Flet ministrja e Financave, znj. Anila Denaj: Në vitin 2019, rritja ekonomike u rishikua, kjo është artikuluar disa herë në disa nga daljet e mëparshme publike dhe e lidhur kryesisht me disa faktorë të ndodhur një herë, si ai i energjisë apo i mbylljes së lojërave të fatit, që çuan në tkurrjen e ekonomisë në vitin 2019. Ne kemi parashikuar rritjen ekonomike në 2,7% edhe pse ishim më optimistë përpara ndodhjes së tërmetit
Ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur me 2.7% në vitin 2019, nga rreth 4% që ishte pritshmëria fillestare. Ministrja e Financave, znj. Anila Denaj, në një intervistë për “Monitor Ekonomi”, tha se ngadalësimi i ekonomisë lidhet me faktorë që ndodhin një herë, si rënia e prodhimit të energjisë, mbyllja e lojërave të fatit, apo tërmeti që goditi vendin në fund të nëntorit. Ajo është optimiste se për këtë vit, rritja do të përshpejtohet sërish në rreth 4%, e nxitur nga konsumi, shërbimet dhe rindërtimi pas tërmetit. Denaj shtoi se për bizneset e prekura nga tërmeti, Ministria e Financave po përgatit një udhëzim, i cili do të ketë efekt për të gjitha subjektet që kanë pasur dëme të konsiderueshme apo dëme të zërave të caktuar në bilancin e tyre, por nuk mund të bëhet fjalë për falje të taksave.
Si e prisni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2020 dhe cilët vlerësoni ju se do të jenë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht apo negativisht, duke pasur parasysh zhvillime si tërmeti apo mbarimi i projekteve të mëdha të huaja të TAP-it apo Devollit?
Viti 2020, sikurse është paraqitur dhe në shifrat e projektbuxhetit, ka disa elemente bazë, për të cilat ne jemi optimistë që do të jetë një vit i suksesshëm. Në radhë të parë, nëse flasim për rritjen ekonomike përtej komenteve nëse rritja ekonomike e parashikuar në vitin 2020 është një rritje pak optimiste, ne gjykojmë që ka shanse të mira dhe ka tregues që e mbështesin këtë parashikim tonin. Në vitin 2019, rritja ekonomike u rishikua, kjo është artikuluar disa herë në disa nga daljet e mëparshme publike dhe e lidhur kryesisht me disa faktorë të ndodhur një herë, si ai i energjisë apo i mbylljes së lojërave të fatit, që çuan në tkurrjen e ekonomisë në vitin 2019. Ne kemi parashikuar rritjen ekonomike në 2,7% edhe pse ishim më optimistë përpara ndodhjes së tërmetit. Ndërkohë, për të mbështetur rritjen ekonomike me 4,1% në 2020-n ka disa elementë. Së pari, mendojmë se konsumi do të jetë një tregues rritës, sektorë të caktuar të ekonomisë parashikojmë që të jetë me ritëm rritjeje. Me përjashtim të energjisë, të gjithë treguesit e tjerë si shërbimet, hoteleria dhe turizmi kanë pasur rritje të konsiderueshme dhe mbështesin projeksionet tona edhe për vitin 2020 me të njëjtin ritëm. Edhe investimet e huaja direkte, të cilat për të dytin vit radhazi kanë qenë në të njëjtin parashikim, sikurse ai i një viti më parë. Këta janë tre faktorë mbi të cilët ne e mbështesim me rritjen ekonomike të vitit 2020. Ndërkohë, situata me tërmetin solli një rishikim të buxhetit si në aspekt të rishikimit të një shume të konsiderueshme në zërin e fondit të rindërtimit, prej 20 miliardë lekësh, por gjykojmë që do të na ndikojë pozitivisht edhe në faktorë të tjerë të rritjes së konsumit dhe të zhvillimit ekonomik.
Buxheti i vitit 2020 është kryer duke pasur parasysh pritshmëritë e 2019-s, që të paktën nga të dhënat e deritanishme nuk do të realizohet, me rreth 120 apo 130 milionë euro më shumë. Së pari, pse ka ndodhur kjo, pra pse nuk janë realizuar të ardhurat dhe a do të ketë rishikim të buxhetit duke e përshtatur me ndikimin që do të ketë tërmeti në ekonomi?
