Nga ndryshimet ligjore janë lehtësuar 50 për qind e të gjithë numrit të bizneseve në vend, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj gjatë prezantimit në seancën plenare të projektligjit për ndryshimet “Për sistemin e taksave vendore”.
Në situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit, ndryshimet ligjore ishin një domosdoshmëri, shtoi Ministrja.
“Situata me të cilën përballemi ka sjellë një domosdoshmëri në përballje me lehtësimin e kuadrit ligjor për të gjithë tatimpaguesit e vegjël të cilët përballen me vështirësitë më të mëdha në kushtet e pandemisë.
Për këtë qëllim, Qeveria Shqiptare është përpjekur maksimalisht të krijojë mundësinë për lehtësimin e ngarkesës, dhe uljen e barrës fiskale duke ndërmarrë iniciativa ligjore prej muajit korrik në kuadër të lehtësimit të të bërit biznes dhe të krijimit të mundësisë të një akumulimi të fondit për disa vite. Këto masa, për këto kategori, lehtësuan 50% të të gjithë numrit të bizneseve në vend”.
Denaj sqaroj më tej në fjalën e saj, se si nëpërmjet ndryshimeve në ligj do të lehtësohet biznesi i vogël.
“Ndërkohë, përsëri këtë vit plotësojmë kuadrin për lehtësimin e biznesit të vogël, duke sjellë përpara jush ndryshimet në ligjin Për sistemin e taksave vendore, i cili synon:
Një thjeshtim të lehtësimit të tatim fitimit për të gjitha bizneset:
Shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm, për tatimpaguesit që i nënshtrohen tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 5 deri në 8 milionë lekë, është 5%.
Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, për tatimpaguesit me këtë qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 5 milionë lekë, është 0 (zero) lekë në vit.
Me anë të këtij projektligji propozohet që tatimpaguesit objekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me qarkullim, deri në 8 milion leke të mos tatohen, pra norma e tatim fitimit për të dyja këto kategori të jetë 0%.
Nga kjo lehtësi fiskale do të përfitojnë rreth 5 mijë e 311 biznese, të cilat janë biznese të vogla.
Në mbështetje të biznesit në këto kohë të vështira, mendoj se është masa e duhur dhe duhet të miratohet nga të gjithë.
Ndërkohë, më lejoni të bëj dhe një prezantim të pikës së gjashtë që ka lidhje me ndryshimin në ligjin e TVSH-së që lidhen me të gjitha investimet në fushën e sportit.
Qeveria shqiptare po ndërmerr një masë e cila vjen në vijim të disa masave të cilat më parë kanë sjellë një lehtësi për të rritur financimin në fushën e sportit. Më lejoni të sjellë përpara jush në vëmendjen tuaj dy nga këto lehtësime përpara se të shkojmë dhe të bëjmë një prezantim të ligjit që propozojmë sot:
- Rritem nga 3% ne 5 % shumen e lejuar si shpenzim i zbritshëm për të gjithë sponsorizimet.
- Njëkohësisht, njohim trefish të kësaj vlere si shpenzim të zbritshëm për çdo sponsorizim nga kompanitë me fitim mbi 100 milionë lekë.
Këmi ndërmarrë këto ndryshime, pasi janë ndryshime te cilat nxisin financimet nga vetë bizneset të cilat kanë dëshirë të investojnë ose të financojnë më shumë sportin.
Gjithashtu, përjashtuam të ardhurat personale të sportistëve nga tatimi mbi të ardhurat për 2 vite, sigurisht ne mund të diskutojmë nëse kjo është një kohë e mjaftueshme por mendoj se është një kohë e cila e lejon këtë sektor të formalizohet dhe një zgjatje e këtij afati është e panevojshnme.
Për të ardhur sot të nderuar qytetarë dhe sportdashës, tek ky propozim, i cili në thelb ka ndryshimin e ligjit të TVSH-së ku parashikohet që prej vitit 2021 të aplikohet një shkallë e reduktuar e TVSH-së prej 6% për shërbimet e punimeve për investimet shtetërore apo investimet e klubeve, federatave sportive, për infrastrukturën sportive.
Pra, investimi në furnizimin e shërbimit të punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore dhe investimet e klubeve apo federatave sportive në infrastrukturën sportive të përcaktuar në legjislacionin përkatës, të mos trajtohet më në shkallën standarde 20%, por të trajtohet me 6%. Për të gjithë furnizuesit e punimeve të ndërtimit ndonëse do të llogarisin TVSH–në në shitje prej 6% për punimet e ndërtimit për infrastrukturën sportive, do të zbresin të plotë të paguar prej 20% për blerjen e mallrave dhe shërbimeve ne funksion të këtyre punimeve.”.
Në Korrik qeveria aprovoi dhe miratoi ndryshimet ne Ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku tatimpaguesit me qarkullim deri në 14 milion lekë kanë mundësinë të paguajnë 0% tatim fitim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.