Ngadalësimi i rritjes së depozitave në monedhën vendase po prek edhe shoqëritë e kursim-kreditit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave në këto shoqëri në fund të tremujorit të parë të këtij viti kishte vlerën e 10.45 miliardë lekëve, në rritje me vetëm 0.45% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Norma e rritjes vjetore të depozitave u ngadalësua në 6.7%, nga 8% që kishte qenë në fund të vitit 2022.
Pjesa dërrmuese e depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit janë në monedhën vendase, karakteristikë e ndryshme kjo nga sektori bankar, që po dominohet gjithnjë e më shumë nga depozitat në valutë të huaj dhe kryesisht në euro.
Më shumë se 80% e depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit janë në lekë, ndaj ecuria e depozitave në këtë sektor është më pak e ndikuar nga efekti i kursit të këmbimit.
Qysh prej vitit të kaluar, depozitat bankare në lekë shënuan një ngadalësim të ndjeshëm në ritmet e tyre të rritjes. Në fund të muajt prill, rritja vjetore e depozitave në lekë ishte vetëm 3.5%.
Ngadalësimi i ndjeshëm i depozitave në lekë duket se u ndikua nga ulja e mundësisë për të kursyer, si rezultat i inflacionit të lartë, por edhe nga konkurrenca e lartë prej rritjes së yield-eve të bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare.
Madje, qeveria u angazhua në një marketing të drejtpërdrejtë për t’i tërhequr individët të investonin në këto instrumente, çka solli edhe rritjen e fortë të pjesëmarrjes së individëve në ankande.
Tendenca e ngadalësimit të rritjes së depozitave megjithatë po prek edhe një segment më specifik të tregut, atë të SHKK-ve. Shoqëritë e kursim-kreditit apo siç njihen kooperativat financiare janë shoqëri që ofrojnë shërbime vetëm për personat e anëtarësuar në to. Në këto shoqëri, individët e anëtarësuar mund të vendosin depozita, si edhe të përfitojnë kredi apo edhe shërbime të tjera pagesash.
Modeli i SHKK-ve ka rezultuar veçanërisht efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që, për arsye të ndryshme, kanë akses të kufizuar në sektorin bankar. Kjo vlen sidomos për fermerët dhe individët që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale të vendit.
SHKK-të janë të vetmet institucione financiare, përveç bankave, që kanë të drejtë të pranojnë depozita nga publiku i gjerë. Rritja e depozitave të SHKK-ve vitet e fundit është mbështetur shumë edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit të depozitave. Që prej vitit 2017, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milionë lekëve.
Në janar të vitit 2015, kjo skemë u ngrit zyrtarisht me arkëtimin nga Buxheti i Shtetit të fondit themeltar për sigurimin e depozitave në SHKK në vlerë 76 milionë lekë, që siguroi bazën fillestare financiare të fondit të sigurimit të depozitave në SHKK.
Duke nisur nga viti 2015 e në vazhdim, Agjencia ka administruar mjetet financiare të fondit të sigurimit të depozitave në SHKK, të cilat hynë në skemë vetëm në fillim të vitit 2017, për shkak të kohës së nevojshme për përmbushjen e kritereve ligjore për përfshirjen në të.
Sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të ASD-së. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së.
Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në Shqipëri veprojnë 11 SHKK aktive, ndërsa Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) raporton nëntë subjekte të anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.