Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të mbështetur dhe për të promovuar pjesëmarrjen e gruas në biznes, si dhe për të reduktuar hendekun gjinor.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në konferencën “Klima e përgjithshme e biznesit dhe ndikimi i tërmeteve të vjeshtës 2019 dhe COVID-19 tek gratë sipërmarrëse”, që u organizua nga Shoqata “Together for Life”, me mbështetjen e Ambasadës Austriake në Tiranë, ku ishin të pranishëm edhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, Ambasadori i Austrisë, Christian Steiner, si dhe Ambasadorja e Holandës, Guusje Korthals Altres.
Në fjalën e saj, Denaj tha se qeveria shqiptare është e angazhuar në hartimin e politikave në mbështetjes të gruas sipërmarrëse, por mbi të gjitha, për adresuar problematikat.
“Në vitet e fundit kemi punuar ngushtësisht me shumë programe që synojnë të përmirësojnë kuadrin ligjor, veçanërisht ai në raport me ligjin ‘Për noterët’ ku është rregulluar njohja e gruas në të gjithë procedurat e regjistrimit të pronësisë apo të trajtimit të pronës midis bashkëshortëve, me qëllim barazinë. Po kështu jemi angazhuar në një program për të zhvilluar SME-në në Shqipëri, me qëllim jo vetëm për të rritur shkallën, por edhe për të dalë nga sipërmarrje me numër të ulët të punësuarish. Gjithashtu më lejoni të theksoj elementë të rëndësishëm të cilët vlejnë sot dhe që në raport me buxhetin e shtetit, me atë që është programi i mbështetjes me bazë gjinore, që është një arritje në 7 vitet e qeverisjes socialiste.
Flasim për 33 programe të cilat në bazë kanë barazinë gjinore dhe flasim për vitin 2019 me një rritje gati 50% të të gjithë programeve buxhetore për çdo ministri linje për fokus në barazinë gjinore. Sigurisht, për të arritur në këto shifra ne kemi pasur edhe mbështetjen e përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit, të cilët janë angazhuar dhe me formën e tyre të kredi dhënies në dy programe të rëndësishme që jemi duke i zhvilluar”, tha Ministrja Denaj.
Në vitin 2019 ishin 32.7 miliardë lekë ose 6.3% të alokuara për buxhetimin gjinor, krahasuar me 15 miliardë lekë (2.4% të buxhetit të përgjithshëm) të planifikuara për t’u shpenzuar në 2018, për të mbyllur në mënyrë specifike boshllëqet gjinore ose për të përparuar barazinë gjinore.
Nga ana tjetër MFE është duke punuar rikonceptimin e skemave – grant që do të shërbejnë për përmirësimin e marrjes së shërbimeve mbështetëse nga SME-të, si edhe për të rritur aksesin në financë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Duket mjaft e pergatitur. dhe nga debati i djeshem ne “open” Por mjedisi i partise se saj nuk e suporton intelektin. Jane kryesisht te orientuar nga politikat ku perfitojne klientet e ngushte te pushtetit. Gjynaf qe nuk i lihet me shume hapesire ne vendimmarrje. Ekonomia do te ishte shume here me mire nese vendimet ekonomike do ti merrte zonja dhe jo te paaftet qe kane zaptuar pushtetin