Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë në prezantimin e projektit “Përmirësimi i qasjes në drejtësi për mosmarrëveshjet e punës”, i cili konsiston zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve, bisedimeve dhe kontratave kolektive.
Në fjalën e saj, Ministrja Denaj falënderoi ILOn dhe SIDA-n për bashkëpunimin dhe asistencën e vazhdueshme që kanë dhënë për qeverinë shqiptare, sidomos sa i përket përmirësimit të legjislcaionit në fushën e punës dhe në përafrimin e tij me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Sa i përket projektit në fjalë, Ministrja Denaj theksoi se përmes zbatimit të tij synohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve apo konflikteve mes punëmarrësve dhe punëdhënësve përpara se palët t’i drejtohen gjykatës, duke ndikuar kështu në uljen e kostove të palëve dhe lehtësimin e të bërit biznes në vend.
“Besojmë se duke i ardhur në ndihmë biznesit në një instrument të shtuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në formën e pajtimit ne në fakt ndihmojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe për klimën e biznesit”, u shpreh znj. Denaj.
Sipas Ministres, është shumë e rëndësishme që zërat e të dy palëve, punëmarrësve dhe punëdhënësve, të dëgjohen nga një palë e tretë.
“Është e rëndësishme që dëgjohen zërat e të dy palëve dhe një palë e tretë, qoftë një institucion si zyrat e punës apo drejtoria që ka përgjegjësinë për të ndjekur këto procese, është e rëndësishme për të dëgjuar dhe për të vendosur nëse ka një shkelje të zbatueshmërisë së ligjit, të drejtës së punonjësit, apo ka një kërkesë përtej asaj që punëdhënësi mundet të japë. Pra, bën një ekuilibër mes të dy palëve për të ecur përtej, pa hyrë në konflikte gjyqësore. Ky hap nuk nënkupton që konflikti të mos shkojë më tej në procese gjyqësore, por është një hap që ndihmon dhe lehtëson palët për t’i zgjidhur çështjet e mosmarrëveshjeve pa kosto shtesë dhe pa konflikte që mund të kalonin dhe një qasje më radikale se sa një marrëdhënie punonjës-punëmarrës”, tha Ministrja.
Gjithashtu, Ministrja Denaj theksoi nevojën që sindikatat të kenë një rol më të rëndësishëm, ashtu sikurse institucionet shtetërore përkatëse duhet të jenë më shumë produktive për të zbutur problematikat dhe mosmarrëveshjet e marrëdhënieve të punës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.