Ne realizam të ardhurat në masën 95,8% të planit. Në më shumë se 60% të diferencës plan-fakt kanë ndikim faktorë që janë jashtë mundësisë së parashikimit në momentin e parë që është bërë planifikimi, sikurse një shumë prej 5,5 miliardë lekësh në raport me këtë fakt është argument i proceseve të brendshme të menaxhimit dhe realizimit të treguesve që lidhen kryesisht me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe produktet e akcizës. Ne parashikojmë çdo vit një numër të caktuar të qarkullimit të produkteve të akcizës në vend, me çmime që jo domosdoshmërisht kanë lidhje me çmimet e tregut të brendshëm, por kanë lidhje me tregun e jashtëm, siç është çmimi i karburantit që ndikohet nga bursa. Në muajin shtator ka pasur një ndikim dhe ka reflektuar edhe në çmimet lokale, sikurse edhe në uljen e sasisë në qarkullim të këtij produkti. Ndërkohë, në vite janë bërë lehtësira. Në vitin 2019, lehtësitë fiskale, për të cilat nuk adoptuam planin, siç është ajo e TVSH zero për produktet bujqësore apo mbyllja e lojërave të fatit, sigurisht sollën dhe ato një ndikim në raport me plan-fakt.
Çfarë parashikojmë për 2020-n? Sigurisht, vlera e rritjes së të ardhurave të tatimit në doganë është ambicioze dhe jemi të ndërgjegjshëm që është një sfidë, për të cilën e gjithë administrata tatimore është e organizuar mbi administrimin fiskal. Në funksion të kësaj, besoj se që vitin e kaluar në raport me administratën tatimore kemi bërë disa përpjekje, si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë administrativ. Në aspektin ligjor është pjesa e ligjit për fiskalizimin, i cili ka hyrë në fuqi, por ka një periudhë tranzitore disamujore. Ai do të mundësojë që administrata të ketë më shumë informacion, çka do të parandalonte një pjesë të informalitetit. Ndikimin nuk arrijmë dot ta vlerësojmë për 2020-n, sepse shtyrja e ligjit do të thotë që do të ketë efekte për vitin 2021.
Jemi duke parë elementë të tjerë, të cilët vijojnë si pjesë planit antiinformalitet. Plani operacional është përgatitur dhe vijon për të luftuar si informalitetin, ashtu edhe evazionin. Administrata doganore, edhe ajo ka qasjen e saj ndaj procedurave të brendshme administrative dhe rritjen dhe vlerësimin e kapaciteteve të brendshme. Pjesa e sektorit që lidhet me çmimet apo kursin e këmbimit është diçka jashtë mundësive tona, por janë gati 9,3 miliardë lekë nga diferenca plan-fakt që vijnë nga këta faktorë.
Nëse mund të jepni të dhëna konkrete, sa ka arritur deri tani fondi i rindërtimit pas tërmetit, sa pritet që të mbledhim dhe sa është shpenzuar deri tani nga ky fond?
Ne kemi online informacionet që marrim nga portali e-Albania sikurse publikojmë çdo donacion që vjen në llogaritë e Thesarit, të hapura posaçërisht për këtë çështje. Janë pothuajse 15 milionë euro dhe këtu nuk flasim ende për angazhimet që qeveri të caktuara kanë marrë, për të cilat likuiditeti ende nuk ka ardhur në llogarinë tonë të thesarit. Ka një angazhim prej të paktën 22 milionë eurosh. Konferenca e Donatorëve do të jetë ajo që do të ndihmojë për të krijuar një dimension mbështetjeje financiare. Jam në pamundësi për ta gjykuar sa do të ishte ndihma që shtetet do të jepnin. Sigurisht për ne është e nevojshme që kjo ndihmë të jetë sa më e madhe, pasi vlera prej 20 miliardë lekësh është shumë herë më e vogël sesa dëmi që ne mendojmë dhe gjykojmë që ky tërmet ka shkaktuar.
Mund të jepni një shifër sa është shpenzuar deri tani?
