqërive të huaja, gjithashtu shikohet si një mundësi për të sjellë në tregun shqiptar përmirësim të praktikave, të detajimit të procedurave, të trajtimit të dëmeve etj.
Edhe roli i përmbaruesve privatë ka dhënë efekte në rritjen e pagesës së dëmeve. Janë këto shoqëri private që kanë bërë të mundur ekzekutimin e detyrimeve që kanë pasur shoqëritë e sigurimeve.
Ekspertët vlerësojnë se peshën kryesore në raportin dëme-prime e zënë sigurimet motorike dhe nëse çmimet dhe mbajtja e rezervave bëhet në bazë të rregullave më të drejta, atëherë kjo do të ndikojnë në mënyrë pozitive në përmirësimin e këtij raporti.
Vlerësuesit e dëmeve, kur “luhet” pa rregulla të qarta
Në Shqipëri, ky është një shërbim relativisht i ri, ndaj dhe problemet nuk janë të pakta. Po si kanë ndikuar vlerësuesit e dëmeve të sigurime në trajtimin e kontratave.
Në vitin 2004, me një ligj (nr. 9267, datë 29.07.2004, “Për veprimtarinë e sigurimeve, risigurimeve dhe ndërmjetësit në sigurime dhe risigurime”) u bë e mundur që krahas agjentëve të cilët ishin të licencuar nga AMF-ja për shitje kontratash sigurimi të krijohej në tregun e sigurimeve dhe e drejta e licencimit për t’u marrë me trajtimin e dëmeve që rridhnin nga kontrata e sigurimit.
Pas një periudhe jo të shkurtër, nga ana e AMF-së u hartuan aktet nënligjore për kushtet që duhet të plotësoheshin për pajisjen me licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Në korrik të vitit 2008 u dhanë licencat e para për vlerësuesit e dëmeve. Kryesisht hynë në testim dhe u licencuan punonjësit e punësuar në sektorin e dëmeve pranë shoqërive të sigurimit, si dhe ata që plotësonin kriteret e vendosura nga AMF-ja.
Deri tani janë licencuar rreth 67 persona, nga të cilët 19 të pavarur (nuk punojnë në shoqëri sigurimi) 1 shoqëri vlerësuese dëmesh dhe pjesa tjetër (39) janë punonjës të shoqërive të sigurimit. Në fund të vitit të kaluar u pezulluan nga ushtrimi i aktivitetit rreth tetë vlerësues të pavarur për shkelje të kryera në ushtrimin e profesionit. Por, gjatë kësaj periudhe
nuk ka pasur asnjë pezullim licence për vlerësues dëmesh që janë të punësuar në shoqëri sigurimi. Ekspertë të pavarur të dëmeve thonë se ky fakt nuk tregon cilësi apo saktësi në llogaritjen e masës së dëmshpërblimeve nga vlerësuesit e dëmeve të punësuar në shoqëritë e sigurimeve, pasi klientët kanë shumë ankesa lidhur me masën dhe afatin e gjatë kohor të dëmshpërblimit, i cili dukshëm kalon periudhën 30-ditore për dëmet materiale dhe 90-ditore për dëmet shëndetësore (afati ligjor për pagesën e dëmit nga shoqëria e sigurimit).
Vlerësuesit e pavarur të dëmeve thonë se për të kryer këtë profesion është e nevojshme pajisja me një kontratë me një shoqëri sigurimi, në të kundërtën shoqëria e sigurimit nuk të njeh dhe si rrjedhim nuk mund të përfaqësohet klienti në marrëdhëniet me shoqërinë e sigurimit. Kjo parregullsi, thonë ata, krijoi pamundësinë e ushtrimit të profesionit duke i detyruar vlerësuesit e licencuar të ushtronin profesionin vetëm si ekspertë të thirrur nga gjykata për çështje civile që rrjedhin nga mosmarrëveshjet e lindura për masën e dëmshpërblimit midis shoqërive të sigurimit dhe përfituesve. Për vlerësuesit e pavarur, probleme paraqesin edhe kostot e larta, si qiraja e ambientit, pagesa për taksa, tatime, pagesa për sigurimin e përgjegjësisë profesionale etj., kur mundësia për të ushtruar profesionin do të jenë vetëm ekspertizat e kryera në gjykata.
