Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi një takim me përfaqësuesit e bizneseve, në Drejtorinë Rajonale të Punësimit dhe Aftësimit, ku u diskutua për përfitimet nga programet e nxitjes së punësimit dhe ndërmjetësimit.
Gjatë këtij takimi, ministrja u shpreh se, janë tre skema për nxitjen e punësimit.
“Janë tre skema të nxitjes së punësimit, të cilat stimulojnë me gati 50%, marrëdhënien kontraktuale të punës mes individit dhe punëdhënësit. Skema e parë dhe skema e dytë, përfshin personat që do të kthehen në tregun e punës, pasi janë larguar nga situata e mbylljes ekonomike. Gjithashtu, kemi një skemë të tretë, ku personat që janë informalë për 12 muaj, u paguhet dhe subvencionohet pjesa e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, si punëdhënësit, por edhe punëmarrësit”, nënvizoi Denaj.
Këto tre skema nxitjeje menaxhohen nga zyrat e AKPA-s, e cila në mbështetje të punësimit, ka përfshirë gjithashtu edhe arsimin profesional, ku në qarkun e Vlorës janë dy shkolla; “Shkolla Tregtare” dhe “Pavarësia”.
Sipas ministres, janë tre elemente të rëndësishme që i vijnë në ndihmë biznesit të vogël.
“Janë tre elemente të rëndësishme që i vijnë në ndihmë biznesit të vogël: tatim fitim 0, rritja e pragut të TVSH-së dhe skemat e nxitjes së punësimit. Këto janë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike, ku për biznesin e vogël dhe qytetin e Vlorës impakti do të jetë absolutisht i madh”, theksoi Denaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.