Bonusi i qirave është një nga zërat kryesorë, të cilat konsiderohen në shpenzimet e drejtpërdrejta. Ne kemi alokuar një fond prej 60 milionë lekësh në muajin dhjetor, kemi hapur buxhetin këtë vit, i cili për vitin 2020 parashikon një zë të veçantë për bonus për ndihmë qiraje, i cili është 1 miliard lekë, dhe është jashtë fondit të rindërtimit. Ky bonus është hapur 10-20% për çdo bashki në muajin janar. Gjykojmë që nevoja për bonusin e qirasë do të jetë më e lartë se 1 miliard lekë sepse dhe gjithë vlera ekonomike është ende duke u realizuar nëpërmjet të dhënave që vetë bashkitë marrin me çdo qendër familjare. Por, në çdo mungesë nga bonusi i qirasë, ne do të alokojmë fonde nga fondi i rindërtimit, prandaj çdo nevojë në zërin e bonusit të qirave do të jetë e mbuluar 100% si këtë vit, ashtu edhe për më vonë. Rindërtimi fillon me zonat rurale dhe do të vijojë pastaj në qytete dhe parashikohet që nuk do të zgjasë më shumë se një vit.
Bonusi mund të rritet
Gjykojmë që nevoja për bonusin e qirasë do të jetë më e lartë se 1 miliard lekë, sepse dhe gjithë vlera ekonomike është ende duke u realizuar nëpërmjet të dhënave që vetë bashkitë marrin me çdo qendër familjare, por në çdo mungesë nga bonusi i qirasë ne do të alokojmë fonde nga fondi i rindërtimit, prandaj çdo nevojë në zërin e bonusit të qirave do të jetë e mbuluar 100% si këtë vit, ashtu edhe për më vonë.
Për bonusin ka një shqetësim, të paktën nga banorët e Durrësit, që nuk kanë filluar ende ta marrin, mund të jepni ju një afat kur do të çelet fondi?
Për muajin janar janë pjesë procedurale midis Thesarit, bashkisë dhe bankave të nivelit të dytë. Në dijeninë time jam informuar se janë procedura të hapura.
Ju zhvilluat një takim në muajin dhjetor me bizneset, kryesisht të rajonit të Durrësit, që kërkuan lehtësi fiskale dhe ju paraprakisht ratë dakord, ndërkohë që ata tashmë thonë se nuk është bërë asgjë. Mund të thoni se çfarë është bërë për të ndihmuar bizneset që u goditën nga tërmeti?
Ne kemi bërë një takim me Unionin e Dhomave, jo vetëm nga Durrësi por me të gjitha zonat e prekura dhe nuk kemi rënë dakord për pezullimin e taksave, kemi rënë dakord për një format moratoriumi ose le të themi kemi biseduar, pasi dakordësia është ndoshta një hap më i avancuar. Brenda formatit që ne jemi duke trajtuar në Ministrinë e Financave, të gjitha premtimet e dhëna në atë mbledhje në raport me shtyrjen në kohë të disa pagesave për bizneset e dëmtuara, faljen e vonesave, por jo faljen e taksave, apo njohja në bilanc e çdo shpenzimi për rindërtim, pjesa e inventarit që mund të jetë konstatuar nga biznesi si e prekur apo elementëve të tjerë që kanë të bëjnë me zëra të caktuar të bilancit. Të gjithë këto janë pjesë e një udhëzimi të Ministrisë së Financave që është bërë gati dhe do të ketë efekt për të gjitha bizneset që kanë pasur dëme të konsiderueshme apo dëme të zërave të caktuar në bilancin e tyre. Nuk e kemi nxjerrë akoma sepse ndërkohë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin kemi menduar një paketë edhe më të plotë. Kjo nuk do të thotë se ajo që është vendosur nuk do të mbahet, është vetëm afati kohor për të parë diçka më shumë sesa ajo që vetë Ministria e Financave ka marrë përsipër. Moratoriumi apo forma të tjera që lehtësojnë pagesën në kohë të detyrimeve tatimore është në fokus dhe nuk duhet të shkojmë drejt eliminimit të taksimit pasi në koncept është e gabuar dhe nuk mund të jetë një stimul për bizneset.
