Kuvendi i Shqipërisë emëroi sot Denar Bibën si kryetar të ri të Komisionit të Konkurrencës, organi drejtues i Autoritetit të Konkurrencës.
Ai do të pasojë në këtë detyrë Juliana Latifin, që ka përfunduar mandatin e saj ligjor. Denar Biba është me profesion jurist dhe në fillim të këtij viti ishte zgjedhur nga Kuvendi si anëtar i Komisionit të Konkurrencës, për të zëvendësuar ish-anëtarin Helidon Bushati, që dha dorëheqjen për të marrë mandatin e deputetit.
Më herët, Denar Biba ka mbajtur detyrën e anëtarit dhe Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa eksperienca e mëparshme profesionale ka qenë kryesisht në detyrën e këshilltarit ligjor në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.
Gjatë diskutimeve në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, kandidatura e Denar Bibës për këtë post u kundërshtua nga përfaqësues të opozitës, por edhe nga deputeti i shumicës, Erjon Braçe. Opozita e akuzon Denar Bibën për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm mbi gjyqtarin e Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku, mbështetur në disa përgjime të publikuara në vitin 2018.
Ndërsa deputeti Braçe e kundërshtoi kandidaturën e Bibës, me argumentin se ai nuk ka ekspertizën e nevojshme në çështjet e mbrojtjes së Konkurrencës dhe se, sipas tij, puna e tij si anëtar i Komisionit të Konkurrencës nuk i ka shërbyer mbrojtjes së interesit publik.
Akuzat e deputetit Braçe lidhen kryesisht me votën kundër të Denar Bibës (dhe dy anëtarëve të tjerë të Komisionit) ndaj propozimit të Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës për gjobitjen e kompanive më të mëdha të importit të grurit dhe prodhimit të miellit në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.