Regjistrimi i markës dhe patentës së një biznesi rrit konkurrencën e ndershme.
Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në një takim informues për biznesin mbi pronësinë industrial të organizuar nga drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, në qytetin e Sarandës.
Ministrja vlerësoi rëndësinë e regjistrimit të markës dhe patentës së një produkti apo biznesi, si një hap i parë në rritjen e konkurrencës së ndershme në treg.
“Unë do të doja që produkti shqiptar nga #hashtag tek kafeneja, tek kremi i duarve, tek një markë tjetër prodhimi, tek një reçel, të ketë një markë, e cila jo vetëm thotë emrin e personit që e ka krijuar atë që në momentin që vendosi emrin e biznesit, që buroi nga zemra, por në vetvete ka menduar sesi do ta çojë atë jo vetëm tek tregu, por deri tek perceptimi i secilit qytetar që do ta blejë”, u shpreh Ministrja.
Ndërsa duke iu referuar qytetit të Sarandës, të cilin çdo vit e vizitojnë mijëra turistë, Ministrja Denaj, tha, se ka një avantazh, ajo preket nga të huajt dhe kjo prekje ndodh në të gjitha produktet.
Drejtore e Përgjithshme e DPPI, Ledina Beqiraj, duke iu shpjeguar bizneseve procedurat e regjistrimit, u shpreh se si çdo pronë tjetër, e luajtshme apo e paluajtshme duhet të mbrohet, sepse nëse ju nuk e mbroni, nuk keni një akt që tregon se jeni mbajtës të saj dhe atëherë nuk mund të kërkoni mbrapsht benefitet që vijnë nga mbrojtja.
Që nga muaji korrik 2020 tashmë Drejtoria e Pronësisë Intelektuale është bërë pjesë e e-albania, ku biznesi mund të aplikojë direkt pa qenë nevoja për tu paraqitur fizikisht pranë DPPI, ose nëpërmjet një personi të autorizuar nga subjekti.
Shqipëria që prej vitit 1993 është shtet anëtare e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe çdo vit nga kjo organizatë lancohet një slogan i dedikuar. Për këtë vit slogani është “Biznesi tek Pronësia Intelektuale”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.