Lehtësitë për bizneset
Brenda formatit që ne jemi duke trajtuar në Ministrinë e Financave, të gjitha premtimet e dhëna në atë mbledhje në raport me shtyrjen në kohë të disa pagesave për bizneset e dëmtuara, faljen e vonesave, por jo faljen e taksave, apo njohja në bilanc e çdo shpenzimi për rindërtim, pjesa e inventarit që mund të jetë konstatuar nga biznesi si e prekur apo elementëve të tjerë që kanë të bëjnë me zëra të caktuar të bilancit. Të gjithë këto janë pjesë e një udhëzimi të Ministrisë së Financave që është bërë gati dhe do të ketë efekt për të gjitha bizneset që kanë pasur dëme të konsiderueshme apo dëme të zërave të caktuar në bilancin e tyre
Revista “Monitor” çdo fillim viti bën një anketim me bizneset për pritshmëritë e tyre dhe ajo çfarë pamë për vitin 2020 është në përgjithësi një pritshmëri negative. Nuk janë optimistë, sidomos eksportuesit, dhe e ndiejnë se nuk mbështeten nga shteti. Çfarë politikash parashikoni ju për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve në vend, duke pasur parasysh edhe hapjen e tregjeve si domosdoshmëri?
Në 6-mujorin e parë të 2019-s, ne kemi zhvilluar disa takime me eksportuesit. Një nga problematikat ka qenë pagesa në kohë e rimbursimit të TVSH-së. Viti 2019 e ka tejkaluar këtë proces dhe ne, jo vetëm kemi shlyer më shumë sesa ishte parashikuar, por brenda strukturave të Ministrisë së Financave, duke pasur parasysh dhe angazhimin me institucionet ndërkombëtare, nuk do të ketë vonesa për pagesat e rimbursimit të TVSH-së. Edhe ndryshimet e fundit ligjore na japin shumë mundësi për këtë. Ky problem i parë në raport me eksportuesit, grumbulluesit apo në raport me biznese të tjera për rimbursim është i tejkaluar. Në çdo rast ne do të jemi aty për të parë nëse ka ndonjë problem, por strukturat tona të ankimimit do të gjykojnë nëse ky është një rast sporadik. Si politikë nuk do të ketë vonesa në pagesat e TVSH-së.
Mendoj që ne kemi akoma punë për të bërë për të ndikuar dhe kuptuar se kush janë elementët kyçë për stimulimin e eksporteve. Kemi bërë takime me sektorë të caktuar, të cilët, si në fushën e turizmit dhe agropërpunimit kanë nevojë të ridimensionojnë mënyrën e të bërit biznes. Çfarë kam parasysh për këtë? Nëse flasim për industrinë e agropërpunimit, gjykojmë që ne kemi akoma kapacitete të pashfrytëzuara. Nuk i kemi shfrytëzuar dhe mundësitë e dhëna deri tani, pasi shumë nga sektorët akoma nuk kanë zhvilluar sistemin në zinxhir vlere për të cilën ekonomia e shkallës do të merrte një vlerë më të lartë dhe cilësia e shërbimit apo e produkteve do të ishte e tillë që do të konkurronte dhe me rajonin apo me tregjet ndërkombëtare. Në këtë aspekt mendojmë që Ministria e Bujqësisë, Ministria e Financave dhe projekte të ndryshme të adresojnë mbështetje në akses të financave apo fondeve si ato që menaxhon AZHBR-ja në raport me nxitjen e granteve. Ka akoma punë për të zhvilluar një ekonomi bujqësore moderne me produkte për të konkurruar tregjet. Sot nuk jemi aty ku duhet të ishim.