Rritja e numrit të personave të testuar e të licencuar nga AMF e shikojnë si domosdoshmëri për tregun pasi rrit konkurrencën, por që duhet të kushtëzohet me forcimin e testimit për të marrë licencën, në mënyrë që të licencohen ata që e meritojnë.
Vlerësuesit e pavarur thonë se forcimi i testimit për të marrë licencën do të sjellë uljen e numrit të vlerësuesve të paaftë, në treg, të cilët në llogaritjet e dëmshpërblimeve zbatojnë edhe metodika, të cilat janë në kundërshtim me kushtet e kontratave të sigurimit në fuqi.
Në trajtimin e dëmeve motorike e kryesisht ato shëndetësore, përfituesit (personat e dëmtuar apo familjarët) nuk janë të informuar për detyrimet dhe të drejtat që jep ligji për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.
Shoqëritë e sigurimit kanë nxjerrë udhëzime të veçanta të
ndryshme dhe asnjëra nuk ka të afishuara pranë zyrave dokumentacionin që duhet të paraqitet për rastet e përfitimit
nga një aksident komunikacioni.
Konsumatori, thonë vlerësuesit e pavarur të dëmeve, është totalisht i pambrojtur gjatë procesit të vlerësimit të dëmit, pasi është pjesëmarrës vetëm në momentin e kryerjes së
akt-ekspertizës dhe më pas nga shoqëria e sigurimit i vendoset përpara një formular me vlerën e dëmit që ka llogaritur ajo vetë e për të cilën detyrohet të nënshkruajë. Nëse klienti nuk është dakord me vlerën e dëmit, atëherë ai detyrohet të bëjë ankim, dhe shpesh të detyruar nga zgjedhja “ose merr këtë dëmshpërblim pjesor ose ndryshe nuk merr fare”, klientët janë të detyruar të nënshkruajnë vetëm e vetëm që të fillojnë ndjekjen e procedurave gjyqësore të lodhshme dhe shpesh jo të frytshme. Sipas rregulloreve, ankimi duhet të shqyrtohet dhe të marrë përgjigje brenda 10 ditëve. Nëse vlera e rrillogaritur (në shumicën e rasteve është përsëri e njëjta) vlerësohet nga klienti si e pamjaftueshme për riparimin e mjetit dhe si e tillë, refuzohet, atëherë ai ka të drejtën t’i drejtohet gjykatës për zgjidhjen e konfliktit. Në gjykatë, procesi mund të zgjasë
4-5 vjet. Për shuma të vogla dëmshpërblimi, klienti detyrohet të pranojë vlerën e dhënë nga shoqëria, ndërsa vetëm për shuma të konsiderueshme i drejtohet gjykatës. Në përfundim të procesit gjyqësor, shoqëria e sigurimit penalizohet me vlerën e dëmit të cilin duhet ta paguante, por me interes vjetor të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë (rreth 5-6% të shumës totale në vit).
Vlerësuesit e pavarur thonë se shoqëritë e sigurimit janë të interesuara që çështjet të kalojnë në gjykatë, pasi pagesa kryhet pas 4 apo 6 vitesh dhe me penalizim të vogël.
Në gjykatë janë rreth 800 procese ankimimi lidhur me masën e dëmshpërblimit. Nuk mungojnë edhe rastet kur pavarësisht se aksidenti ka ndodhur në vitin 2002, përfituesi nuk ka marrë dëmshpërblimin.
Lista e gjatë e problemeve
Problemet që ka sot tregu i sigurimeve në fushën e pagesës së dëmeve janë të shumta. Vlerësuesit e pavarur të dëmeve citojnë çështjet ku mund të ndërhyhet. Sipas tyre, në ligjin nr. 10076, datë 12.02.2009, neni 12, “Procedura dhe afate për rregullimin e shpërblimit të dëmeve”, pika 2 (germa a, b) afatet kohore të pagesës së dëmit nga shoqëria e sigurimit janë: 30 ditë për dëme materiale dhe 90 ditë për dëme shëndetësore. Në po këtë nen, pika 4 citohet: “Në rast të mosrespektimit të afateve të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, palës së dëmtuar i lind e
drejta e përfitimit të interesit mbi shumën e dëmshpërblimit i cili është si interes i një llogarie rrjedhëse sipas ligjit, dhe asnjëherë nuk llogaritet nga shoqëritë e sigurimeve”.
