Depozitat në sistemin bankar iu rikthyen rritjes së lehtë në muajin prill, pas tkurrjes së tyre për dy muaj radhazi.
Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, totali i kursimeve në vend në fund të muajit prill arriti në 1.23 trilionë lekë, ose gati 10 miliardë euro.
Në raport me muajin e mëparshëm, kursimet janë rritur fare lehtë, me vetëm 0.07%, ose 873 milionë lekë më shumë. Në dy muajt e mëparshëm, mars dhe shkurt, depozitat kishin rënë përkatësisht me 5.3 dhe 1.6 miliardë lekë.
Ritmet e rritjes së depozitave janë ngadalësuar ndjeshëm në pjesën e parë të këtij viti, duke reflektuar kryesisht efektet që po jep inflacioni si në aftësinë e individëve për të kursyer, ashtu dhe të bizneseve që po përdorin gjithnjë e më shumë likuiditetet që kanë në banka (shiko grafikun: Totali i depozitave, janar 2013-prill 2022).
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se prill, kursimet në monedhën vendase ranë me 0.6%, të ndikuara kryesisht nga tkurrja e depozitave të korporatave jo financiare, por dhe kursimet me afat të individëve u reduktuan lehtë.
Ndryshe ishte tendenca për depozitat në valutë, që u rritën me 0.62% në raport me marsin, duke amortizuan në këtë mënyrë tkurrjen e kursimeve në monedhën vendase. Rritja u nxit kryesisht nga individët.
Me bazë vjetore, depozitat në prill u rritën me 8.9%. Rreth 85% e kësaj rritjeje erdhi nga shtimi i kursimeve në valutë, ndërkohë që individët dhe bizneset duket se po e kanë më të vështirë të kursejnë në monedhën vendase.
Në fund të prillit, depozitat në valutë zinin 56.2% të totalit, nga 53.6% të totalit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.