Denaj: Misioni ynë, rritja e mirëqenies së qytetarëve

25/04/2021 12:10 AM 0 komente

Intervistë me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj 

 

Partia Socialiste, në themel të fokusit të saj ekonomik, ka ringritjen pas vështirësive të krijuara nga tërmeti dhe pandemia, si dhe një program zhvillimi në 10-vjeçarin e ardhshëm.

Znj. Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, si dhe kandidate për deputete e Partisë Socialistë në Sarandë, pohon se pritet rikthimi në një rritje ekonomike pozitive me 5.5% në 2021 dhe më pas rreth 4% në vit. Ajo shton se Shqipëria 2030 është Shqipëria e gjeneratës së re, e atyre të rinjve e të rejave kudo në Shqipëri, nga Veriu në Jug apo ata që rikthehen në Shqipëri

 

Kali i betejës në çdo fushatë është gjithmonë aspekti ekonomik dhe përfitimet që do të kenë qytetarët gjatë një mandati qeverisës. A mund të bëjmë një përmbledhje shkurt të planit ekonomik që synon të zbatojë PS në rast se fiton zgjedhjet e 25 prillit?

Partia Socialiste është prezantuar përherë në zgjedhje përmes një vizioni dhe misionit për të rritur mirëqenien e qytetarëve. Për më tepër, në çdo rast, Programet Ekonomike diskutohen të veçuara në situata të zakonshme, por kurrsesi të jashtëzakonshme, si ajo pas pandemisë dhe tërmetit.

Partia Socialiste është prezantuar me një aspiratë kombëtare, një motiv për qeverisjen në mandatin e tretë dhe për Shqipërinë e së ardhmes sonë.

Plani i Veprimit në funksion të realizimit të kësaj aspirate është i fokusuar të vijë në ndihmë të çdo shqiptari dhe çdo sipërmarrësi.

Vijmë nga një dyvjeçar i vështirë, pas dy goditjeve të njëpasnjëshme që kanë qenë një peshë e rëndë për buxhetin e shtetit, por edhe për çdo individ dhe sipërmarrës. Por nuk mund të mohojmë çdo përpjekje për të mbështetur këdo në këto kohë të vështira e mbi të gjitha, të ruajmë stabilitetin ekonomik të buxhetit të shtetit.

Ringritja mbi vështirësitë, por mbi të gjitha vizioni për një program zhvillimi në 10-vjeçarin e ardhshëm, është në bazë të programit ekonomik.

Është një plan që vijon Politikën ekonomike të taksimit të drejtë dhe vjen në ndihmë të atyre që marrin apo fitojnë më pak; një plan që në fokus ka të rinjtë dhe nxitjen drejt nevojave të së ardhmes, asaj të ekonomisë dixhitale; një ftesë për çdo emigrant që kërkon të rindërtojë të ardhmen në Shqipërinë e bukur, por që ka nevojë si për kapital ashtu edhe “know how”; mbështetje për sipërmarrjen në sektorin e manifakturës për transformimin në kërkesat që po na vendos kursi i pandemisë; si edhe vijim i të gjithë punëve të nisura prej përfundimit të veprave të rëndësishme infrastrukturore e deri te finalizimi i rindërtimit në mbështetje të banorëve të prekur nga tërmeti; por edhe një plan, që e fokuson vëmendjen tek shëndeti, duke dhënë shpresë që me vaksinimin masiv, ringritja nga pandemia do të jetë një realitet i shpejtë.

Ndër komponentët kryesorë të lidhur me planin ekonomik të veprimit: Rikthimi në një rritje ekonomike pozitive me 5.5% në 2021 dhe rreth 4% në vit prej trevjeçarit të ardhshëm.

Mbështetja e drejtpërdrejtë për biznesin: Prej 1 janarit të këtij viti, 90% e bizneseve shqiptare do të paguajnë zero tatim mbi fitimin dhe inspektorët do të jenë një e shkuar për biznesin e vogël.

Nxitja me skema mbështetëse për sipërmarrjet e të rinjve dhe sektorë të veçantë të ekonomisë. Në veçanti, duke krijuar fonde të garancisë për manifakturën, në rastet e kalimit në linja prodhimi të reja dhe për kompanitë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit. Agroturizmi do të mbështetet jo vetëm financiarisht, por edhe me harta, rrugë, infrastrukturë lokale, promovim unik.

