Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në Forumin Ekonomik të Shkupit, që po zhvillohet në Maqedoninë e Veriut. Në ndërhyrjen e saj ministrja vlerësoi, se Forumi krijon hapësirën për një dialog shumëpalësh dhe i shërben angazhimit tonë të përbashkët dhe përpjekjeve për të rritur më tej bashkëpunimin rajonal dhe integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
“Perspektiva e vendeve tona për anëtarësimin në BE është e rëndësishme për të siguruar stabilitetin rajonal dhe ndërveprimin në një treg ekonomik më të gjerë, tha Denaj, duke shtuar, se ndaj në këtë frymë zbatimi i agjendës së Ballkanit Perëndimor është një angazhim që po materializohet ditë pas dite, në kuadër edhe të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC)”.
“Perspektiva e vendeve tona për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është e rëndësishme për të siguruar stabilitetin rajonal aq të nevojshëm, tha Denaj, ku theksoi se Plani ekonomik dhe i investimeve, i konfirmuar tetorin e kaluar nga Komisioni Evropian me gati 30 miliardë euro investime që do të vijnë, është sigurisht një domosdoshmëri, pasi vjen në një periudhë post pandemie dhe së dyti, që synimet tona ekonomike të përbashkëta të arrihen”.
Ministrja Denaj vlerësoi arritjet gjatë kryesimit të CEFTA nga Maqedonia së Veriut, ku shumë fusha prioritare të bashkëpunimit po përparojnë, ndërkohë që tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital i ekonomive tona, mbeten më një rëndësi të lartë.
Një rol të rëndësishëm, sipas Ministres Denaj, kanë dhënë dhe bashkëpunimi i Dhomave Kombëtare të Biznesit të vendeve të Ballkanit perëndimor.
Vendi ka qenë shumë aktiv në kontributin e dhënë për Planin e Përbashkët të Ndërveprimit Rajonal të Tregut (CRM AP) 2021-2024, i cili bazohet në standardet e BE dhe përfshin 4 fusha kryesore të bashkëpunimit, përkatësisht:
- zona e tregtisë rajonale: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve
- zona rajonale e investimeve
- zona digjitale rajonale
- zona rajonale industriale dhe innovative.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.