Denaj në Kuvend: Buxheti 2021, mbështetje për kategoritë në nevojë, stafet mjekësore dhe ato arsimore

17/12/2020 3:33 PM 0 komente

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ditën e sotme në seancë plenare edhe projektligjin “Për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur”, projektligjin “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, rrëzimin e dekretin të Presidentit për Buxhetin për vitin 2021, si dhe miratatimin e ratifikimit të marrëveshjes së huas.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë fjalës së saj nënvizoi se, Shqipëria sot, ka një regjim fiskal të sektorit të hidrokarbureve relativisht hibrid.

“Nëpërmjet këtij projektligji synohet të reformohet regjimi i ardhshëm fiskal në sektorin hidrokarbur. Kjo krijon pikërisht natyrën hibride të sistemit aktual.
Nëpërmjet këtij projektligji synohet të reformohet regjimi i ardhshëm fiskal në sektorin hidrokarbur.”, theksoi Denaj.

Sipas ministres, projektligji “Për regjistrin qendror të llogarive bankare” është një nismë e Qeverisë Shqiptare në vitin 2020.

“Ai së bashku me ligjin e miratuar në këtë sallë, për Regjistrin e Pronarëve përfitues, plotësojnë një ndër rekomandimet më thelbësore të partnerëve ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Denaj.

Sa i takon Buxhetit të vitit 2021, ministrja shtoi se, qeveria i qëndron fort mbështetjes që do t’i japë stafeve mjekësore dhe atyre arsimore në vend, me rritjen 40% dhe 15% përkatësisht dhe se në vitin 2021 shuma e alokuar për Personat me Aftësi të Kufizuar dhe familjet që përfitojnë Ndihmën Ekonomike do të rritet në mënyrë të konsiderueshme me 3.7 miliardë lekë krahasuar me planifikimin e vitit 2020.

“Buxheti 2021 nuk ka vetëm masa pasive për trajtimin e familjeve në nevojë, por ka dhe masa të tjera aktive si: Fondi i nxitjes së punësimit që rritet me rreth 80 milionë lekë krahasuar me vitin 2020, Fondi për Ndërmarrjet Sociale parashikohet në rreth 120 milionë lekë, rreth 250 milionë lekë më shumë për mbështetjen e biznesit gjatë vitit 2021, si dhe mbështetja në rritjen e fermerëve shqiptarë gjatë vitit 2021, me 1 miliardë lekë për skemën e subvencionimit të naftës në bujqësi”, renditi ministrja.

Ditën e sotme u ratifikua edhe marrëveshja e huas, për ndihmën makro-financiare për Shqipërinë në shumën prej 180 Milionë euro, e ardhur në formën e besimit dhe solidaritetit me Shqipërinë përgjatë pandemisë. Qëllimi i kësaj asistence është: lehtësimi i kufizimeve të financimit të jashtëm, lehtësimi i bilancit të pagesave dhe nevojat buxhetore, forcimi i pozicionit të rezervës valutore dhe ndihma për vendin për sfidat aktuale të jashtme dhe financiare.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of