Denaj: Orientimi i kurseve profesionale drejt kërkesave të tregut të punës

26/01/2021 1:48 PM 0 komente

Orientimi i kurseve profesionale për të marrë një zanat po bëhet gjithnjë e më shumë sipas kërkesave të tregut.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë një vizite në Qendrën e Formimit Profesional në Fier deklaroi se të marrësh një zanat është shumë e mirë, pasi jo vetëm ke garantuar të ardhurat mujore, jo vetëm për pasionin e një pune, por mbi të gjitha investimi që jep për ta marrë atë zanat.

“Unë vij, jo vetëm si ministrja e fushës suaj, por edhe si një individ që besoj shumë në zanat. Ne vijmë nga breza të tërë që trashëgojmë dhe zanati është pasuria më e madhe që duhet të kemi, si dhe është shumë mirë sepse e ke të garantuar të ardhurën mujore, jo vetëm për pasionin e një pune, por mbi të gjitha investimi që jep për ta marrë atë zanat”, theksoi Denaj.

Ndërsa drejtuesi i kësaj qendre, Aleksandër Lalaj, informoi se, kërkesat kryesore nga qarku i Fierit janë për autoservis elektrik, hidraulik, parukeri, kuzhinë, estetikë dhe kurse të tjera. Me këto specialitete synohet tregu i punës vendas, por edhe tregu i punës në rajon e më gjerë.

Sipas tij, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Punësimit ka një marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha bizneset, çka këtë vit është bërë e vështirë për shkak të pandemisë, ka bërë që një pjesë e mirë e kursantëve që mbarojnë këtu pjesën mësimore dhe pastaj të gjejnë treg pune në subjektet private.

Gjithnjë e më shumë të rinjtë po i drejtohen Qendrave të Formimit Profesional, kjo pasi një zanat i ndihmon ata t’i përshtaten kërkesave të tregut, por edhe të ruajnë trashëgiminë mes brezave.

Në Fier, aktualisht po mësojnë dhe praktikojnë zanatin rreth 300 kursantë, që ndjekin 21 drejtime profesionale, kryesisht në profile si autoservis elektrik, hidraulik, parukeri, kuzhinë, estetikë, etj.

104 kursantë të profilizuar në këtë qendër janë punësuar përgjatë vitit 2020. Janë 360 orë mësimore që këta kursantë zhvillojnë për të marrë bazat dhe njohuritë mbi zanatin që ata kanë zgjedhur.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of