Infrastruktura mbetet një objektiv i prekshëm nëpërmjet Aeroportit të Vlorës, atij të Kukësit, ai i Sarandës, Rruga Kardhiq-Delvinë, Tuneli i Llogorasë, By-Pass i Vlorës, Rruga e Arbrit, janë vetëm disa prej projekteve madhore infrastrukturore në shërbim të turizmit, që do të përfundojnë brenda mandatit 2025.

Fondi i mbështetjes për emigrantët shqiptarë që vendosin të rikthehen në Shqipëri. Ky fond do të akordohet për çdo ide të re biznesi në masën e 5 mijë eurove.

Shqipëria 2030 është Shqipëria e sipërmarrjes shqiptare, e produkteve “Made in Albania”, që konkurrojnë denjësisht tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Siç edhe kam thënë më herët, Shqipëria 2030 është Shqipëria e gjeneratës së re, e atyre të rinjve e të rejave kudo në Shqipëri nga Veriu në Jug, apo ata që rikthehen në Shqipëri; e atyre që e duan këtë vend dhe duan ta shohin më të fortë ekonomikisht dhe më të begatë.

 

Taksa progresive ishte një nga pikat kyçe që PS ndryshoi në mandatin e saj të parë. Në këtë mandat të tretë kemi një “riciklim” të kësaj takse, duke prekur sërish nivelet e taksimit. Cilat janë efektet tuaja të pritshme nga këto ndryshime, a keni bërë një studim? Sa efektive rezulton taksimi progresiv mbi të ardhurat deri në 23% dhe pse po e ulni tani?

Fjala e duhur është “vazhdimësi” dhe jo “riciklim”. Në 8 vite të zbatimit të tij, tatimi progresiv ka rezultuar një sukses, duke ardhur në mbështetje të më shumë se 97% e shqiptarëve. 42% e të punësuarve janë me taksë zero mbi pagën sot dhe prej 1 janarit 2022 do të jenë edhe 73 mijë shqiptarë me rritjen e nivelit të taksimit zero lekë për pagat deri në 40,000 lekë, ose thënë ndryshe 63% e shqiptarëve. Ndërkohë parashikohet që për të punësuarit në atë që është fasha e pagës të shtresës së mesme të ketë një ulje të ndjeshme të barrës fiskale për shkak të zgjerimit të fashës së aplikimit të taksimit 13% nga 150,000 që është sot në 250,000 vitin e ardhshëm.

Vlen të theksojmë se, pavarësisht reduktimit të barrës fiskale për qytetarët e punësuar, të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur progresivisht. Kjo është dëshmi e efektivitetit të një sistemi, që siguron drejtësi në detyrimet tatimore të shqiptarëve. Por edhe e përpjekjes për të ulur informalitetin me instrumente të miradministrimit fiskal që, në vitet e ardhshme, do të çojnë në mënyrë më të strukturuar në një rritje më të lartë të të ardhurave.

Paga mesatare në vend ka ardhur në rritje dhe kjo përbën bazën për rishikimin e fashave të tatimit për qytetarët. Paga minimale sot, nuk tatohet. Me politikën e rritjes së mëtejshme të pagës minimale në 40 mijë lekë, Partia Socialiste do të sigurojë, që i njëjti parim të ruhet edhe në vijim.

 

Pavarësisht rritjes së taksave në vitin 2015, të ardhurat buxhetore ndaj PBB nuk arritën ta kalojnë nivelin e 27%, ndër më të ulëtat në Europë. Pse ndodhi kjo? A vlerësoni se rritja e taksave nxiti informalitetin? Sa është plani (në raport me PBB) për rritjen e të ardhurave në periudhën në vijim?

Nuk duhet asnjëherë të harrojmë nga e kemi nisur! Në vitin 2013, Partia Socialiste gjeti një buxhet me të ardhura në nivelet e 24.2% ndaj PBB-së. Gjatë qeverisjes në këto 8 vite, të ardhurat buxhetore kaluan në nivelet e 27% ndaj PBB-së. Kjo është një rritje e qenësishme, si rrjedhojë e politikave fiskale dhe mbi të gjitha miradministrimit fiskal. Dy të pavërteta që shpesh dëgjohen janë rritja e taksave dhe rritja e informalitetit. Asnjë nuk duhet të jetë pjesë e retorikës publike, nëse duam të kem një publik të mirinformuar.

Është e rëndësishme të theksojmë se ndryshimet në sistemin e taksave kanë synuar uljen e barrës fiskale për ata që kanë të ardhura më të ulëta. Rritjen e të ardhurave në buxhet e kemi realizuar, duke taksuar më shumë ata që fitojnë më shumë dhe duke formalizuar ekonominë, një mision që ende vijon.

