Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka ftuar të gjithë sipërmarrësit amerikanë të rrisin prezencën e tyre në Shqipëri, duke i orientuar ata edhe në fushat prioritare si energjia, turizmi, përpunimi, teknologjia e informacionit, etj., si sektorë shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
“Javës e ardhshme ne lancojmë një ligj të ri për start-up-et dhe inovacionin. Kemi punuar së bashku me ekspertë të GIZ-it për të sjellë një kuadër ligjor të ri për të gjithë iniciatorët e një biznesi, sidomos në një vit kaq të vështirë ku bizneset po mendojnë ridimensionimin e mënyrës së të bërit biznes, në kushtet e pandemisë”.
Denaj tha se vendi ynë ka një potencial të madhe ekonomik, i cili deri më tani ka ngelur i pashfrytëzuar plotësisht, ku një nga shkaktarët është klima e biznesit, për të cilën qeveria ka marrë një sërë nismash për ta përmirësuar atë.
“Dua të ndaloj së dyti në potencialin ekonomik të vendit tonë, i cili nuk është i shfrytëzuar plotësisht për arsye të ndryshme. Sigurisht klima e biznesit është një prej tyre, por ka edhe arsye të tjera. Megjithatë ne nuk do të reshtemi së promovuari këto potenciale dhe për ti bërë ato tërheqëse për investitorët e huaj. Klima e biznesit në Shqipëri është dhe duhet të jetë në fokus të gjithë institucioneve. Duke qenë këtu si përfaqësuese e Qeverisë, dua të theksoj angazhimin që përpjekja dhe puna për të përmirësuar klimën e biznesit nuk do të mungojë.”, deklaroi ministrja në 20 Vjetorin e Asamblesë së Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.
Denaj theksoi, se reformat e Derregulimit dhe e Digjitalizimit kanë shkurtuar burokracitë, letrat e panevojshme, kostot për biznesin dhe mbi të gjitha kanë ulur prirjen drejt korrupsionit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë vlerësoi si një ngjarje historike firmosjen dy javë më parë të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri-SHBA.
“E para në vitet ’30, e dyta në vitin 1992 dhe e treta dy javë më parë”, u shpreh Ministrja Denaj. Ajo theksoi angazhimin e Qeverisë për të realizuar këtë projekt në një punë me hapa konkretë, për ta çuar përpara këtë memorandum kaq të rëndësishëm.
Së fundi, ministrja i kërkojë Dhomës Amerikane për të ndihmuar vendin në orientimin e shkollave profesionale.
“Unë do të ftoja Dhomën Amerikane të konsideronte si një shërbim shtesë atë që neve nëpërmjet rrjetit të 35 shkollave profesionale që sot zotërojmë të mund të na ndihmojnë se cilat janë ato shkolla profesionale që duhet të çojmë përpara strategjikisht për të sjellë aty më të mirën e arsimit profesional, por edhe të rinjve shqiptarë të cilët sot duhet të orientohen drejt arsimit profesional. Ne kemi një forcë pune të re, 51% e forcës tonë të punës është më pak se 30 vjeç. Por ndërkohë nuk e kemi të lidhur atë me të gjithë nevojat e tregut dhe shpesh kemi një arsim ndryshe nga ajo që punëdhënësi kërkon”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.