Ministrja e Financave, Anila Denaj tha se në periudhën afatmesme struktura e rritjes së ekonomike do të mbështetet nga zhvillimet në sektorin e turizmit dhe agroindustrisë. Duke raportuar ndryshimet në buxhet për këtë vit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Denaj tha se, “rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit 2019, shënon 2.3%, krahasuar me rritjen e vitit të kaluar atribuohet kryesisht nga një tkurrje e thellë e prodhimit të energjisë elektrike këtë vit, që pasqyron kontrastin e fortë të situatës hidrike të këtij viti dhe të një viti më parë, duke ndikuar me 1 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018-ës. Sipas saj edhe sektori i lojërave të fatit ka ndikuar në këtë rritje dhe në qoftë se këto dy sektorë do të kishin pasur të njëjtën performancë si vitin e kaluar, sigurisht që ne do të flisnim me tregues të tjerë.
Kjo nuk do të thotë se duhet të mbetemi në krahasimin e vitit të kaluar, as në situata të segmenteve të sektorit të energjisë. Jemi duke punuar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të parë se si rritja ekonomike në nivel afatmesëm të vijë nga më shumë se sa një sektor dhe struktura e rritjes ekonomike të përshpejtohet nga sektorë prioritarë, si turizmi, agroindustria, etj.
Nga optika e kërkesës agregate, rritja pozitive në gjysmën e parë i atribuohet konsumit dhe gjithashtu në një farë mase dhe eksporteve neto të shërbimeve, të cilat reflektojnë një performancë të mirë të turizmit edhe gjatë këtij viti.
Denaj tha se, të ardhurat e përgjithshme për 9-mujorin rezultuan në nivelin e 343.5 miliardë lek, me një realizim në masën 71 për qind të planit vjetor ose me një ritëm rritje rreth 4.2% kundrejt një viti më parë.
Në të njëjtën kohë, shpenzimet e përgjithshme publike rezultuan në nivelin 245.8 miliardë lekë, me një realizim në masën 67 për qind të planit vjetor, ose me një rritje prej 6.1% kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Shpenzimet korente rezultuan në rreth 304.3 miliardë lekë ose 71 për qind e planit vjetor, ose me një rritje prej rreth 8.1% kundrejt 2018.
Shpenzimet kapitale me një realizim në masën 41.4 miliardë lekë ose 47% të planit vjetor.
Një element i rëndësishëm është që investimet publike dallojnë në ekzekutim midis shpenzimeve kapitale me financim të brendshëm dhe atyre me financim të huaj. Ndërkohë që shpenzimet kapitale me financim të brendshëm kanë patur një realizim relativisht të kënaqshëm prej rreth 53% të planit vjetor në periudhën që po flasim dhe një rritje prej 8.9% krahasuar me 2018, ato me financim të huaj kanë pasur një ecuri mjaft të ngadaltë, me një realizim në masën 38% të planit vjetor, apo rreth 32% më pak se 9-mujori i vitit 2018.
Megjithatë, këto janë shifra paraprake. Ne synojmë që deri në fund të vitit të jemi brenda kuadrit të parashikuar në këto aspekte.
Deficiti i përgjithshëm për nëntë muajt e parë të vitit 2019 rezultoi në nivelin 2.3 miliardë lek.
Për tre muajt e mbetur të vitit pritet që shpenzimet në përgjithësi dhe ato kapitale në veçanti të kenë një përshpejtim të ekzekutimit të tyre, sidomos në muajt nëntor dhe dhjetor, një trend i viteve të kaluar dhe besoj nuk do të ketë përjashtime as këtë vit.
Niveli i deficitit pritet të konvergojë drejt nivelit ligjor të targetuar, po sigurisht krejtësisht në respektim të plotë të këtij targeti prej 1.9% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Po ashtu, edhe parametri më themelor i qëndrueshmërisë së financave publike, raporti i borxhit publik ndaj PBB, pritet të vijojë reduktimin e tij, krejtësisht me objektivat e shpallura më parë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.