Miradministrimi fiskal ka qenë në vëmendje të vazhduar, por po shkon në një format të ri, atij më inteligjent dhe bazuar në informacion sistematik. Nuk është bërë pak: nga nismat për ndërgjegjësimin e biznesit ndaj informalitetit në dy mandate, me masa dhe aksione, deri në angazhimin dhe investimin në ngritjen e sistemeve të miradministrimit tatimor dhe doganor, që sot janë realitet. Kemi arritur të reduktojmë informalitetin në ekonomi me të paktën 10% dhe parashikojmë minimizimin e tij përmes zbatimit të projektit ambicioz të fiskalizimit dhe kalimit të shërbimeve tatimore tërësisht online.

Këto dy shtylla së bashku, kanë siguruar një rritje të të ardhurave përkundrejt PBB-së, e cila pritet të vazhdojë në mënyrë të qëndrueshme në vitet vijuese ku synohet, që të ardhurat të arrijnë nga 29% në 31% në vitin 2025 të të ardhurave buxhetore, përkundrejt PBB-së.

 

PS do të ofrojë grante për emigrantë që kthehen në Shqipëri për të hapur një biznes. Në kushtet aktuale të ekonomisë dhe strukturës së saj, ku mendoni se mund ta gjejnë veten këta emigrantë për të investuar, flasim këtu për llojet e sipërmarrjeve, sektorët?

Tregu mbetet i hapur mbi të gjitha për risi dhe ekspertizë të re. Diaspora nuk është vetëm një koncept, por një nga asetet tona më të çmuara. Shqipëria ka nevojë për çdo ndihmë për të ndërtuar Shqipërinë që Duam, dhe në këto tetë vite kemi hedhur së bashku hapa shumë të rëndësishëm në drejtim të përfshirjes politike, ekonomike dhe sociale të diasporës në procesin e përditshëm të shtet-ndërtimit. Kjo është së pari baza e përfshirjes së emigrantëve në planin tonë të veprimit.

Ekonomia shqiptare ka kaluar një fazë të zhvillimit masiv të sektorit fason dhe i ka hapur rrugën zgjerimit të shërbimeve. Industria përpunuese që kryesonte në 2012, tashmë është e 5-ta në listë. Modeli ekonomik ka ndryshuar dhe ne duam t’i japim një trajtë të plotë këtij zhvillimi, edhe me ndihmën e shqiptarëve nëpër botë. Ata mund ta gjejnë veten në çdo sektor dhe ja përse në planin tonë të veprimit, ne nuk kemi parashikuar asnjë kufizim sektorial për grantet.

Por patjetër mund t’i vijnë më shumë në ndihmë vendit dhe së ardhmes, duke sjellë ekspertizë dhe na ndihmojnë të zhvillojmë aspektet strategjike të ekonomisë, duke maksimizuar mbi të gjitha, burimet njerëzore në vend. Shqipëria e së ardhmes mund të jetë shumë mirë një Shqipëri ku teknologjia dhe inovacioni shndërrohen në lajtmotiv të sipërmarrjes dhe zhvillimit.

Por Unë ende besoj se dy shtyllat kryesore të ekonomisë sonë nuk kanë dhënë rendimentin e duhur për një sërë arsyesh. Bujqësia dhe turizmi kanë nevojë të marrin zhvillim të një niveli tjetër si në shkallë, ashtu edhe në cilësi. Për këtë jam e bindur se kontribut të drejtpërdrejtë do të japin reforma e kadastrës, apo nxitja e kapitalit dhe ekspertizës nga diaspora.

 

5.Teksa për biznesin e vogël aktualisht janë bërë disa heqje taksash, që e lehtësojnë, për biznesin e madh është premtuar jo rishikim nivelesh në taksa, por përmirësim procedurash për të rritur konkurrueshmërinë dhe klimën. Ku do të ndërhyhet konkretisht për të marrë këto rezultate?

Biznesi i vogël prej 1 Janarit të këtij viti paguan zero detyrime për tatimin mbi fitimin. Pragu i përjashtimit nga TVSH është rritur për bizneset me xhiro deri në 10 milionë lekë. Ky është një fakt i pamohueshëm për lehtësimin për sipërmarrjen e vogël.

Ndërkohë, thjeshtimi i procedurave është një nismë që tashmë ka nisur e do të vijojë. Shërbimet për biznesin gjenden në dritaren e vetme e-albania, një transformim real i procedurave administrative.