Për sektorë të tjerë të ekonomisë, ne duhet të kuptojmë ku kemi avantazhin dhe aty të theksojmë vëmendjen tonë, e jo të krijojmë politika në të gjithë sektorët. Në vite, politikat fiskale, sidomos ato në turizëm, kanë krijuar nxitje të investimeve, por kanë qenë të pamjaftueshme edhe për shkak të disa problematikave të tjera që lidhen me pronësinë e tokës, me çështje që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe të gjitha këto duan pak kohë derisa të shkojnë drejt një ezaurimi të plotë. Lajtmotivi është një ekonomi shkalle, një fokus drejt sektorëve kyçë, për të cilët ne kemi konkurrueshmëri dhe cilësitë e shërbimit do të na bëjnë ne konkurrues. Elementi i fundit është aftësia profesionale e fuqisë tonë punëtore. Ne arrijmë të tërheqim investitorë të huaj, por pyetja është sa kemi mundësi për një fuqi punëtore të kualifikuar. 57% e fuqisë tonë punëtore është e re, nën 31 vjeç, dhe ky është një avantazh shumë i mirë krahasuar me vendet e tjera, qoftë dhe me Serbinë. Por ne kemi akoma mangësi për ta bërë arsimin profesional fokus të arsimimit në Shqipëri. Ka një zhvillim në 4 vitet e fundit, ka një ritëm prej 30% rritje të vëmendjes drejt arsimit profesional dhe nga 35 shkolla profesionale që ne kemi, duhen ridimensionuar dhe për këtë ne kemi mbështetje të madhe ndërkombëtare.
Ka një shqetësim të institucioneve ndërkombëtare për sa i përket angazhimit të qeverisë në projektet e partneritetit publik-privat, duke i cilësuar me risk të lartë sepse pagesat kanë një shtrirje në kohë dhe gjithashtu se nuk ka një vlerë në para në raportin kosto-përfitim, kostot mund të jenë më të larta. Cili është komenti juaj dhe si Ministri e Financave si i monitoroni këto projekte?
Vëmendja e institucioneve ndërkombëtare drejt risqeve fiskale është e vazhdueshme, sikurse dhe mbështetja e tyre. Ligji i ri, i cili kaloi në korrik të vitit të kaluar dhe që filloi efektivitetin e tij në tetor të 2019 i njeh Ministrisë së Financave një rol të shtuar, sikurse i ka dhënë një mundësi për të ridimensionuar monitorimin dhe mënyrën e realizimit të vlerësimit të risqeve fiskale. Kontratat koncesionare aktuale janë brenda ligjit të tavanit buxhetor, pra nuk arrijnë më shumë se 3.3% të të ardhurave tatimore. Më lejoni të theksoj që ligji i buxhetit në vitin 2016 vendosi me të drejtë një tavan prej 5% të totalit të të ardhurave tatimore në mënyrë që të kontrollojë riskun potencial fiskal për çdo vit. Si rrjedhojë, Ministria e Financave është shumë e kujdesshme që çdo kontratë koncesionare të jetë brenda tavaneve dhe brenda këtij kufiri. Këto janë projekte, qoftë ato në infrastrukturën rrugore, apo që lidhen me porte e aeroporte, ku investimi ka një vlerë të konsiderueshme. Ka një arsye pse autoriteti kontraktor ka gjykuar që mbështetja buxhetore nuk ishte ajo e duhura, por partneriteti publik- privat ishte i duhur, pasi si vlera ashtu edhe ekspertiza mund të ishin në ndihmë të saj. Këtu e kam fjalën për PPP në fushën e shëndetësisë. Këto janë kontrata, të cilat sot nuk e kalojnë kufirin e vendosur me ligj dhe monitorimi i tyre me këtë rol të shtuar është një raport që na bën të kuptojmë dhe të mësojmë çfarë duhet të parashikojmë për vitet e ardhshme për të ridimensionuar në raport me PPP-të. Ka akoma hapësira që ky raport të jetë më i mirë. Në këtë raport kemi pasur mbështetjen e Bankës Botërore dhe besoj shumë shpejt do kemi dhe shifrat e vitit 2019. Ky është një proces në vijim që dhe në raport me aspektin ligjor të një kontrate, roli i Ministrisë së Financave në momentin e dytë pas negocimit është i shtuar pasi merr përsipër vëmendjen dhe vendimmarrjen.
PPP-të
Ligji i buxhetit nssë vitin 2016 vendosi me të drejtë një tavan prej 5% të totalit të të ardhurave tatimore, në mënyrë që të kontrollojë riskun potencial fiskal për çdo vit. Si rrjedhojë, Ministria e Financave është shumë e kujdesshme që çdo kontratë koncesionare të jetë brenda tavaneve dhe brenda këtij kufiri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.