Të ardhurat e kompanive të sigurimit për janarin 2018 kanë shënuar rënie. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vlerëson se primet e shkruara bruto në totalin e tyre regjistruan vlerën 1.2 miliardë lekë në muajin e parë të vitit. Kjo shumë është 1.59 për qind më e ulët se janari i vitit të kaluar. Por ndërkohe krejt e kundërta ka ndodhur me numrin e kontratave e cila është në rritje në raport me një vit më parë.
“Gjatë janarit 2018, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 88,566 me një rritje prej 6.54% krahasuar me janar 2017. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.62% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.02% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.35%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 38.92% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 61.08% të totalit të tregut” njoftoi AMF.
Dëmet e paguara
Pavarësisht rënies së të ardhurave kompanitë e sigurimit kanë rritur pagesat e tyre për dëmet që mbulohen nga siguracionet. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 317 milionë lekë (rreth 2.3 milionë euro , 1 euro =137 lekë), ose 9.76% më shumë se në janar 2017.
Pjesën më të madhe të dëmeve e zënë ato motorikë dhe konkretisht përgjegjësia ndaj palëve të treta(klasa10) me një vlerë 179 milionë lekë, çka në raport me një vit me parë rezulton me një rritje të pagesës prej 37 për qind. Ajo që vihet re është ulja me të paktën 69 për qind e pagesës për dëmet që vijnë nga zjarri dhe dëmtimet e tjera në pronë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.