Prej vitit 2019 kemi nisur Reformën Dogana Pa Letra, për të lehtësuar procedurat për bizneset dhe tregtinë. Sot, 93% e biznesit nuk paraqitet fizikisht nëpër sportelet e shërbimeve doganore. Kemi ofruar mundësinë e marrjes së statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar dhe po investojmë në ngritjen e pikave të përbashkëta doganore. Këto hapa së bashku pritet të ulin kostot për biznesin e madh, duke rritur njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë.

Kemi ndryshuar plotësisht qasjen e kontrolleve tatimore, duke i dhënë mundësi biznesit të ndershëm të kursejë kohën dhe të operojë qetësisht. Në këto vite kemi përmirësuar rimbursimin e TVSH-së, një plagë e vjetër për biznesin shqiptar.

Angazhim i yni është dhe do të mbetet ndërtimi i plotë i një procesi modern të miradministrimit fiskal – atij tatimor dhe doganor – një administratë që punon bazuar në sisteme, dhe krijon sa më pak kosto.

Në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë të mbështesim edhe më tej biznesin. Inspektorët do të jenë një e shkuar për biznesin e vogël. Prej 1 Janarit të viti 2023, rimbursimi i TVSH-së do të jetë automatik dhe pagesa e taksave për të gjithë do të jetë vetëm dixhitale.

Megjithatë, mbështetja për sipërmarrjen e madhe nuk parashikohet të jetë vetëm reaktive, por edhe proaktive. Krijimi i një fondi garancie për nxitjen e eksporteve, masa lehtësuese në kuadër të revolucionit të katërt industrial, investimet në drejtim të broadband, rritja e investimeve në arsimimin dixhital për të përgatitur breza të aftë në epokën dixhitale, një kuadër ligjor dhe infrastrukturor për tregtinë online, si një mundësi e aksesit në tregje shumë më të mëdha se tregu vendas, janë vetëm disa nga mundësitë dhe projektet, disa prej të cilave tashmë kanë nisur.

Partia Socialiste do të vijojë të ruajë me kujdes marrëdhënien me biznesin, në kuadër të dialogut publik dhe privat dhe qasja ndaj zgjidhjeve me përfitues kryesor qytetarët, do të mbetet një objektiv në vazhdimësi.

 

PS ka shprehur se do të bëjë rritjen e të ardhurave jo nëpërmjet taksave, por nëpërmjet luftës së evazionit. A keni të dhëna mbi nivelin e evazionit në ekonomi, sektorët dhe cila është rruga për të arritur në uljen e tij?

Evazioni fiskal dhe shmangia e pagimit të detyrimeve nuk është vetëm një fenomen shqiptar – madhësia e këtij fenomeni nga një vend në tjetrin në rajon ndryshon. Në Shqipërinë e së shkuarës evazioni shoqërohej me një kulturë të vështirë të pandëshkueshmërisë. Na u desh të përballeshim me këtë kulturë, pavarësisht sfidave dhe kritikave. Ndoqëm disa fushata të formalizimit të ekonomisë dhe sipërmarrjes.

Administrata Tatimore ka vijuar të ndjekë në mënyrë sistemike çështjet e formalizimit, ndërgjegjësimin e sipërmarrjes dhe identifikimin e sektorëve më të ndjeshëm nga informaliteti. Rritja e punësimit dhe lufta ndaj informalitetit kanë dhënë efekt në të ardhurat nga punësimi dhe tatimi mbi pagën, pavarësisht nga ulja e normës së tatimit.

Përpjekjet për të luftuar evazionin dhe informalitetin kanë hyrë në një fazë më inteligjente, e mbështetur në sisteme dhe analizë më të thelluar të të dhënave dhe jo me kontrolle fizike në çdo biznes.

Pjesa më e madhe e këtyre sistemeve, mbështetur në ligjet përkatëse dhe regjistrat cilësorë tashmë ka nisur si Fiskalizimi; Shkëmbimi Automatik i Informacionit të Llogarive Financiare; Regjistri Qendror i Llogarive Bankare; Regjistri i Pronarëve Përfitues; Sistemi i Gjurmimit; Regjistri i Kryqëzimit të Informacionit dhe masa të tjera plotësuese në kuadër të parandalimit të pastrimit të parave.

Finalizimi dhe zbatimi i këtyre sistemeve prej vitit të parë të mandatit të tretë do të japë rezultate të dukshme në reduktimin e mëtejshëm të informalitetit dhe evazionit.