Ata propozojnë që neni të hartohet: “Në rast të mosrespektimit të afateve të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, palës së dëmtuar i lind e drejta e përfitimit të interesit të pagueshëm 15% e interesit vjetor të vlerës së dëmit që ai përfiton në shlyerjen e dëmshpërblimit nga siguruesi përgjegjës, duke filluar nga data e paraqitjes së kërkesës për dëmshpërblim”.
Kjo masë zbatohet në marrëdhëniet me shoqëritë anëtare të Këshillit të Byrosë Europiane të Kartonit Jeshil.
Ky ndryshim thotë se vlerësuesit e pavarur do t’i bënin më të përgjegjshme shoqëritë e sigurimit ndaj detyrimit që kanë për të paguar brenda afateve dëmet.
Një tjetër çështje që kërkon zgjidhje, sipas tyre, ka të bëjë me njohjen nga shoqëritë e sigurimit të së drejtës që vlerësuesi i dëmit të këshillojë klientin, ta shoqërojë pranë shoqërisë së sigurimit për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm e të domosdoshëm në rastin e kërkesës për dëmshpërblim e deri në arkëtimin e shumës së vlerës së dëmit.
Vlerësuesit e pavarur të dëmeve vlerësojnë si të rëndësishme edhe freskimin e metodës së llogaritjes së dëmeve motorike nga shoqëritë e sigurimit, të cilat i kategorizojnë mjetet në tri grupe sipas vjetërsisë së tyre, duke parashikuar ore punëtorie të ndryshme, që fillon nga 500-1,500 lekë/ora, e cila është e barabartë me atë që ofrojnë serviset që ushtrojnë aktivitet në mënyrë të paligjshme.
Unifikim i llogaritjes së pjesëve të këmbimit, orëve të punës për dëmet motorike, me katalogët e vitit të fundit në qarkullim (quarto rote) për vlerësuesit e pavarur është domosdoshmëri, pasi ende këto llogaritje bëhen me vlerat e vitit 2005-2006.
Sipas tyre një kopje e akt-ekspertimit dhe vlerësimit të dëmit detyrimisht t’i dorëzohet klientit në momentin e kryerjes së tyre nga vlerësuesi i dëmit.
Një pjesë e madhe e shoqërive, thonë ata, bëjnë pagesën e masës së dëmshpërblimit pa llogaritur vlerën e TVSH-së për punimet e kryera e si rrjedhim, pagesa e dëmshpërblimit është 20% më e ulët, pra stimulohen për të punuar serviset e palicencuara.
Vlerësuesit e pavarur të dëmeve thonë se do të ishte e domosdoshme ndërhyrja e AMF-së për të lidhur kontratë midis shoqërive të sigurimit, që të bëhet i mundur trajtimi i dëmshpërblimit të klientit në shoqërinë e tij të sigurimit dhe jo në shoqërinë përgjegjëse; detyrimin e shoqërive të sigurimit për të negociuar me klientin para se ai t’i drejtohet gjykatës; si dhe për ngritjen e një institucioni ankimi që do të merrte në shqyrtim ankesat e klientëve e nëse ato do të vlerësoheshin të drejta, të detyrohej shoqëria të kryente pagesën.
Vlerësuesit e pavarur të dëmeve thonë se AMF-ja duhet të marrë në konsideratë edhe opinionet e tyre gjatë hartimit të ligjeve të reja. Sipas tyre, roli i AMF-së duhet të jetë shumë i madh për rritjen e reputacionit të shoqërive të sigurimeve, ku trajtimi i dëmeve dhe dëmshpërblimet luan rol të dorës së parë në forcimin e besimit dhe për pasojë, edhe të rritjes së këtij tregu.
Informimi
Në trajtimin e dëmeve motorike e kryesisht ato shëndetësore, përfituesit (personat e dëmtuar apo familjarët) nuk janë të informuar për detyrimet dhe të drejtat që jep ligji për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.