Denaj: Nëse Milot -Balldren realizon 25 % punimeve në tre vitet e para, anulohen projektet e të tjera të investimeve

20/11/2019 12:03 PM 0 komente

Koncesioni i Milot-Balldren parashikohet të financohet në tre vitet e para 2020-2023 me 500 milionë lekë tha ministria e Financave Anila Denaj, por nëse kompania realizon 25 për qind të punimeve gjatë kësaj periudhe atëherë i gjithë buxheti do të rishikohet për të orientuar burimet buxhetore tek financimi i kësaj kontrate. Që do të thotë që do të rialokohen fondet nga projekte të tjera që nuk janë realizuar drejt financimit të kontratës së koncesionit.

Ministrja e Financave, Denaj në përgjigje të interesit të deputetëve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë tha se, buxheti i shtetit do të ngrijë financimin e  projekteve të tjera siç ka bërë edhe këtë vit, duke shtyrë financimin e projekteve të tjera buxhetore në fushën e investimeve për një vit më vonë. Denaj tha se, përveç kontratave koncensionare, projektet e tjera të infrastrukturës do të financohen në rast se do të ketë tepricë në realizimin e  të ardhurave. Në projektbuxhetin 2020 janë ngrirë projektet e investimeve  që nuk janë PPP, për një vit më vonë, teksa deputetet socialistë kanë shprehur shqetësim për financimin e projekteve të tjera të infrastrukturës në vend.

“Kemi ngrirë projekte që mos të rrezikojmë parametrat fiskalë. Në momentin që të kemi të ardhura do t’i financojmë. Nuk do të rrezikojmë buxhetin e shtetit. Kemi ulje në investime kapitale dhe shtyrje për një vit më vonë”, tha Denaj.

Më 2020 nuk ka asnjë projekt të ri që financohet nga buxheti, për shkak se fondet e projektuara shkojnë për financimin e koncensioneves.

Më tej debatet ndërmjet deputetëve në Komisionin e Ekonomisë, u përqendruan se cila qeveri e ka fundosur më shumë buxhetin me koncesionet.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se “nga PPP-te para 2013, po paguajmë për skanimin 18 milionë USD.  Për rrugën e Banjës po paguajmë çdo vit 15 mln euro, pasi rruga ishte pjesë e kontratës që duhet të paguhej nga buxheti i shtetit”.

Koncesionet e energjisë kanë ndikim indirekt. Këtë vit kosto ka qenë 40 mln euro tha Ahmetaj.

Denaj tha se do të ngrihet Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve me PPP. Ajo tha se brenda tre javëve është gati një raport i hollësishëm për ecurinë e koncesioneve në Kuvend.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of