 

 

Shqipëria, për shumë kompani të huaja, kryesisht fasoneri dhe automotive, është bërë interesante prej krahut të lirë të punës. Si mendoni se mund të amortizohet tërheqja e mundshme e investitorëve të këtyre sektorëve nga një rritje e pagës minimale prej 40 mijë lekësh. Çfarë do t’u ofroni atyre për të baraspeshuar këtë pjesë?

Shqipëria mbetet tërheqëse për investitorët për krahun e lirë të punës, por kjo, edhe pse do të vijojë të stimulohet, nuk duhet të shërbejë si argument për të qëndruar një vend me paga të ulëta. Ne kemi një forcë punë të re në moshë; 57% janë me moshë mesatare 31 vjeç dhe kemi arsimim të mirë, si ai i përgjithshëm edhe profesional; prandaj edhe nxitja drejt rritjes së pagës minimale është pjesë e programit për punë me rritje të vlerës.

Partia Socialiste duhet të vazhdojë politikën e saj për rritjen e pagës minimale, për të ndihmuar çdo shqiptar që të përfitojë një pagë që i lejon të bëjë një jetë të denjë. Por në të njëjtën kohë mbështesim biznesin dhe veçanërisht atë fason të zhvendoset në një stad tjetër të zhvillimit, duke kaluar në linja të plota prodhimi.

Modeli ekonomik, ndërkohë, ka ndryshuar dhe pandemia po ushton më tej presion për këtë ndryshim. Fasoneria greke dhe italiane nuk përbën më qendrën e investimeve të huaja në vend. Italia, stokun e fasonerisë, e ka zëvendësuar me industrinë e Teknologjisë së Informacionit dhe këto janë vetëm lajmet e periudhës përpara pandemisë.

Një baraspeshë e panjohur më parë midis interesit të biznesit të manifakturave dhe qytetarëve, që punësohen në këtë aktivitet, tashmë është gjetur.

Falë politikave të ndërmarra për rregullimin e manifakturës, rritja e pagave minimale, si dhe formalizimi i tregut është kryer në harmonizim dhe përputhje me interesat e fasonëve, të cilët përfitojnë nga një numër masash, si përjashtimi nga TVSH i lëndës së parë apo materialeve shtesë që importohen për t’u rieksportuar. Mbështetja përmes kualifikimit të gjeneratave të reja në arsimin profesional ka qenë një mbështetje e madhe, për një treg pune që mbart punonjës të kualifikuar, të aftë t’u përgjigjen kërkesave në rritje për produkte më komplekse dhe teknologji më të avancuara.

Objektivat për mbështetjen e punëmarrësve dhe punëdhënësve ecin në formë paralele.

Do të mbështesim transformimin e proceseve të prodhimit nëpërmjet investimeve në teknologji të re, me një mundësi për amortizim të përshpejtuar me dy herë. Kjo do të lehtësojë barrën tatimore dhe kompanitë do të rrisin likuiditetet. Do të krijojmë instrumentin e garancisë prej 50 milionë eurosh për manifakturën për të përballuar kostot e ndërrimit dhe kalimit në linja prodhimi të reja dhe do të krijojmë programet “Inovacion dhe ekselencë në manifakturë” dhe “Inovacion dhe ekselencë në IT”.

 

Borxhi Publik, që në fund të vitit 2020, arriti 77.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky nivel është më i larti ndonjëherë në financat shqiptare dhe përpos ezaurimit të hapësirës së mundshme për huamarrje, në rast të ndonjë shoku tjetër në ekonomi, si tërmeti dhe pandemia, paraqet edhe kosto të larta shërbimi. Si parashikoni ta ktheni në terma të stabilizuar këtë nivel borxhi?

Procesi tashmë ka nisur. Në Buxhetin Afatmesëm të Qeverisë Shqiptare shihet qartazi angazhimi dhe përpjekja jonë për t’u rikthyer në atë që ka qenë një nga masat më të rëndësishme në dy mandate të Qeverisjes, konsolidimi fiskal.

Pavarësisht dy viteve të vështira, ku Shqipëria nuk u përball vetëm me pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit 2019, por e gjeti veten edhe në skenarët e pandemisë botërore Covid-19, ecuria e treguesve makroekonomikë ka qenë brenda parashikimeve dhe në përmirësim të vazhdueshëm.

