Incentivat fiskale kanë nxitur hapjen e bizneseve në reja në sektorin e agroturizimit dhe Teknologjisë së Informacionit, tha Ministria e ekonomisë dhe Financave Anila Denaj gjatë mbledhjes rutinë të Këshillit të Investimeve.
Përsa i përket masave fiskale në nxitjen e investimeve në teknologji, legjislacioni shqiptar përfshin përjashtimet nga TVSH në furnizimin me makineri dhe pajisje bujqësore, makineri përpunim aktiv dhe agro-biznes. Një masë që duket se ka dhënë kontributin e saj në rritjen e importit të makineri pajisjeve në vend, por edhe në rritjen e eksporteve shqiptare në lidhje me produktet e agropërpunimit.
Denaj tha se qeveria ka incentivuar edhe sektorin e Teknologjisë dhe Inovacionit (TIK), duke ulur tatim fitimin nga 15% në 5% për kompanitë që ushtrojnë aktivitet në sektorin e prodhimit/zhvillimit të software. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2018 në vend janë krijuar 742 kompani të reja në fushën e Informacionit dhe Komunikimit, kryesisht kompani të vogla deri në 9 punëtorë.
Incentivat e ndërmarra në fushën e turizmit në nxitje të sektorit të agro-turizmit, kanë sjellë gjithashtu rritjen e krijimit të kompanive të reja gjatë vitit 2018 me 3.120 të tilla duke ndikuar edhe në rritjen e fuqisë punëtore, tha Denaj.
Konsolidimi i reformave strukturore të ndërmarra në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar në sektorë kyç dhe konsolidimi fiskal vazhdojnë të mbeten objektivë kryesorë të Qeverisë.
Denaj tha se, rritja ekonomike e synuar në nivelin e 4% në tre vitet në vijim; ulja në vijim e nivelit të papunësisë përtej nivelit më të ulët historik të realizuar në 11.5 % në tremujorin e fundit, kërkon jo vetëm konsolidim fiskal por edhe politika ekonomike sektoriale aty ku burimet natyrore, avantazhet konkurruese dhe potenciali i madh i kapacitet human kërkojnë gërshetim strategjish për të mundësuar një rritje ekonomike të strukturuar në nivel afatmesëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.