Këta tregues kanë ecur në paralel me Reformën madhore të Financave Publike. Borxhi publik ndaj PBB-së ra nga mbi 70% në 66% në fund të 2019-s. Në dy mandate, rikthyem balancën pozitive dhe e shndërruam atë në një detyrim për menaxhimin dhe kontrollin e financave publike.

Sot, borxhi i marrë shkon për investime publike dhe jo për të paguar borxhet e vjetra. Mesatarisht, në çdo vit të periudhës 2006-2013, për çdo 100 Lekë, që është shtuar stoku total i borxhit, janë investuar 117 Lekë, ndërsa mesatarisht në çdo vit të periudhës 2014-2021, për çdo 100 Lekë, që është shtuar stoku i borxhit, janë investuar 169 Lekë. Përpara vitit 2013, borxhi përdorej për detyrime të kredive dhe shpenzime korente. Sot, mbi të gjitha, në këtë proces kemi reduktuar riskun nga huamarrja për qeverinë dhe qytetarë.

Nëse në vitin 2013, buxheti i shtetit paguante rreth 3.2% të PBB për pagesa interesi, në 2019 pagesat e interesit zinin rreth 2.1% të PBB, pra 1.1% e PBB më pak se në 2013 dhe mbi 70% e portofolit të borxhit shtetëror përbëhet nga instrumente me norma interesi fikse – duke shmangur riskun e luhatjeve të tregut.

Ishte pikërisht falë kësaj ecurie pozitive, konsolidimit fiskal dhe reformave të ndërmarra dhe në proces, që Shqipëria kishte “luksin” të merrte hua të re, në kohën kur shumë vende, edhe fqinje, kishin një sfidë të keqmenaxhimit të borxhit.

Përballimi i katastrofave, nëpërmjet rritjes së nivelit të borxhit, nuk është një fenomen shqiptar, por mbarëbotëror. Patjetër që Qeveria Shqiptare ka qenë e ndërgjegjshme prej tërmetit të 2019-s dhe prej fillimit të pandemisë se do të vendoste shëndetin dhe nevojat e njerëzve përpara çdo vështirësie tjetër ekonomike. Në kushtet e luftës kundër përhapjes së virusit, shpëtimi i jetës së njerëzve dhe sigurimi i mbijetesës së tyre, ishte një prioritet më i madh se sa objektivat e shëndetit financiar.

Në vitin 2020 e rritëm borxhin për të përdorur maksimalisht çdo hapësirë fiskale, në shërbim të qytetarëve si pasojë e COVID-19. Trajektorja rënëse e borxhit publik, është ndalur vetëm për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve gjatë pandemisë. Rritja e borxhit publik gjatë vitit 2020 ka qenë e domosdoshme jo vetëm për t’u ardhur në ndihmë shtresave shoqërore në nevojë, por edhe për t’i dhënë stimul rimëkëmbjes së ekonomisë. Pavarësisht, kontraktimit të ekonomisë gjatë vitit 2020, pritshmëritë janë që borxhi publik të reduktohet, duke filluar që prej vitit 2021. Në projeksionet e 2021-2023, parashikimi është që shumë shpejt Shqipëria të kthehet në trendin rënës të nivelit të borxhit.

Prej 2013, kemi ruajtur vlerësimin nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimin si Standard & Poors dhe Moody’s për Shqipërinë, si një ekonomi stabël, në zhvillim dhe në procesin e integrimit në tregun europian dhe BE. Kemi emetuar në 2 mandate, 3 eurobonde të suksesshme, në 2015, në 2018 dhe 2020, duke marrë vlerësime pozitive nga investitorët, norma të mira interesi dhe duke rritur kërkesën për eurobondin shqiptar në tregje.

Më 9 Qershor 2020, Republika e Shqipërisë doli me sukses në tregjet ndërkombëtare, me një obligacion ndërkombëtar të ri 7-vjeçar në vlerën prej 650 milion €, me një kupon prej 3.50%. Transaksioni shënoi rikthimin e suksesshëm të Republikës së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, duke pasuar emetimet e mëparshme të realizuara në 2010, 2015 dhe 2018.

Pavarësisht kushteve sfiduese të tregut për ekonomitë në zhvillim në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, kjo dalje në treg tërhoqi një ofertë shumë të lartë të investitorëve, duke tejkaluar disa herë kërkesën e Qeverisë Shqiptare. Qeveria e Republikës së Shqipërisë e sheh këtë rezultat, si një shenjë e një besimi të shtuar të investitorëve, në perspektivat dhe rrugën e zhvillimit të Shqipërisë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of